Feja dhe Shteti në kushtetutat e vendeve evropiane

Autor: Amir B. Ahmeti

Ky punim është shkruar nga autori në fund të vitit 2013, si pjesë e një libri me disa bashkautorë të tjerë nga trevat shqiptare. Tani në gjuhën shqipe ky punim po botohet për herë të parë….

Raporti ndërmjet fesë dhe shtetit në vendet evropiane fillon prej fundit shekullit IV të erës sonë, pa u ndalur në periudhën e besimeve të popujve në evropën antike. Në shek. e IV-të, respektivisht në vitin 380 të erës sonë, Perandoria Romake pranon zyrtarisht krishterimin si fe të vetën. Kështu feja krishtere fillon të përhapet në tërë evropen, e cila për gati një milenium e përfshiu tërë kontinentin evropian, atëherë kur krishterimi përfshiu edhe vendet skandinave. Kjo kohë shquhet edhe si periudha e fuqisë më të madhe politike që ka pasur ndonjëherë kisha katolike në Evropë. Nga kjo dhe nënkuptohet ndikimi i madh i kishës në zhvillimet politike dhe jetën publike në vendet evropiane.

Por sot në shek. XXI, është krejtësisht një Evropë më ndryshe. Jo se feja është pa ndikim në jetën politike dhe publike në vendet evropiane, por ajo është e organizuar në një dimension tjetër nga ajo e mesjetës. Raportet ndërmjet fesë dhe shtetit janë ndërtuar në bazën e respektit të ndërsjellë dhe kjo shihet dhe kuptohet më së miri nga provizionet kushtetuese të secilit vend evropian veç e veç. Në vendet e BE-së, religjioni gëzon një respekt të veçantë e sidomos trajtimit të fesë si vlerë e patjetërsueshme e qytetarëve të secilit vend. Por jo në të gjitha vendet evropiane gjejmë të njëjtën qasje. Sikur që në botë ka modele të shumta të ndërtimit të raporteve mes fesë dhe shtetit, ashtu është edhe në Evropë, por jo me një model unikat. Është interesant se gati secili vend evropian ka modelin e vetë të raporteve mes institucioneve publike dhe atyre fetare. Kështu, vendet me traditë më të vjetër shtetndërtuese kanë dallime të mëdha në mënyrën e ndërtimit të raporteve mes fesë dhe shtetit, krahasuar me shtetet më të reja evropiane, e sidomos me ato të dala nga blloku socialist. Në vendet më të vjetra të evropës vetëdija shoqërore në respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në këtë rast edhe të atyre fetare, është më e avancuar në krahasim me vendet më të reja e sidomos me ato të ish bllokut socialist, ku sistemi i kaluar komunist ka lënë pasoja të mëdha në të kuptuarit e drejtë të lirive dhe të drejtave fetare. Këto modele të ndryshme të raporteve te fesë dhe shtetit janë si rezultat i rrethanave shoqërore, politike e ekonomike e sidomos edhe nga rrjedha historike të të gjitha vendeve evropiane, ngase jo të gjitha kishin të njëjtën histori.

Nëse kthehemi pak mbrapa në histori, në periudhën e fuqisë së kishës katolike në evropë, në fillim të mileniumit të dytë, në Francë lind edhe Inkuizicioni, si pjesë e sistemit gjyqësor të kishës katolike. Inkuizicioni lindi për të luftuar sektet në fe, pastaj magjinë, por më vonë edhe shkencën dhe shumë sfera të jetës publike, duke konsideruar si herezi gjithçka që nuk ishte në përputhje me qëndrimet e udhëheqësve shpirtëror, me këtë rast, pjestarëve të sistemit gjyqësor të kishës katolike, inkuizicionit. Kështu, raporti ndërmjet fesë dhe shtetit në vendet evropiane për një periudhë të gjatë ishin të pandashme ose më mirë të themi se jeta politike e publike ishte krejtësisht e ndikuar nga kisha. Por me kalimin e kohës dhe shtimin e zërave kritik të intelektualëve evropian ndaj shumë qëndrimeve dhe vendimeve të inkuizicionit, duke i konsideruar ato si qëndrime personale të udhëheqësve të inkuizicionit dhe jo se kanë bazë në Ungjill, fillon edhe ndryshimi dhe reformimi i këtij dikasteri kishtar deri sa u shëndrua si zyra e Kongregacionit për Doktrinën e Besimit, e cila zyrë disa herë u riemërtua. Inkuizicioni nuk kishte të njëjtën fuqi në të gjitha vendet evropiane dhe si rezultat edhe qasja ndaj fesë në fund të mileniumit të dytë nuk shikohej me të njëjtin sy në vendet ku inkuizicioni nuk kishte pasur veprimtari, krahasuar me vendet e tjera ku ajo kishte vepruar dhe i ngarkoheshin shumë krime që kishte bërë ndaj njerëzve të pafajshëm.

Intelektualët evropian e sidomos politikbërësit ishin në kërkim të një qasjeje të re se si do të ndërtoheshin raportet e fesë me shtetin. Ata u frymëzuan nga dijetarët, filozofët e vjetër për qasjen e re të sekularizmit të cilin e shquanin si shtytje drejt modernizimit, e ngjashëm me këtë shprehje gjejmë edhe shprehjen laicitet.

Edhe pse këto dy shprehje mendohet se kanë të njëjtin kuptim, megjithatë ato dallojnë shumë në esencë. Kështu, për të njohur kuptimin e laicitetit e sekularizmit dhe dallimit ndërmjet tyre është shumë e rëndësishme të dimë etimologjinë e këtyre dy fjalëve. Kur u përdorën për herë të parë? Për çfarë arsye? Çka ngërthejnë në vete dhe sidomos të njohësh terminologjinë e tyre nga vetë përdoruesit, sepse kjo e definon edhe kuptimin e sotëm të dy fjalëve apo termeve.

