Gjërat e liga dhe të papastra janë fusha tjera të ndaluara të biznesit.
“Domosdoshmëria nuk njeh ligj”, është rregull i cili nuk guxon të keqkuptohet a keqpërdoret në dritën e asaj që është e papastër. Të poseduarit e një jete luksoze, të rehatshme dhe komode nuk është domosdoshmëri.
Domosdoshmëri është gjëja të cilën nëse e shpërfillim, do të goditemi me vështirësi dhe ankth. Disa nga gjërat e këqija, të cilat jemi të obliguar t’iu shmangemi janë: mishi i ngordhur, gjaku, mishi i derrit, idhujt dhe gjërat tjera të cilat fukahatë (juristët islam) i kanë sqaruar në detaje.
Shmangia nga të gjitha gjërat e papastërta dhe të këqija është një nga obligimet tona ndaj Allahut të Lartësuar, e cila është e shpeshtë në Kur’anin Famëlartë. Allahu i Lartësuar thotë:
“Thuaj: “Nuk është e njëjtë e keqja dhe e mira, po edhe nëse të mahnit ty shumimi i së keqes, pra kini frikë Allahun (e mos pranoni të keqen) o ju të zotët e mendjes, ashtu që të shpëtoni.” (El- Maide: 100)
“Ai ua lejon atë që është e mirë (dhe e pastër) dhe ua ndalon atë që është e keqe (dhe e papastër).” (El-A’raf: 157)
Ndërsa i Dërguari [sal-lallahu alejhi ve sel- lem] ka thënë:
“Allahu është i mirë dhe nuk pranon vetëm se të mirën. ‘,
Në një hadith tjetër, ai [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] paralajmëron se pasuria e fituar nga ushqimi dhe pija e ndaluar është gjithashtu e ndaluar. Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel- lem], për më tepër, përmendi rregullin legal që: Ajo që është e ndaluar nga Allahu i Lartësuar, edhe fitimi prej saj bëhet i ndaluar.
Ikja nga rrethi vicioz i papastërtive, siguron mbrojtjen e njerëzve (veçanërisht të rinjve) nga rreziqet që manifestohen në dëmtimin e vetvetes, fesë, mendjes, nderit dhe pasurisë. Njerëzit duhet të besojnë se Allahu Fuqiplotë do t’i shumëfishojë fitimet e tyre, në qoftë se ajo është e mirë dhe e rregullt. Prandaj, ata nuk duhet t’i frikësohen skamjes, sepse Allahu i Lartësuar do t’i pasurojë me Bujarinë e Tij.