Karakteristikat e sistemit islam mbi trashëgiminë

Almedin Ejupi

Islami mban qëndrim mesatar ndërmjet socializmit dhe kapitalizmit apo ideologjive të tjera të cilat ngrihen mbi parimin e lirisë së pronësisë.

Socializmi që nga origjina e tij e mohon parimin e trashëgimisë dhe e konsideron padrejtësi që kundërshton parimet e drejtësisë. Bijve të të vdekurit dhe të të afërmve të tij absolutisht nuk u jep asgjë.

Kapitalizmi dhe sistemet e tjera ekonomike, lirinë tërësisht ia lënë njeriut dhe ai vepron çfarë të dëshirojë pa i vënë kritere. Ai mund t’i privojë të gjithë të afërmit e tij nga trashëgimia dhe atij i takon e drejta për testament nga pasuria e tij për një të huaj, mik apo shërbëtor. Ashtu siç ka të drejtë që pasurinë e tij t’ia lë testament kafshëve, qenit, maces, prostitutave apo ndonjë klubi kumari e të ngjashme me këso lloj testamentesh të çuditshme.

Islami i ka dhënë njeriut liri veprimi vetëm në 1/3 e pasurisë së tij; ka të drejtë të lejë testament ose ta dhurojë brenda këtij kufiri. Këtë kuotë ia lë testament kujt të dojë me kusht që të jetë në fushën e së mirës ose atyre që përfitojnë nga ajo pasuri. Nuk lejohet testamenti në fushën e së ndaluarës e as kafshëve si qenit, maces… Ndërsa 2/3 e tjera të pasurisë u takojnë të afërmve të tij ose atyre që e lidh lidhja e fortë siç janë të afërmit. Kjo kuotë e pasurisë është ekskluzivisht e drejtë e tyre juridike. Trashëgimlënësi nuk posedon liri veprimi në të e as nuk mund t’i privojë ata.

Kësisoj, Islami ka ruajtur të drejtën e trashëgimtarëve gjatë jetës së pronarit të pasurisë. Thjesht, me t’u sëmurë njeriu me sëmundjen e vdekjes, atij nuk i takon ta shpërdorojë pasurinë me qëllim dëmtimi trashëgimtarët ose humbjen e të drejtës së tyre.

Amir bin Sa’d transmeton nga babai i tij ku thotë: “Iu ankova të Dërguarit të Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, -në haxhillëkun lamtumirës- sa që më është ashpërsuar sëmundja, hyri tek unë i Dërguari të më vizitonte dhe i thashë: “O i Dërguar i Allahut! Unë jam njeri i pasur kurse më trashëgon vetëm një vajzë, a të jap lëmoshë tërë pasurinë time? Tha: “Jo”. Gjysmën e saj? Tha: “Jo”. Thashë: “Një të tretën? ” Tha: “Lëre testament vetëm një të tretën, madje edhe një e treta është shumë. Që t’i lësh trashëgimtarët e tu të pasur është më mirë se sa t’i lësh të varfër t’ua shtrijnë njerëzve duart për t’u kërkuar. Çdo shpenzim që e bën vetëm se do të të shpërblejë Allahu, madje edhe për kafshatën e gojës që e ndan për gruan tënde.” (Shënon Ebu Davudi dhe Darimiu).

Islami gjithashtu për vlefshmërinë e testamentit ka kushtëzuar të mos synohet dëmtimi i trashëgimtarëve. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton nga i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, se ka thënë:

“Burri apo gruaja i bëjnë adhurim Allahut gjashtëdhjetë vjet pastaj u vjen vdekja e prishin (dëmtojnë) testamentin, atyre u obligohet zjarri.”

Pastaj Ebu Hurejra lexoi ajetin: “…pasi të kryhet testamenti e të lahet borxhi, duke mos e dëmtuar askënd. Kjo është porosia e Allahut! Allahu është i Gjithëdijshëm dhe shumë Durues.” (Nisa 11-12) (Hadithin e shënon Ebu Davudi dhe Tirmidhiu).