Laiciteti si terminologji, përmendet kah fundi i shekullit XIX-të në Francë si përpjekje për të shmangur ndikimin e kishës mbi institucionet publike dhe në vitin 1905 merr trajtën ekzekutive me ligjin e ndarjes së kishës nga shteti, ligji i laicitetit.

Ndërsa krejt e kundërta, sekularizmi, ka ardhur në shprehje si mënyrë e ndarjes së shtetit nga feja, për të mbrojtur besimtarët nga persekutimi shtetëror, siç ka qenë rasti i protestantëve në fillimin e përhapjes së tij.

Mos të harrojmë se ishte pikërisht Franca vendi ku lindi inkuizicioni dhe nuk është e habitshme se atje edhe u instalua termi laicitet i cili konsideroj se ka dallim nga ai sekular.

Sot Evropa përkrah sekularizmin si metodë të ndarjes së pushteteve, atij fetar dhe atij shtetëror dhe si rezultat i kësaj qasjeje, për të konsideruar një shtet të mirëfillt demokratik, Evropa mendon se duhet që çdo shtet të mbështes parimin e sekularizmit.

Duke u bazuar në të gjitha kushtetutat e vendeve anëtare të BE-së, gjejmë një qasje shumë pozitive se si është e trajtuar feja e qytetarëve të secilit vend dhe si qëndrojnë raportet ndërmjet shtetit dhe fesë së atij vendi apo të komuniteteve tjera fetare. Këto kushtetuta përcaktojnë mënyrën e ndërtimit të raporteve të shtetit me bashkësitë fetare në bazë të respektit të ndërsjellë, të autonomisë së tyre si dhe të pavarësisë së secilit në sferën e vet. Poashtu se kultet fetare duhet të jenë të pavarura nga shteti por njëherit të kenë edhe përkrahje nga ai, duke përfshi edhe asistencën fetare në ushtri, spitale, burgje, etj. Por është interesant se asnjë vend evropian, përveç Francës dhe Kosovës, as ato anëtare të BE-së e as ato të Ballkanit Perëndimor që pritet t’i bashkohen në të ardhmen BE-së, nuk përcaktojnë me kushtetutë se janë shtete laike. Madje asnjëra nga këto vende, përveç Sërbisë, nuk janë të përcaktuara madje as si shtete sekulare. E rezultati del se vetëm dy vende me kushtetutë përcaktohen si shtete laike, Franca dhe Kosova, derisa Serbia përcaktohet si sekulare, e të tjerat as nuk e përmendin fare në kushtetutat e tyre këtë përcaktim. Shumica e vendeve të BE-së kanë mjaftuar me shprehjen se ‘shteti është i ndarë nga kisha ose nga bashkësitë fetare’ ose vetëm duke përcaktuar mënyrën e ndërtimit të raporteve të shtetit me bashkësitë fetare madje edhe pa e përmendur fare se shteti është i ndarë nga bashkësitë fetare.

Praktika të tilla mund ta gjejmë gati në të gjitha kushtetutat e vendeve evropiane, si p.sh. në kushtetutën e Lituanisë, ku religjioni përmendet 19 herë, respektivisht në nenet 25, 26, 27, 40 dhe 43.

“Qenia njerëzore ka të drejtë të ketë bindjen e tij personale dhe ta shprehë atë lirshëm…” (kushtetuta e Lituanisë, neni 25).

Nga neni 25 i kushtetutës Lituaneze fillojnë edhe provizionet kushtetuese lidhur me religjionin, ku fillimisht në këtë nen flitet për bindjen e secilit njeri, derisa neni pasardhës hynë në temën e besimit / religjionit duke precizuar se: “Liria e mendimit, bindjes dhe besimit nuk duhet të kufizohet… Prindërit ose kujdestarët, pa ndonjë kufizim përkujdesën për edukimin fetar dhe moral të fëmijëve të tyre…sipas bindjeve të tyre.” (kushtetuta e Lituanisë, neni 26).

Kështu neni 26 sanksionon të drejtën e besimit të secilit lituanez, derisa në pjesën e fundit të po të njëjtit nen saktëson një të drejt prindërore mbi fëmijët e tyre duke bërë të ditur se fëmijët i takojnë besimit të prindërve të tyre dhe për këtë ata kanë të drejtën e edukimit të fëmijëve sipas besimit të tyre. Ndërsa në nenin 40 të kushtetutës flitet për sistemin sekular të arsimit në Lituani, por që kjo nuk nënkupton se nuk mund të mësohet feja në shkollat publike, përkundrazi me këtë nen edhe legjitimohet lënda e edukatës fetare në shkollat publike, e pastaj varësisht prej vullnetit të prindërve, nxënësit prezantojnë në lëndën e edukatës fetare: “Establishmenti shtetëror dhe komunal i arsimit dhe edukimit duhet të jetë sekular. Me kërkesë të prindërve, ato (shkollat) duhet të ofrojnë edhe lëndën fetare…” (kushtetuta e Lituanisë, neni 40). Këto nene duke specifikuar liritë dhe të drejtat e njeriut, ku për shkak të religjionit nuk mund të diskriminohet askush, kalojnë në nenet që rregullojnë ndërtmin e raporteve ndërmjet shtetit dhe kishës e të bashkësive / organizatave tjera fetare e deri në përmbylljen e provizioneve kushtetuese rreth religjionit ku fjalia e fundit e nenit 43 ndalon që shteti Lituanez të ketë religjion të vetin shtetëror. “…Në Lituani nuk duhet të ketë fe të shtetit” (kushtetuta e Lituanisë, neni 43).

Provizione të tilla kushtetuese gjejmë edhe në vendet e tjera të Evropë, e sidomos të vendeve më të reja të Bashkimit Evropian. Këtu po sjellë për ilustrim disa shembuj të ngajshëm edhe nga disa kushtetuta të këtyre vendeve të reja të BE-së, sikur që ishte ai i Lituanisë, e për të vazhduar pastaj me shembuj nga disa kushtetuta të disa vendeve tjera të BE-së, të cilat janë më të vjetra, për të vlerësuar dhe krahasuar dallimet në qasjen e tyre karshi religjionit (në raport me religjionin).

