Gjermania dominuese në ekonominë evropiane

Teksa kriza ka goditur prej kohësh vendet në vështirësi në zonën Euro, si edhe ka frenuar ritmin e rimarrjes ekonomike të anëtarëve të rinj të Evropës Lindore, Gjermania vazhdon të konfirmohet gjithnjë e më shumë si fuqia ekonomike dominuese në Evropë.

Për vitin 2016, Prodhimi i Brendshëm Bruto i Bashkimit Evropian, ka arritur shifrën prej 14.800 miliardë euro, (me çmimet aktuale) nga ku më shumë se, gjysma është gjeneruar në tre shtete anëtare: Gjermania, Britania e Madhe dhe Franca. Statistikat e publikuara këtë të hënë nga Eurostat, shfaqin një Gjermani dominuese për nga ana ekonomike, me një PBB (3.100 miliardë euro) që mbulon thuajse 1/5 ( 21,1%) në BE.

E ndjekur nga Britania e Madhe (16.0%), Franca (15%), Italia (11.3%), Spanja (7.5%) dhe Holanda (4.7%). Në anën tjetër të peshores, radhiten 11 shtete të tjera anëtare, që kanë një PBB më pak se 1% të BE-së në total, Malta, Qipro, Estonia, Letonia, Lituania, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Luksemburgu, Sllovakia dhe Hungaria

Zona Euro përbën qendrën e gravitetit ekonomik të Unionit, duke peshuar afërsisht sa 3/4 (72,5%) të PBB së komunitetit dhe që normalisht duhej të ishte lokomotiva e tij, duke marrë parasysh rritjen e ngadaltë të pjesës tjetër. Ndërkohë, 13 shtetet e anëtarësuara gjatë zgjerimeve të fundit (2004, 2007, 2013) të pozicionuara kryesisht në lindje të Unionit (me përjashtim të Qipros dhe Maltës) të gjitha së bashku nuk përfaqësojnë veçse 7% të PBB evropian. Dhe ndër këta shtete, vetëm Polonia mbart një farë peshe me 2.9% të PBB evropian, pak më shumë se Belgjika (2,8%) që vlen të theksohet se, ka një popullatë katër herë më të vogël se Polonia.

Por, tashmë është një fakt se shtetet e vjetra të Bashkimit Evropian janë më të pasura ekonomikisht se shtetet e reja të anëtarësuar në të. Një “skanim” në një moment të caktuar, nuk thotë asgjë mbi ekzistencën e një procesi dhe të një force angazhuese të vendeve dhe të rajoneve më të vonuara në zhvillim, që përpiqen të kapin ritmin e të tjerëve. Dhe është pikërisht kjo konvergjencë, që është shndërruar tashmë në një prej premtimeve të Evropës për qytetarët e saj. E cila duhet normalisht të përkthehet nëpërmjet një rritje më të gjallë pikërisht në vendet dhe në rajonet më të varfra dhe paralelisht duke u shoqëruar me një rritje progresive të pjesës së tyre në PBB evropian.

Por, a është ky rasti në fjalë ?

Ajo që po vëzhgohet është një konfirmim i vazhdueshëm i Gjermanisë si fuqia dominuese ekonomike e Unionit. Kjo, sidomos në një moment të rëndësishëm kur ekonomia e saj e dytë Britania e Madhe ka hyrë në fazën e lënies së Unionit. Pjesa e saj në PBB të Bashkimit Evropian, që shfaqej më e ngurtësuar në vitet që paraprinin krizën financiare, është rritur në mënyrë të qartë, duke kaluar nga 19,6% në 21,1%. E njëjta situatë, por me një dallim lehtazi më pak, vërehet për Britaninë e Madhe.

