GAP: Korrupsioni në Kosovë në forma të ndryshme

Në kuadër të “Java kundër korrupsionit” #bashkeendreqim, Instituti GAP organizoi tryezën me temën “Luftimi i korrupsionit përmes transparencës buxhetore dhe rishikimit të raporteve të auditorit të përgjithshëm”.

Me këtë rast, Nora Latifi Jashari, Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit GAP, tha se korrupsioni merr forma të ndryshme në Kosovë dhe njëra ndër to është edhe korrupsioni në të hyrat dhe shpenzimet buxhetore.

Sipas njoftimit për media, ajo foli për platformën buxhetore që Instituti GAP e ka ndërtuar që nga viti 2013, “Si i shpenzon shteti paret tona?”, dhe theksoi rëndësinë e publikimit më në detaje të shpenzimeve buxhetore nga institucionet publike se sa ato që shpenzohen në raportet e rregullta të organizatave buxhetore.

Latifi përmendi se transparenca dhe raportimi i keqpërdorimit të buxhetit nuk janë të mjaftueshme, nëse nuk intervenojnë institucionet kompetente që keqpërdorimet e identifikuara të adresohen konform ligjit.

Mike De La Rosa, ushtrues detyre i drejtorit të USAID-it në Kosovë, tha se korrupsioni në Kosovë pengon investimet e huaja dhe mundësinë e Kosovës për të arritur potencialin e saj për zhvillim ekonomik, meqenëse siç e citoi Biden ai është kancer për çdo shoqëri.

De la Rosa shtoi se të gjithë taksapaguesit kanë të drejtë të dinë se ku dhe si shpenzohen paratë e tyre. Vetë fakti që organizohen tryeza diskutimi për këto çështje është hap i drejtë në arritjen e luftimit të korrupsionit.

Agim Krasniqi, zëvendës ministër i financave theksoi se qeveria, përkatësisht ministria e financave i ka vënë synim vetes të rrisë transparencën në raportet e dala nga ky institucion duke bërë ndryshimin e përshkrimit të të dhënave në mënyrë që leximi i tyre të jetë më i lehtë, duke marrë vendimin për implementimin e e-prokurimit i cili që nga janari 2017 do të jetë i obligueshëm për të gjitha organizatat buxhetore në nivelin lokal dhe qendror si dhe ndryshimin e sistemit kontabël nga sistemi kesh në atë aktual.

“Java kundër korrupsionit” është aktivitet i përbashkët nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Çohu, Demokraci Plus (D+), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP dhe Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në mbështetje të Ambasadës Amerikane në Kosovë

Artikulli paraprakOEK kërkon pezullimin e vendimit për terminal të ri
Artikulli tjetërOda Ekonomike e Kosoves organizon trajnimin e radhes “Procedurat e menaxhimit financiar dhe kontrolli