Sa i përket kufizimit të shtetit që të mos ketë fe shtetërore, ose siç e hasim shpesh, kishë shtetërore, ngjashëm me kushtetutën e Lituanisë shkruan edhe në kushtetutën e Estonisë, ku neni 40 i kushtetutës sanksionon lirinë e besimit, përkatësinë fetare dhe lirinë për të ushtruar fenë, vetëm ose në publik, por njeherit në po të njëjtin nen edhe përcaktohet se Estonia nuk ka fe shtetërore, ose siç është në vetë kushtetutë, kishë shtetërore: “Gjithkush ka lirinë e ndërgjegjes, religjionit dhe mendimit. Gjithkush mund lirisht t’i përkasin kishave dhe shoqatave fetare. Nuk ka kishë shtetërore. Gjithkush ka lirinë për të ushtruar fenë e tij apo të saj, të dy, vetëm dhe në bashkësi me të tjerët, në publik ose në jetën private, përveç nëse kjo është e dëmshme për shëndetin publik, rendin ose moralin publik.” (kushtetuta e Estonisë, Neni 40).

Ndërsa vendet si Latvia, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, etj. nuk përkufizojnë vendet e veta se nuk kanë fe shtetërore si shembujt e lartëpërmendur, por me një provizion kushtetues më ndryshe, janë përcaktuar se shteti dhe bashkësitë fetare janë të ndara:

“Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë. Kisha duhet të jetë e ndarë nga shteti.” (kushtetuta e Latvisë, neni 99).

“Liria e ndërgjegjes dhe e fesë dhe profesionit të lirë publik të fesë dhe të bindjeve të tjera, do të jetë e garantuar. Të gjitha bashkësitë fetare duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe duhet të jenë të ndarë nga shteti…” (kushtetuta e Kroacisë, neni 40 dhe 41).

“Shteti dhe komunitetet fetare janë të ndara. Bashkësitë fetare gëzojnë të drejta të barabarta, ata do të ndjekin aktivitetet e tyre lirisht.” (kushtetuta e Sllovenisë, neni 7).

“Praktikimi i çdo feje do të jetë i pakufizuar. Institucionet fetare duhet të jenë të ndarë nga shteti. Krishtërimi Lindor Orthodoks konsiderohet si fe tradicionale në Republikën e Bullgarisë.” (kushtetuta e Bullgarisë, neni 13).

Nga këta shembuj të këtyre vendeve të reja të BE-së, gjejmë një provizion të ngjashëm sa i përket ndarjes së shtetit dhe bashkësive fetare. Ndërsa është interesant se kushtetuta e Republikës së Bullgarisë edhe përkundër faktit se me paragrafin e dytë të nenit 13 përcaktohet se shteti dhe religjioni janë të ndara, megjithatë me paragrafin e tretë të po të njëjtit nen, ajo përcakton se si fe tradicionale e Bullagrisë është feja ortodokse, pra në njëfar mënyre e favorizon besimin e krishter ortodoks në raport me besimet tjera.

Ngjashëm për një preferencë të tillë por për besimin e krishter katolik e gjejmë në kushtetutën e Polonisë, edhe pse kushtetuta polake sanksionon liritë dhe të drejtat fetare me disa nene kushtetuese në mënyrë mjaftë të gjerë ku nenet 25, 35, 53 dhe 85 të kushtetutës polake flasin mbi liritë dhe të drejtat e besimtarëve katolikë të vendit si dhe të bashkësive tjera fetare:

“Kishat dhe organizatat e tjera fetare duhet të kenë të drejta të barabarta. Marrëdhëniet midis Republikës së Polonisë dhe Kishës Romake Katolike do të përcaktohen nga traktati ndërkombëtar i arritur me Selinë e Shenjtë, dhe me statutin. Marrëdhëniet midis Republikës së Polonisë dhe të kishave të tjera e organizatave fetare do të përcaktohen nga statutet e miratuara në pajtim me marrëveshjet e lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre të caktuar dhe Këshillit të Ministrave.” (kushtetuta e Polonisë, neni 25, paragrafet 1, 4 dhe 5).

Ky nen precizon ndërtimin e raporteve ndërmjet fesë dhe shtetit. Paragrafi i parë i nenit 25 sanksionon barazinë mes kishave e organizatave fetare por në vetë përmbajtjen e tekstit, juridikisht, shihet qartë preferenca e njërit besim mbi tjerat, ashtu siq i kishim edhe shembujt e disa kushtetutave tjera, ku fillimisht përmendet kisha pastaj organizatat / shoqatat ose komunitetet tjera fetare. Por paragrafet 4 dhe 5 të të njëjtit nen, e bëjnë edhe më të qartë këtë konstatim timin, sepse nga këto dy paragrafe përcaktohet mënyra e ndërtimit të raporteve ndërmjet Shtetit dhe besimit katolik, të cilat rregullohen ndarasa nga kishat tjera ose komunitetet tjera fetare. Kjo edhe mund të jetë normale për shkak të traditës së besimit të qytetarëve të secilit vend, ku shumica e popullatës së një besimi kanë një status të veçantë krahasuar me besimet e tjera që janë pakicë, por me kusht që nuk do të diskriminohen ato pakica fetare. Pikërisht të gjitha kushtetutat e vendeve evropiane liritë dhe të drejtat fetare të të gjitha besimeve i kanë sanksionuar me provizione kushtetuese. Duke iu garantuar të drejtën e besimit e manifestimit lirshëm të besimit, si dhe mësimin e besimit të vet, për secilin konfesion fetar në shkollat publike. Të njëjtën gjë e gjejmë edhe në kushtetutën polake e cila këto liri dhe të drejta i ka garantuar me nenet 35 dhe 53, duke iu mundësuar të gjitha besimeve për të organizuar jetën e tyre fetare lirshëm si dhe duke iu garantuar të gjithë nxënësve të të gjitha besimeve të njohura nga shteti që të mesojnë fenë e tyre edhe në shkolla, respektivisht, kurikula e lëndës së edukatës fetare aplikohet në shkollat publike për pjestarët e të gjitha besimeve: “Feja e një kishe apo organizate fetare e njohur ligjërisht mund të mësohet në shkolla, por në mënyrë që liria fetare dhe e ndërgjegjes e të tjerëve nuk do të cenohen”. (kushtetuta e Polonisë, neni 53, paragrafi 4).