Për këtë qëllim më e arsyeshme është që trashëgimlënësi, i cili nuk posedon shumë pasuri, të mos lejë testament nga pasuria e tij në mënyrë që të ruajë të drejtën e trashëgimtarëve, sidomos kur pasuria nuk mjafton për plotësimin e nevojave të trashëgimtarëve dhe ata janë të vegjël dhe kanë nevojë për edukim dhe shpenzim.

Karakteristikat e sistemit islam mbi trashëgiminë janë:

– Allahu i Lartësuar ka marrë përsipër sqarimin e atyre që kanë të drejtë trashëgimie në pasurinë e të vdekurit dhe nuk i ka lënë këtë të drejtë pronarit të pasurisë në përcaktimin e trashëgimtarëve e as caktimin e përpjesëve të pasurisë. E tërë kjo i takon Allahut të Lartësuar për shkak të dijes së Tij se njeriu mund të pasojë epshet ose të ndikohet nga ndjenjat e papërmbajtura. Kësisoj bën padrejtësi në gjykimin e tij dhe i privon disa trashëgimtarë, ose i jep përparësi disave ndaj disa të tjerëve, gjë të cilën e refuzon sheriati islam. Trashëgimia në sheriatin islam është e detyrueshme sa i përket trashëgimtarit dhe trashëgimlënësit. Trashëgimtari e merr përpjesën e vet dhe pastaj posedon liri veprimi me të. Nëse do ia dhuron atë dikujt, jep lëmoshë ose heq dorë dhe i jep ndokujt. Ndërsa trashëgimlënësi patjetër duhet t’i nënshtrohet ndarjes së Allahut të Gjithëdijshëm e të Urtë. Sistemi islam i trashëgimisë në këtë drejtim veçohet nga sistemet e tjera të vendosura nga njerëzit të cilat pronarit të pasurisë i japin të drejtën të përcaktojë përfituesit nga pasuria e tij pas vdekjes, caktimin e përpjesëve për secilin.

– Islami trashëgiminë e ka përkufizuar në rrethin familjar dhe nuk e tejkalon atë. Prandaj, patjetër duhet të ekzistojë prejardhja e vërtetë, afërsia e gjakut apo martesa e ligjshme. Këta njerëz më së shumti kanë lidhje me të vdekurin. Në rrethin familjar në përcaktimin e përpjesëve Islami i jep përparësi më të afërmit të të vdekurit i cili konsiderohet vazhdimësi e të vdekurit si bijtë, babai… Islami në dhënien përparësi të disa trashëgimtarëve ndaj disa të tjerëve si parim ka faktorin e fuqisë së afrimitetit dhe dobive ndërmjet trashëgimtarit dhe trashëgimlënësit.

– Sistemi islam mbi trashëgiminë ka caktuar kuotën e trashëgimtarëve me përpjesa të caktuara si një e teta, një e katërta, gjysma, një e gjashta, një e treta dhe dy të tretat, ndërsa përveç këtyre të tjerët trashëgojnë nga aspekti i afrimitetit respektivisht trashëgojnë atë që ngelet prej pasurisë. S’ka dyshim se këtë nuk mund ta e gjejmë në sisteme klasike e as bashkëkohore, por ky është sistemi i përpiktë islam.

– Sistemi i trashëgimisë në Islam kundërshton parimin e grumbullimit të pasurisë tek një individ në llogari të të tjerëve, por ai bën copëtimin dhe ndarjen e pasurisë te numri më i madh i mundshëm i trashëgimtarëve meritor.

