Zëvendëskryeministri turk për Ekonominë, Mehmet Simsek, njoftoi të enjten se qeveria ka përgatitur infrastrukturën e sistemit të sigurimeve pa interes (sipas legjislacionit islam)…
Zëvendëskryeministri turk për Ekonominë, Mehmet Simsek, njoftoi të enjten se qeveria ka përgatitur infrastrukturën e sistemit të sigurimeve pa interes (sipas legjislacionit islam).
“Po i adresojmë Kryeministrisë rregullimet në lidhje me këtë. Sistemi i ri do të jetësohet në një ardhme shumë të afërt”, deklaroi ai.
Mehmet Simsek theksoi se sistemi i sigurimeve me pjesëmarrje, i cili bazohet në parimet e solidarizimit dhe ndarjes së përbashkët të rrezikut e që gjithashtu njihet gjerësisht si “takaful” në botë, ofron një model alternativ për qytetarët, që distancohen ose u qasen me rezerva produkteve tradicionale të sigurimeve për shkak të ndjeshmërisë kundrejt principeve të interesit dhe pjesëmarrjes.
Ai bëri me dije se qeveria ka përfunduar përgatitjen e legjislacionit për sigurimet me pjesëmarrje, ka ndërtuar infrastrukturën e sistemit dhe është duke i adresuar Kryeministrisë rregullimet në lidhje me këtë çështje.
Pasi vuri në pah se gjatë punës së tyre për të përgatitur legjislacionin e nevojshëm kanë përfituar nga parimet e sigurimeve me pjesëmarrje gjerësisht të pranuara në botë, opinionet e palëve të interesuara dhe nga institucionet ndërkombëtare, të cilat publikojnë standarde në fushën e financave pa interes, zv/kryeministri turk për Ekonominë sistemi i ri do të jetësohet në një ardhme shumë të afërt.
Deri më sot – vijoi Simsek – nuk ka pasur rregullime të veçanta për sigurimet me pjesëmarrje dhe agjencitë operuese në këtë fushë, prandaj edhe ka rëndësi të madhe duke qenë se është në përputhje me principet e pjesëmarrjes dhe i pari në fushën e sigurimeve pa interes.
“Përveçse do t’u shërbejë qytetarëve të ndjeshëm kundrejt interesit, sistemi në fjalë do të tërheqë në vend edhe kapitalin e Gjirit duke rritur hyrjen e investimeve të huaja direkte”, shtoi zv/kryeministri.
Në vendin tonë – shpjegoi ai – është marrë për bazë modeli i Britanisë së Madhe dhe ky është një shans mjaft i mirë gjithashtu për Turqinë.
Simsek rikujtoi se në Turqi ka edhe aktualisht kompani e agjenci me aktivitet në fushën e produkteve të sigurimeve me pjesëmarrje, disa prej të cilave u ofrojnë klientëve të tyre edhe produkte të sigurimeve me pjesëmarrje pa themeluar një firmë të veçantë, praktikë kjo që përkufizohet si “modeli i dritares”.