Ngjashëm me këto vende janë edhe Kushtetuta e Sllovakisë, ku nenet 1, 24 dhe 25 precizojnë raportet ndërmjet fesë dhe shtetit si dhe për lirinë e manifestimit të besimit lirshëm pa asnjë pengesë. Poashtu edhe kushtetuta e Hungarisë e cila kryesisht këto liri dhe të drejta fetare i ka përmbledhur në nenin 60 të kushtetutës.

Derisa kemi këtë model të çasjes institucionale të raporteve mes shtetit dhe religjionit në këto shtete të reja të BE-së, kryesisht të dala nga blloku socialist, situata qëndron krejt ndryshe në vendet më të vjetra të BE-së, të cilat nuk i kanë takuar bllokut socialist. Atje sekularizmi kuptohet më ndryshe nga shtetet e reja të BE-së për të cilat bëmë fjalë deri tani. Në këto vende feja e njohur e vendit është edhe pjesë përbërëse e shtetit, si në rastin e Britanisë së Madhe, Suedisë, Danimarkës, Norvegjisë (edhe pse jo anëtare e BE-së, Norvergjinë e kam marrë shembull si vend evropian e pastaj edhe si vend skandinav bashkë me Danimarkën dhe Suedinë por edhe si vend mjaftë i zhvilluar evropian, me GDP-në më të lartë në Evropë dhe njëherit e ranguar në ranglistën e vendeve më të të qeta dhe më të mira për të jetuar, e ku feja është pjesë përbërëse e shtetit dhe ky fakt nuk e ka penguar Norvegjinë për të arritur këto rezultate), etj.

Shembujt e këtyre vendeve që kanë kishë shtetërore e sjellim për të argumentuar se besimi zyrtar i një vendi apo besimi i udhëheqësit të atij vendi, duke anashkaluar atë ndarjen mes shtetit dhe religjionit që e përmendëm më lartë për të vlerësuar një vend të mirëfillt demokratik, nuk është teori e saktë, dhe se besimi nuk pengon në asnjë rrethanë zhvillimin e demokracisë së një vendi. Për më tepër, vetë argumentet në vazhdim do të vërtetojnë këtë.  Por kjo nuk do të thotë se, kur një shtet ka një besim të caktuar shtetëror, diskriminohen besimet e tjera. Edhe liritë dhe të drejtat e besimeve tjera duhet të jenë të garantuara me kushtetutë, por megjithatë dominon roli i besimit të shumicës së vendit në secilin nga këto vende.

P.sh. në Britani të Madhe / Mbretëria e Bashkuar, Mbretëresha bashkon pushtetin politik dhe atë fetar njëherësh duke qenë edhe mbretëreshë e vendit edhe shefe supreme e kishës angleze, e poashtu çdo mbret apo mbretëreshë detyrimisht duhet të jenë besimtar të kishës Anglikane. Sipas Aktit të Rregullimit, i vitit 1701 (Act of Settlement 1701), nëse trashëgimtari i fronit konvertohet në katolik, ose martohet me një katolike, atëherë ai largohet nga lista e trashëgimtarëve të fronit. Edhe sot në Mbretërinë e Bashkuar kemi raste që respektohet në përpikëri ky Akt. Kur princi Majkëll i Kentit (Michael of Kent) u martua me një katolike, ai përnjëherë u përjashtua nga linja e trashëgimit në fron.

Shembull tjetër në Mbretërinë e Bashkuar kemi poashtu faktin se peshkopët e kishës Angleze, kanë ulëse të rezervuara në Dhomën e Lordëve të cilat vende iu takojnë pa qenë të votuar. Sot Dhoma e Lordëve numëron 5 kryepeshkop dhe 21 peshkop të kishës së Anglisë, të cilat vende i kanë të rezervuara dhe quhen lordët spiritual.

Ndërsa ky provizion kushtetues sqaron rolin e mbretëreshës në raportin mes shtetit dhe religjionit: “Mbretëresha është kreu i shtetit dhe një simbol i rëndësishëm i unitetit kombëtar. Ajo është: – Shefe e ekzekutivit; – pjesë integrale e legjislaturës; – shefe e gjyqësorit; – komandant i të gjitha Forcave të Armatosura të Kurorës; dhe – ‘shefe supreme’ e Kishës së Anglisë.” (“kushtetuta”  e Mbretërisë së Bashkuar, kapitulli 2, pjesa 1, neni 31, paragrafi 2).

Ndërsa për lirinë e besimit dhe të drejtat e besimtarëve edhe ato janë të sanksionuara me aktet më të larta të sistemit juridik të Mbretërisë së Bashkuar: “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe religjionit; kjo e drejtë përfshinë lirinë e ndryshimit të besimit ose bindjeve dhe lirinë që njeriu, qoftë vetë ose në bashkësi me të tjerët dhe në publik ose në privatësi, për të manifestuar fenë apo besimin e tij në mësimdhënie, praktikim, adhurim dhe rite”. (“kushtetuta” e Mbretërisë së Bashkuar, kapitulli 1, pjesa 2, neni 18).

