Hapet në Shkup Panairi i 6-të Ndërkombëtarë i Turizmit

Ambasadori Şölendil theksoi se beson që ky panair të jetë mundësi e mirë për njohje me Turqinë dhe për zhvillimin e marrëdhënieve kulturore dhe turistike midis dy shteteve mike, Turqisë dhe Maqedonisë.

Është hapur Panairi i gjashtë Ndërkombëtarë i Turizmit në kryeqytetin e Maqedonisë, Shkup, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e stendës të Turqisë në panairin që organizohet në hapësirat e Panairit të Shkupit morën pjesë ambasadori i Turqisë në Shkup, Ömür Şölendil, këshilltari për Kulturë dhe Publicitet pranë Ambasadës së Turqisë, Hakan Ozçelik, këshilltari në Ministrinë e Kulturës të Maqedonisë, Behixhudin Shehabi, dhe të ftuar të tjerë.

Në deklaratën për gazetarë pas hapjes së panairit, ambasadori Şölendil u shpreh se ndjehet i kënaqur që merr pjesë në panairin e kulturës dhe turizmit që organizohet çdo vit në Shkup. Ai, duke falënderuar ata që kanë kontribuar për organizmin, theksoi se beson që ky panair të jetë mundësi e mirë për njohje me Turqinë dhe për zhvillimin e marrëdhënieve kulturore dhe turistike midis dy shteteve mike, Turqisë dhe Maqedonisë.

Ndërkohë, këshilltari për Kulturë dhe Publicitet, Ozçelik, bëri të ditur se këtë vit kanë mundësuar që panairi të mbahet në një hapësirë më të madhe, ndërsa si sferë shtesë këtë vit është edhe turizmi shëndetësor.

Ai më tej shtoi se Turqia ka kapacitet të madh sa i përket teknologjisë së avancuar dhe ekspertëve të kualifikuar dhe, duke marrë parasysh çmimet e arsyeshme, u bëri ftesë qytetarëve të Maqedonisë duke u sugjeruar që përveç turizmit për qëllime pushimi të preferojnë edhe turizmin shëndetësor në Turqi.

Eksperti i Agjencisë për Zhvillim Mesdheu Perëndimor (Batı Akdeniz), Sadetin Dikmen, duke vënë në dukje se Antalia është qyteti i pestë më i vizituar në botë, tha se qyteti spikat si në turizmin detar, ashtu edhe në turizmin alternativ, atë të sportit dhe shëndetësor.

Panairi i gjashtë Ndërkombëtar i Turizmit do të jetë i hapur për të interesuarit midis datave 14 dhe 16 prill në hapësirat e Panairit të Shkupit.

– Panairi për Arsim dhe Karrierë-

Në hapësirat e Panairit të Shkupit po realizohet gjithashtu edhe Panairi për Arsim dhe Karrierë. Zëvendësdrejtori i Institutit “Junus Emre” në Shkup, Fuat Korkmaz, dha informacione në lidhje me stendën e hapur në kuadër të Panairit për Arsim dhe Karrierë.

Duke rikujtuar se si institut kanë marrë pjesë edhe vitet e kaluara, Kormaz shtoi se ky panair është një mundësi e mirë që vizitorëve t’iu prezantojnë punimet artistike dhe aktivitetet e bëra në fushën e arsimimit në turqisht, aktivitete këto të realizuara në strukturat e Institutit “Junus Emre” në Shkup.

Përveç tjerash, ndihmësdocenti në Universitetin 18 Mars të Çanakalasë, Sani Demiri, tha se këtë vit kanë ndarë një kontingjent prej 65 vendesh për studentë nga Maqedonia, dhe se ofrojnë shumë mundësi për studentët e interesuar.

Panairi për Arsim dhe Karrierë do të jetë i hapur midis datave 12 dhe 16 prill për të gjithë ata që duan të informohen më hollësisht në lidhje me arsimin.

Artikulli paraprakKoorporatat amerikane kanë 1.4 trilion dollarë në parajsat fiskale
Artikulli tjetërFMN: Niveli i borxhit të vendeve të pasura gati sa ai i pasluftës