Gati 70% e njerëzve punojnë edhe kur janë me pushime

Nëse jeni ashtu si 68% e njerëzve, ju punoni edhe kur jeni me pushime dhe e keni të vështirë të shkëputeni nga puna, sepse ndiheni të mbingarkuar dhe nën presion për të punuar vazhdimisht.

Por, puna gjatë gjithë kohës, pa pasur mundësinë për t’u shkëputur për pak, për t’u larguar ose për të bërë një pushim, mund të zvogëlojë lumturinë, mirëqenien dhe madje edhe efektivitetin tuaj në punë.

Kështu, në mënyrë ironike, shkëputja nga puna ju bën më të mirë, si me familjen dhe me miqtë tuaj, ashtu edhe në punën që bëni.

Presioni për të qenë gjithmonë në punë

Sipas një studimi global nga Skynova, mesatarisht, amerikanët marrin 14 ditë pushimi në vit, ndërsa europianët marrin 24 ditë pushimi në vit. Përveç kësaj, 91% e amerikanëve raportojnë se ngarkesa e tyre në punë i pengon për të marrë kohën e nevojshme për të pushuar.

Ngarkesa në vendin e punës pengon gjithashtu edhe punonjësit në Europë për të marrë pushimet e tyre, konkretisht: 88% të punonjësve gjermanë, 87% të punonjësve në Spanjë dhe 81% të punonjësve në Francë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Nevoja për t’u shkëputur nga puna

Lidhja e vazhdueshme me punën edhe gjatë pushimeve nuk po u bën ndonjë të mirë njerëzve. Në fakt, mosshkëputja mund të shkaktojë probleme për mirëqenien dhe efektivitetin në punë. Nga ana tjetër, kur jeni në gjendje të shkëputeni nga puna, ju përmirësoni shëndetin tuaj mendor dhe emocional, duke reduktuar stresin.

Ju keni mundësi të përmirësoni marrëdhëniet personale duke investuar kohë me familjen dhe me miqtë, dhe madje mund të ndikoni edhe në shëndetin tuaj fizik përmes reduktimit të kimikateve neurologjike të cilat mund të ndikojnë negativisht në mirëqenien fizike të njeriut.

Është e rëndësishme të theksohet se shkëputja ju bën më efektiv në punën tuaj. Për shumë njerëz, qëndrimi pa u shkëputur në asnjë moment nga puna është një mënyrë për të provuar përkushtimin dhe angazhimin e tyre, si dhe për të demonstruar një performancë sa më të mirë.

Por, nëse merrni pak kohë për të pushuar, kjo do t’ju bëjë më të mirë në punën tuaj duke zvogëluar presionin dhe duke ju dhënë mundësinë që të mendoni më mirë. Gjithashtu, shkëputja zgjeron perspektivat tuaja, duke ju ndihmuar të jeni më kreativë dhe të bëheni më të mirë në zgjidhjen e problemeve.

Largimi mund t’ju bëjë gjithashtu një koleg ose një lider më pozitiv, një person me të cilin njerëzit duan të jenë pranë dhe ta mbështesin, sepse pushimi do të zvogëlojë intensitetin tuaj.

Sipas studimit të Skynova, ndjenja e mbështetjes në punë, kur bëhet fjalë për kohën e lirë dhe mirëqenien, janë kritike si për kënaqësinë e punonjësve, ashtu edhe për produktivitetin e tyre.

Kur punonjësit ndihen se kanë mbështetje nga të tjerët në punën e tyre, 92% thonë se janë të kënaqur, krahasuar me vetëm 59% që thonë të njëjtën gjë kur nuk marrin mbështetje. Edhe produktiviteti ndikohet gjithashtu nga ky faktor.

Kur punonjësit bëjnë pushime të mjaftueshme, 58% thonë se janë produktivë, por, pa pushimin e nevojshëm, vetëm 26% e tyre thonë se po punojnë me produktivitet të plotë.

Konkluzioni

Mund të jetë e vështirë që të shkëputeni nga puna. Ju mund të dëshironi që të punoni në mënyrë efektive dhe ndiheni të zhytur në punën tuaj.

Por, do të jeni edhe më të mirë në punën tuaj nëse merrni pak frymë, nëse krijoni pak hapësirë për veten ​​dhe gjeni një perspektivë të re.

Mendoni për mënyrën se si do të sillni këndvështrime të reja ndaj sfidave me të cilat përballeni në punë. Përqafoni faktin që do të jeni një koleg më i relaksuar dhe i lumtur kur të ktheheni të rinovuar nga pushimet ku nuk ju është dashur të vazhdoni të punoni herë pas here./Forbes/

Artikulli paraprakSa kushton çmimi i espressos nëpër qytetet europiane? Travelbook tregon edhe për Prishtinën
Artikulli tjetërBanka Qendrore e Kosovës paralajmëron rritje të interesit për kreditë