Situatë të ngjashme poashtu kemi edhe në Suedi, ku me aktin e suksesionit mbreti duhet t’i takoj besimit evangjelik (të krishterimit). “Në përputhje me provizionin e shprehur në nenin 2 të Instrumentit të Qeverisë së 1809, që Mbreti duhet gjithmonë t’i takoj besimit të pastër evangjelik, sikur është miratuar si dhe shpjeguar në Rrëfimin e pandryshuar të Augsburgut dhe në Rezolutën e Mbledhjes së Uppsalas të vitit 1593, princat dhe princeshat e Shtëpisë Mbretërore do të jenë në atë besim të njëjtë dhe brenda mbretërisë. Çdo anëtar i familjes mbretërore që nuk deklarohet i këtij besimi, do të përjashtohet nga të gjitha të drejtat e trashëgimisë.” (Akti i Suksesionit të Suedisë, neni 4).

Ndërsa në Kapitullin e lirive dhe të drejtave fundamentale të kushtetutës së Suedisë garantohen të drejtat fetare në përgjithësi: “Të gjithë qytetarëve në marrëdhëniet e tyre me administratën publike iu garantohet si në vijim: 1) E drejta e shprehjes…, 6) liria e adhurimit: lirinë për të praktikuar secili fenë e vet qoftë vetëm ose në shoqëri me të tjerët,..” (kushtetuta e Suedisë, kapitulli 2, neni 1).

Në të njëjtën frymë është e organizuar edhe mbretëria e Danimarkës, ku neni 4 i kushtetutës, i cili fletë për kishën e shtetit, përcakton se Kisha Evangjelike Lutheriane është kisha e shtetit dhe si e tillë, ajo do të mbështetet nga shteti: “Kisha Evangjelike Lutheriane do të jetë e vendosur si Kishë e Danimarkës, dhe, si e tillë, ajo do të mbështetet nga shteti.” (kushtetuta e Danimarkës, pjesa 1, neni 4).

Kurse në pjesën e dytë të kushtetutës ku flitet për mbretin, kompetencat dhe detyrat e tij kushtetuese, respektivisht në nenin 6 specifikohet feja e mbretit, i cili duhet të jetë poashtu anëtar i Kishës Evangjelike Lutheriane, sikur kisha e shtetit danez: “Mbreti do të jetë anëtar i Kishës Evangjelike Lutheriane”. (kushtetuta e Danimarkës, pjesa 2, neni 6).

Derisa në pjesën e shatë të kushtetutës, respektivisht me nenin 67 dhe 70, sanksionohet liria dhe e drejta e besimit të të gjitha besimeve, mos diskriminimit dhe themelimit të bashkësive fetare për të organizuar jetën e tyre fetare: “Qytetarët kanë të drejtë të formojnë bashkësi për adhurimin e Perëndisë në përputhshmëri konsistente me bindjet e tyre, me kusht që asgjë nga mësime dhe veprime që do të bëhen nuk do të jenë në kundërshtim me moralet e mira ose të rendit publik”. (kushtetuta e Danimarkës, pjesa 7, neni 67).

“Asnjë person nuk do të privohet për të gëzuar të drejtat e tij civile dhe politike për arsye të besimit të tij apo prejardhjes,….”. (kushtetuta e Danimarkës, pjesa 7, neni 70).

Kështu po vijmë edhe te shembulli i fundit për këtë pjesë nga kushtetutat e vendeve evropiane, ku kemi situatë të ngjashme me shembujt e lartëshënuar, pra është fjala për Norvegjinë, ku neni 2 i kushtetutës promovon vlerat e krishtera si vlera të mbretërisë: “Themelet e vlerave tona mbetet trashëgimia jonë e krishterë dhe humane. Kjo Kushtetutë është për të siguruar demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtave të njeriut”. (kushtetuta e Norvegjisë, neni 2). Pra edhe pse kushtetuta deklaron se do të sigurojë demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut ajo megjithatë përcakton një fakt të rëndësishëm në ndërtimin e shtetit e që janë vlerat fetare, në këtë rast kushtetuta e mbretërisë së Norvegjisë thirret në vlerat krishtere.

Ndërsa neni 4 i kushtetutës përcakton se mbreti duhet të jetë i besimit Evangjeliko-Lutherian: “Mbreti në të gjitha kohët shfaq / ushtron fenë Evangjelike Lutheriane”. (kushtetuta e Norvegjisë, neni 4).

Kurse neni 16 i kushtetutës sanksionon liritë dhe të drejtat e të gjitha komuniteteve fetare si dhe përcakton që shteti duhet të ndihmojë ato në mënyrë të barabartë. Por në të njëjtën kohë edhe përcakton Kishën Norvegjeze, Kishë Evangjeliko-Luteriane si kishë të shtetit dhe e cila si e tillë përkrahet nga shteti: “Të gjithë banorët e mbretërisë kanë të drejtën e ushtrimit të lirë të fesë së tyre. Kisha Norvegjeze, Kishë Evangjelike Lutheriane, mbetet kishë e Norvegjisë dhe si e tilla përkrahet nga shteti. Dispozita të veçanta rreth organizimit të saj përcaktohen me ligj. Të gjitha fetë dhe grupet religjioze mbështeten në mënyrë të barabartë”. (kushtetuta e Norvegjisë, neni 16).

Si përfundim, pas një studimi dhe ilustrimi të kushtetutave të këtyre vendeve të BE-së është interesant se asnjëra nga këto vende nuk shquhen si teokratike edhe përkundër përcaktimit fetar të shtetit, sepse feja konsiderohet se është vlerë e qytetarëve të vet, pra ato vazhdojnë të mbesin demokratike edhe përkundër faktit se udhëheqësit e këtyre vendeve janë të obliguar t’i takojnë njërit apo tjetrit besim.

E rëndësishme është se lirisht mund të konkludojmë se feja e udhëheqësit të shtetit por edhe feja shtetërore zyrtare e një shteti nuk e rrezikon demokracinë e atij vendi, përkundrazi e plotëson edhe anën shpirtërore krahas asaj materiale, natyrshmëri kjo e qenies njerëzore. Ndërsa është poashtu e rëndësishme të vihet në pah se nga vendet e vjetra të BE-së, ato që janë mbretëri janë më popullore, konservatore, pra të lidhura me traditën e popullit të vet e sidomos me atë fetare. Ndërsa republikat evropiane kanë një qasje pozitive për religjionin, besimin e popullit por jo duke e bërë atë besim si fe shtetërore edhe përkundër faktit se në një mënyrë a tjetër e kanë favorizuar në krahasim me besimet e tjera.

