Karburantet në Kosovë arrijnë çmimin më të lartë në 20 vjetët e fundit

Karburantet në Kosovë, sivjet kanë arritur çmimet më të larta në 20 vjetët e fundit, thotë Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Ai në emisionin SOT në KTV, ka thënë se aktualisht një litër naftë në Kosovë është duke u tregtuar me një çmim prej 1.23 euro deri 1.3 euro, ndërsa benzina nga 1.25 deri në 1.32 euro.

Si gjithmonë, Berjani thotë se çmimet e derivateve në vendin tonë përcaktohen nga bursat ndërkombëtare dhe nga organizata prodhuese e naftës, OPEC.

“Në të gjitha vendet çmimet janë rritur, por ne jemi më të lirët. Mund të them që është çmimi më i lartë në 20 vjetët e fundit.Për qytetarët tanë është çmim shumë i lartë, por duhet të pajtohemi sepse e përcakton bursa”, është shprehur Berjani.

Ndonëse, për muajin janar ishte pritur një stabilizim i çmimeve, Berjani thote se tensionet në veri kanë bërë që të ketë edhe më shumë rritje.

Sipas tij, çmimet po vazhdojnë të rriten në vazhdimësi dhe në mënyrë të theksuar në Kosovë dhe në të gjitha vendet e tjera, derisa shtoi se vetëm Maqedonia e Veriut është duke funksionuar me çmimet më të lira në rajon.

Në fund të bisedës, Berjani ka deklaruar se deri më tani qytetarët s’janë ankuar në cilësi të derivateve, dhe ka bërë apel te të gjithë konsumatorët që furnizohen me karburante që të kërkojnë kuponët fiskalë nga pompat./Buletini ekonomik/

Artikulli paraprakAplikacioni shqiptar ‘Hajde’ siguron 1 milion dollarë financim për t’u zgjeruar në rajon
Artikulli tjetërTregu i NFT po lulëzon – po thyhen të gjitha rekordet