Ixharah si një mënyrë e financimit

Ashtu si murabaha dhe ixharah fillimisht nuk ishte një mënyrë financimi. Ajo është thjesht një transaksion që synon të transferojë përdorimin e një pasurie nga një person te një tjetër për një periudhë të rënë dakord kundrejt një shpërblimi të caktuar. Megjithatë, disa institucione financiare kanë miratuar qiranë si një mënyrë financimi në vend të huadhënies afatgjatë me interes. Ky lloj qiraje njihet përgjithësisht si ‘qira financiare’, duke u dalluar nga ‘qiraja operative’, dhe shumë prej tipareve themelore të transaksionit të vërtetë të qirasë janë hequr prej saj.

Kur institucionet financiare pa interes u krijuan kohet e fundit, ato zbuluan se qiraja është një mënyrë e njohur financimi në mbarë botën. Nga ana tjetër, ato kuptuan se qiraja është një transaksion i ligjshëm sipas sheriatit dhe mund të përdoret si një mënyrë financimi pa interes. Prandaj, qiraja u adoptua nga institucionet financiare islame, por shumë pak prej tyre i kushtuan vëmendje faktit se ‘qira financiare’ ka një numër karakteristikash më të ngjashme me interesin sesa me transaksionin e vërtetë të qirasë. Për këtë arsye, ato filluan të përdorin të njëjtat marrëveshje model të qirasë që ishin në përdorim nga institucionet financiare konvencionale pa asnjë modifikim, ndërsa një numër i dispozitave të tyre nuk ishin në përputhje me sheriatin.

Siç u përmend më herët, qiraja në origjinën e saj nuk është një mënyrë financimi. Megjithatë, transaksioni mund të përdoret për financim, me kusht që të respektohen disa kushte. Nuk është e mjaftueshme për këtë qëllim të zëvendësohet emri ‘interes’ me emrin ‘qira’ dhe emri ‘hipotekë’ me emrin ‘pasuri e dhënë me qira’. Duhet të ketë një ndryshim thelbësor midis qirasë dhe një kredie me interes. Kjo do të jetë e mundur vetëm duke ndjekur të gjitha rregullat islame të qirasë, disa prej të cilave janë përmendur në pjesën e parë të këtij kapitulli.

Për të qenë më specifikë, disa dallime themelore midis qirasë financiare bashkëkohore dhe qirasë së vërtetë të lejuar nga sheriati janë treguar më poshtë.

Artikulli paraprakIxharah – palët
Artikulli tjetërHyrja në fuqi e kontratës së qirasë