Derisa një fakt tjetër del në pah te shtetet e reja të BE-së të dala nga blloku socialist, ku shihet qartë se sa ka ndikuar negativisht komunizmi në të kuptuarit dhe vlerësimit të lirisë së besimit dhe të drejtës së manifestimit të besimit haptas dhe lirshëm. Edhe përkundër demokratizimit të këtyre vendeve dhe hyrjes së tyre në BE, ato dallohen në qasjen e tyre ndaj besimit, edhe pse kushtetutat e secilit vend nuk janë të përhershme dhe të pandryshueshme, ato gradualisht prej postkomunizmit e deri në ditët e sotit kanë bërë ndryshime të shumta në kushtetutat e tyre e ndër to edhe ndryshime në raport me besimin ose besimet që zhvillohen në vendet e tyre. Në të ardhmen mund të pritet të ketë ndryshime të reja në kushtetutat e këtyre vendeve, e sidomos në atë të religjionit.

Shembull nga këto ndryshime mund të marrim vendet e ballkanit perëndimor që po përgatiten për të hyrë në BE. Si p.sh. Shqipëria e cila pas komunizmit, me hapjen e vendit dhe ndryshimin e sistemit qeverisës, në kushtetutën e saj të parë të viti 1991, e cila ishte një kushtetutë e përkohshme, Republika Popullore e Shqipërisë shëndrohet në republikë parlamentare. Në këtë kushtetutë nuk mbetet pa u përmendur edhe çështja e besimit, pikërisht neni 7 i kësaj kushtetute përcakton vendin si shtet laik: “Republika e Shqipërisë është shtet laik” (kushtetuta e Shqipërisë e vitit 1991, neni 7, paragrafi 1).

Ndërsa me kalimin e kohës kjo kushtetutë ndryshon, kështu, versioni i fundit i kushtetutës së Shqipërisë ka larguar termin “laik” nga kushtetuta dhe ka ndryshuar atë nen krejtësisht duke sjellë një nen të ri dhe më të plotë, pa përdorur fare termin “laik” dhe madje as atë “sekular” por ngjashëm me disa vende tjera të ish bllokut socialist, duke precizuar se Shqipëria nuk ka fe zyrtare, por të gjitha besimet janë të lira të veprojnë duke iu siguruar të gjithë besimtarëve të të gjitha konfesioneve që të manifestojnë lirisht besimin dhe publikisht: “Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare. Shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike. Shteti njeh barazinë e bashkësive fetare. Shteti dhe bashkësitë fetare respektojnë në mënyrë të ndërsjelltë pavarësinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunojnë në të mirë të secilit dhe të të gjithëve….”. (kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 10, paragrafët 1-4).

Pas këtyre shembujve nga vende të ndryshme të Evropës po kthehemi te një analizë e këtij lloji te një vend tjetër i ballkanit perëndimor, respketivisht në vendin tim, në Kosovë. Arsyeja është e thjeshtë, vend i ri, i cili shpalli pavarësinë më 2008 dhe deri tani e kanë njohur pavarësinë e saj rreth 105  shtete të OKB-së. Kosova sapo ka nënshkruar MSA-në me BE-në dhe pritet që vitin e ardhshëm të bëhet edhe liberalizimi i vizave, për të vazhduar në marrjen e statusit të kandidatit për integrim në BE dhe deri te anëtarësimi i saj i plotë, si vend anëtar i Bashkimit Evropian. Por kur marrim Kosovën si shembull për të trajtuar temën tonë, të raportit të fesë dhe shtetit dhe krahasimin e saj me vendet e BE-së, Kosova del se është shumë larg nga ato liri dhe të drejta që iu garantohen besimtarëve në vendet e Bashkimit Evropian.

Kështu, derisa në vendet më të vjetra dhe më të zhvilluara të Evropës, feja është edhe pjesë përbërëse e shtetit, sikur e shtjelluam më lartë gjerësisht e me shembuj të shumtë, e në disa shtete tjera, bashkësitë fetare konsiderohen si partnere, në Kosovë, Bashkësitë Fetare qe 14 vite (tani 23 vite) pas luftës ende nuk e kanë të rregulluar as statusin juridik të tyre e lëre më të flitet për partneritet ndërmjet Shtetit dhe Bashkësive Fetare. Në realitet partneriteti mes shtetit dhe bashkësive fetare në Kosovë është shumë formal dhe shumë larg nga pikëpamja evropiane.

Fatkeqësisht, para pesë viteve, politikanët tanë zgjodhën pikërisht variantin e shtetit të vetëm evropian që Kosovën ta quajnë vend laik, e kjo mendoj ka ndodhur pa i shikuar rrethanat të cilat kanë çuar Francën t’i përmbahen asaj shprehje / fjale, por edhe pa krahasuar me rrethanat dhe traditën e vendit tonë. Madje është përdorur edhe një hile juridike gjatë përpilimit të kushtetutës ku në versionin anglisht dhe serbisht Kosova është përcaktuar si ‘shtet sekular’ ndërsa në versionin shqip ‘shtet laik’.

Tani që dallimin e këtyre dy termave e bëmë të qartë është normle të shtrohet pyetja, se si ndodhi kjo që për të njëjtën çështje dhe në të njëjtin nen, në njërën gjuhë të përdoret një term i veçantë dhe në dy gjuhë tjera të përdoret një term tjetër. Pse ndodhi kjo, rastësisht apo qëllimisht?! Nuk besoj se rastësia ndodhë kur përpilohet një dokument kaq i rëndësishëm, siç është kushtetuta, akti më i lartë juridik i një shteti.