– Sistemi i trashëgimisë në Islam ka punuar në mbrojtjen e të dobëtëve, grave dhe fëmijëve. Kurse më parësori për kujdesin e tyre janë të afërmit e tyre. Kësisoj, Islami ia ka caktuar femrës kuotën e trashëgimisë. Nëna, vajza, gruaja, motra dhe të tjera kanë përpjesën e caktuar në pasurinë e të vdekurit në mënyrë që t’u ruhet jeta dhe nderi i tyre. Gjithashtu ka caktuar edhe për fëmijën e mitur si dhe për atë që është në barkun e nënës kuotën sikur të rriturit. Nuk e ka veçuar djalin e madh me diçka që e dallon nga anëtarët e tjerë të familjes ashtu siç është e pranishme kjo në disa sisteme duke i dhënë tërë pasurinë djalit të madh. S’ka dyshim se ligji islam në këtë drejtim është më i vërtetë, më i drejtë dhe më i mëshirshëm nga aspekti se të miturit dhe gratë kanë nevojë për më shumë kujdes dhe më shumë nevojë për pasurinë e babait të tyre sesa të rriturit të cilët janë edukuar gjatë jetës së prindit të tyre ose mund të kenë grumbulluar prej pasurisë atë që i mjafton ose kanë siguruar rrugët e fitimit që u siguron jetën të jetojnë në bollëk për dallim nga të vegjlit.

– Islami martesën e ligjshme e ka bërë prej shkaqeve të trashëgimisë. Bashkëshortja trashëgon nga bashkëshorti dhe në të kundërtën bashkëshorti trashëgon nga bashkëshortja. Kësisoj respektohet lidhja martesore në mënyrë që të japë frytet e saj dhe njëkohësisht shfaqet dashuria, mëshira dhe mirëkuptimi ndërmjet tyre.

– Sistemi i trashëgimisë në Islam nevojën e ka bërë esencë për dallimin në trashëgimi. Për këtë qëllim kuotën e vajzës e ka caktuar sa gjysma e kuotës së vëllait të saj mashkull, ngase nevoja e tij për pasuri konsiderohet më e madhe sesa e asaj. Kërkesat jetësore dhe përgjegjësitë e tij janë më të mëdha sesa të asaj. Nga ana e saj nuk kërkohen disa obligime që kërkohen nga vëllai i saj. Shpenzimet i takojnë babait derisa ajo është në shtëpinë e tij, ndërsa kur të kalojë në shtëpinë e bashkëshortit, atij i obligohet mbikëqyrja. Kësisoj vërejmë se ajo është e siguruar materialisht në të gjitha etapat e jetës. Atë që e merr si mehr (paja e nusërisë) ose trashëgimia, mbetet pasuri e ruajtur nuk i pakësohet përveç në disa raste të domosdoshme. Nga kjo pikënisje, Islami kuotën e djalit të të vdekurit e ka bërë më shumë se sa të babait të tij (të vdekurit), ngase djali ballafaqohet me jetën dhe ka nevojë më tepër për pasurinë e të vdekurit sesa babai i tij. Gjyshi është në fund të jetës dhe nuk i ka kërkesat si të djalit si dhe nuk ndjen nevojë për pasurinë përveç sa për t’u kujdesur për pleqërinë e tij dhe t’i sigurojë nevojat elementare për dallim nga djemtë, të cilët kanë nevojë dhe përgjegjësitë e tyre janë më të mëdha.

Këto karakteristika dhe të tjera të cilat nuk i përmendëm këtu, e kanë bërë sistemin islam të trashëgimisë në mesin e shumë sistemeve të tjera sistem ideal, të përkryer në të gjitha aspektet shoqërore dhe ato ekonomike. Ia ruan të drejtën secilit pa neglizhencë. Si të mos jetë kështu ngase është ligj i Zotit të botëve:

“A mos kërkojnë ata gjykimin (me ligjin) e (kohës së) injorancës (paganizmit paraislamik)?! E kush është gjykatës më i mirë se Allahu për njerëzit që besojnë bindshëm?” (Maide, 50)

Artikulli paraprakNdalimi i kamatës
Artikulli tjetërKamata dhe historiku i saj