Ndërkohë ndikimi i krizës së euros, (e njohur si kriza e borxheve sovrane) është i padiskutueshëm. Italia, Spanja, Portugalia dhe Greqia kanë njohur rënie. Nëse rënia është shënuar kryesisht në këtë të fundit, (ku GDP reale ka rënë me një të katërtën) është larg të qenit e papërfillshme në Spanjë, Portugali dhe në Itali. Por, Irlanda duket se i ka shpëtuar “mallkimit”. Gjatë vitit 2014 dhe 2015, statistikat shënuan një rritje të PBB irlandez respektivisht me 8.5% dhe 26,3%,

Për sa i përket vendeve të reja anëtare, pjesa e tyre në PBB evropian ka njohur një rritje shumë të ngadaltë duke kaluar nga 6,9% në vitin 2008, në 7% në vitin 2011, një tregues ky që rimarrja ekonomike e këtyre vendeve, që ishte një realitet para krizës financiare, është frenuar në mënyrë të ndjeshme.

Raporti i fundit i pavarur vjetor, mbi rritjen, i publikuar në fund të vitit 2016 dhe i realizuar në bashkëpunim nga tre institutet e parashikimit (OFCE në Francë, IMK në Gjermani dhe ECLM në Danimarkë) insistonte mbi “ngadalësimin” e konvergjencës në gjirin e Bashkimit Evropian, që prej vitit 2008.

Pa dyshim, në shumicën e rajoneve të këtyre vendeve të gjendura kryesisht në lindje të Unionit, PBB për banor është rritur që prej vitit 2008, por (nëse përjashtojmë Poloninë) ndjeshëm më dobët se në Gjermani, sipas një studimi të Eurostatit mbi PBB rajonale.

Ndërkohë Banka Qendrore Evropiane, në raportin e botuar në fillim të kësaj jave do të vlerësonte gjithashtu se rimarrja e rritjes ekonomike, e vëzhguar në 2016 në zonën euro, duhet të vijojë edhe këtë vit, pavarësisht pasigurive politike:“Pasiguria politike me shumë gjasa do të vazhdojë edhe në 2017. Por, ne kemi besim në vijimësinë e rimarrjes ekonomike, të stimuluar nga politika jonë monetare”, do të vlerësonte Mario Draghi, presidenti i BQE, në parashtrimin e dokumentit. Viti 2016, sipas tij, “filloi i mbështjellë nga pasiguria ekonomike”,por “mbaroi duke e lënë konjukturën mbi bazat e saj më solide, që prej krizës.”

Shkallë pabarazie

Ajo që vlen të theksohet lidhet me rëndësinë ekstreme të shpërndarjes së pasurisë mes vendeve evropiane, pra e hendekut që ekziston mes tyre. Kështu, në 2015 sipas të dhënave të fundit të disponueshme, PBB për banor (standardi i fuqisë blerëse, çka lejon të mbahen parasysh diferencat në nivelin e çmimeve) kategorizohej mes 47% të mesatares evropiane në Bullgari dhe 124% në Gjermani.

Siç, edhe do të shpjegonte një prej ekonomistëve të Institutit kërkimor ekonomik në Paris, G. Alegre, niveli i pabarazive globale në Bashkimin Evropian është ekuivalent me atë që predominon në SHBA. “Nëse shikojmë gotën gjysmë bosh, mund të nënvizojmë se pabarazitë evropiane, janë të të njëjtit nivel, me pabarazitë, që ekzistojnë në vendet e tjera të zhvilluara, në botë. Nëse, shikojmë gotën gjysmë plot, do të vërejmë se, BE nuk përbën një komb me transferta sociale dhe fiskale, që është zgjeruar së fundmi ndaj vendeve më të varfra dhe që pavarësisht gjithë pabarazive, nuk janë superiore në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.” Por, në fund të fundit këtu shtrihet edhe premtimi evropian në këtë fushë, që t’ia dalë më mirë se, sa Amerika./Kumti.com

Artikulli paraprakFitorja e Erdoganit ngrit lirën dhe aksionet
Artikulli tjetërRrjedhje e gazit dhe naftës në Alaska