Ky provizion kushtetues, konsideroj se nuk është i përshtatshëm as përafërsisht me traditën dhe kulturën e vendit tonë. Njëherit edhe duke u bazuar në praktikat evropiane për pozitën dhe respektin e veçantë që gëzon religjioni në vendet e BE-së, e sidomos trajtimit të fesë si vlerë e patjetërsueshme e qytetarëve të secilit vend, është një shembull i mirë për vendin tonë, aspiruese e integrimit evropian, që të ndryshohet çasja institucionale e Kosovës karshi besimit/religjionit të qytetarëve të vet. Kjo më së miri shihet në kushtetutat e secilit vend të BE-së, veç e veç, të cilat i sqaruam më lartë në mënyrë të detajuar.

Në kohën e Perandorisë Osmane, Kosova ka qenë një nga vilajetet më të mëdha të saj në Ballkanin Perëndimor. Ajo sot ka të trashëguar një kulturë dhe traditë të çmuar dhe me vlera të mirëfillta. Përkatësia fetare nuk ka qenë kurrë e diskutueshme në Kosovë por edhe më gjerë në trevat shqiptare. Kosova dhe populli shqiptar në përgjithësi, tradicionalisht njifen me tri besime. Prej më shumë se 600 vite të përhapjes së islamit në ballkan, në trevat shqiptare jetojnë muslimanët, katolikët dhe ortodoksët. Prej gjashtë shekujsh e deri sot, kurrë në historinë e shqiptarëve nuk është regjistruar ndonjë konflikt ndërfetar, një argument shumë i madhë se besimet e një populli nuk janë pengesë në shtetndërtimin dhe zhvillimin e vendit. Përkundrazi janë nomenklaturat politike ato që e determinojnë një gjë të tillë. Madje edhe më tepër, pikërisht politikat shtetërore jo mirë të balancuara çojnë te konfliktet ndërfetare.

Kjo traditë e mirë e shqiptarëve vazhdoi edhe pas periudhës pas Osmane, por pas luftës së dytë botërore dhe me instalimin e komunizmit, si sistem qeverisës në të gjitha trevat shqiptare, si në Shqipëri që ishte në sundimin e hekurt komunist në krye me Enver Hoxhën, ashtu edhe në trevat tjera që mbetën jashtë kufijve natyral të Shqipërisë, respektivisht mbetën brenda kufijve të ish-Jugosllavisë, i cili vend poashtu kishte një qasje të njëjtë të qeverisjes komuniste, por me një dozë më të butë se ajo e Shqipërisë. Megjithëse një qeverisje komuniste më e butë se e Shqipërisë, edhe kjo nuk pati mirësinë e respektimit të lirive dhe të drejtave fetare sikur në vendet e evropës perëndimore. Kështu, gjenerata të shumta u shkolluan dhe u formuan me këtë frymë dhe nuk është çudi që qëndrimet e politkbërësve të Kosovës janë trashëgim nga sistemi i kaluar komunist. Kjo mund edhe të argumentohet me qasjen kundrejt religjionit që gjejmë në vendet më të reja të BE-së, të cilat kanë dalë nga blloku socialist krahasuar me ato më të vjetra të BE-së sikur që e kemi shtjelluar gjerësisht në këtë studim / punim.

Por tani që Kosova po ndërton institucione demokratike është e udhës mos të ndiqen hijet e venitura të komunizmit i cili konsideronte fenë opium e shkaktare të të gjitha të këqijave. Pra të mos lejohet që edhe sot dikush t’i jap të drejtë vetes që në emër të shtetit të dhunojë të drejtat fetare.

Kjo trashëgimi nga sistemi i kaluar po i kushton çdo ditë e më shumë Kosovës. Madje edhe në kushtetutën e parë të Kosovës së pavarur dhe demokratike, Kosova nuk ka mundur t’i ikë kësaj trashëgimie, pra me provizionin kushtetues që lirisht mund të cilësohet si tendencioz, sidomos për mënyrën se si është përpiluar. Fjala është për nenin e 8-të të kushtetutës së Kosovës i cili përcakton vendin si shtet laik: “Republika e Kosovës është shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.” (kushtetuta e Kosovës, neni 8).

Kështu Kosova mbetet i vetmi shtet ballkanik me një provizion të tillë kushtetues dhe si i tillë ky nen ka ngjallë reagime të shumta te intelektualë të vendit gjatë 5 viteve të fundit. Aq më tepër që termi “laik” që sot përdoret në Francë nuk e ka atë kuptimin e laicitetit që hyri në fuqi në vitin 1905. Tash pas 108 viteve, ndryshimet që ka përjetuar Franca dhe populli i saj gradualisht kanë ndryshuar atë kuptim dhe gjithçka që ka derivuar si rezultat i laicitetit të shtetit. Duke filluar me rikthimin e raporteve mes Francës dhe Vatikanit në vitin 1924, sepse ato ishin ngrirë nga Franca në vitin 1905, kur laiciteti hyri në fuqi, me preteksin e mos lejimit të ndërhyrjes së kishës në punët shtetërore dhe ndërprerjen e çdo praktikimi apo manifestimi fetar në institucionet publike. Ajo u detyrua të bënte një marrëveshje me Vatikanin për dioçezat lokale në Francë, sepse kisha katolike kurrë nuk e njohu vendimin e laicitetit të vitit 1905.

Të kuptuarit e lirive dhe të drejtave fetare në Francë vazhdimisht ka evoluar, madje edhe në të kuptuarit e vet laicitetit, duke njohur sa më shumë të drejta të besimtarëve të vet nga ana e shtetit si në institucionet publike, të administrates shtetërore poashtu edhe në ato shkollore. Deri sot janë miratuar një sere ligjesh në dobi të lirive dhe të drejtave fetare. Si për lirimin e bashkësive fetare nga taksat; pastaj ligji për shkollat private, me të cilin ligj nuk obligohen shkollat private që të respektojnë laicitetin në mënyre strikte; poashtu edhe ligji për liritë e nxënësve, ku nxënësit mund të debatojnë lirshëm rreth religjionit në shkolla, gjë e cila nuk lejohej më pare. Nxënësit poashtu janë të lirë në bindjet e tyre rreth teorisë shkencore të  kreacionizmit dhe teorinë e darvinizmit për evolucionin. Ata mund të shprehin lirisht se besojnë versionin biblik ose kur’anor rreth kësaj, por vetëm duhet ta dinë versionin shkencor sipas planprogrameve mësimore. Pra e rëndësishme është se nuk janë të obliguar të binden me këto teori. Edhe për lëndën e edukatës fetare që mësohet gati në të gjitha vendet e BE-së, e cila është e sanksionuar me kushtetutë ose me ligje tjera, në Francë kjo nuk organizohet nga shteti në shkollat publike për nxnënës por me ndryshimet e viteve të fundit, nxënësit kanë një ditë në javë të lirë që është dita e mërkurë, për të mësuar për fenë dhe për t’iu përkushtuar asaj, e me ç’rast objektet shkollore dhe personeli janë në dispozicion të nxënësve dhe familjarëve të tyre.

Poashtu sa i përket hapësirave të faljes ka përparime, ku në shkollat që kanë konvikte për banim për nxënës, iu lejohet që të kenë hapësira të tilla për falje dhe mësim fetar. Njëherit shteti tani financon shkollat private fetare, pasi, si rrjedhojë e laicitetit në shkollat publike nuk lejohet edukata fetare, për këtë ato kanë kontratë me shtetin.

Me këtë mund të konstatohet se laiciteti i sotëm i Francës nuk ka asgjë të përbashkët me laicitetin e vitit 1905. Por krejt këtë sqarim të laicitetit në Farncë e solla për të pasqyruar më mirë arsyen pse sot Kosova nuk duhet ta ketë këtë term në kushtetutën e saj. Termi “laik” sot po përdoret në Kosovë me të njëjtën gjuhë dhe me të njëjtën peshë sikur ajo e Francës e vitit 1905. A duhet Kosova të kaloj 108 vite për ta reformuar këtë term? Besoj se jo. Si shtet i ri dhe që synon integrimin ne familjen evropiane, ku edhe e ka vendin, integrim ky që nuk kundërshtohet nga asnjë parti politike dhe as nga ndonjë konfesion fetar, duhet që të mësoj nga praktikat evropiane dhe të mos përsëritë gabimet të cilat sot mund të evitohen.

Ndërsa tani, unë si deputet i pavarur  në Parlamentin e Kosovës kam marrë iniciativën për ndryshimin e kushtetutës, respektivisht të nenit 8 të saj. Sipas kushtetutës së Kosovës, respektivisht nenit 144, nismën për të ndryshuar kushtetutën mund ta marrin edhe deputetët, përveç, qeverisë dhe presdientit: “Qeveria, Presidenti ose një e katërta (1/4) e deputetëve të Kuvendit, sipas Rregullores së Punës të Kuvendit, mund të propozojnë ndryshime dhe amendamentime të kësaj Kushtetute. Çdo ndryshim do të kërkojë miratimin e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës. Ndryshimet në këtë Kushtetutë mund të miratohen nga Kuvendi vetëm pasi të ketë adresuar Kryetari i Kuvendit të Kosovës amendamentin e propozuar në Gjykatën Kushtetuese për të vlerësuar paraprakisht nëse ndryshimi i propozuar nuk pakëson ndonjë të drejtë dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës. Ndryshimet e Kushtetutës hyjnë në fuqi menjëherë pas miratimit të tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës”. (kushtetuta e Kosovës, neni 144, paragrafët 1 – 4).

Nënshkrimet e 1/4 të deputetëve që kërkohet për të filluar nismën i kam siguruar, pra 30 nënshkrime të deputetëve nga 120 gjithsej sa janë dhe e kam proceduar në Kuvendin e Kosovës. Gjithëherë sipas kushtetutës, kryetari i kuvendit e nënshkruan për të konfirmuar nismën dhe e procedon për në Gjykatën Kushtetuese, e cila për një afat deri dy muaj vlerëson amandamentet e propozuara se mos me ndryshimin e kushtetutës, respektivisht me këto amandamente, pakësohet ndonjë liri apo e drejtë e garantuar me të njëjtën kushtetutë. Pas kësaj, nëse gjykata kushtetuese vlerëson se amandamentet nuk shkelin apo nuk pakësojnë liritë dhe të drejtat e njeriut që garantohen me këtë kushtetutë, atëherë propozimet kthehen në Kuvendin e Kosovës për një debat parlamentar e cila rezulton me votim. Amandamentet mund të hyjnë në fuqi vetëm nëse në favor të tyre votojnë 2/3 e deputetëve shumicë (shqiptarë, të cilët përbëjnë 100 vende të kuvendit) dhe 2/3 e deputetëve pakicë (serbë, boshnjak, turq, etj., të cilët kanë 20 vende). Shpresoj që brenda dy muajve të kemi përgjigje pozitive nga gjykata kushtetuese dhe presim që në sesionin e ardhshëm të jetë në një nga mbledhjet e saj në rend dite për të debatuar dhe votuar ndryshimin.

P.S. Iniciativa ime kurrë nuk kaloi në Kryesinë e Kuvendit sepse nga presion politik një deputet tërhoqi nënshkrimin nga lista. Duke mbetur 29 nënshkrime, u pamundësua ajo iniciativë. Pastaj vendi shkoi në zgjedhje të jashtezakonshme dhe nuk pata rast tjetër për të proceduar ndryshimin e nenit 8 të Kushtetutës.

Artikulli paraprakKonsiderimi i pasurisë si begati e bujari në duart e të drejtëve (të devotshmëve)
Artikulli tjetërItikafi rifillon në Xhaminë e Madhe të Arabisë Saudite pas dy vitesh pauzë