Fazat e përmbushjes së qëllimit
Vjen një kohë kur ti fillon e ndjen se jeta jote po rrjedh në një drejtim tjetër, krejt të ndryshëm nga ai që dëshiron. Hedh sytë nga vitet e shkuara të jetës tënde dhe të duket sikur nuk i ke realizuar ato që aspiroje.
Hedh sytë nga e ardhmja dhe lutesh e përgjërohesh që Zoti të të pajisë me energji dhe forcë, që të arrish atë që nuk ke arritur ta përmbushësh deri tani. Prandaj dhe unë të them që të përpiqesh gjithmonë që të kultivosh tek vetja qëllime dhe objektiva madhore, objektiva që shkëlqejnë. Bëj çmos dhe derdh mund e djersë në përmbushjen e tyre, por bëj kujdes, që këto objektiva dhe qëllime të mos mbeten thjesht dëshira, të cilat janë produkti më i madh i fukarenjve. Janë të shumtë ata që jetojnë brenda kuadrit të dëshirave, por që realiteti dhe aktualiteti i tyre është një zero me bisht.
12 parimet për caktimin e objektivave:
I pari: Caktoje mirë dhe qartë çfarë dëshiron.
Fokusoji të gjitha dritat tek qëllimi yt, bëje atë të qartë, me konture të plota, me reliev të qartë. Në librin e tij “Kënaqësia e punës” Denis Uatli na tërheq vëmendjen tek ky koncept:”Që të arrish tek një destinacion, fillimisht duhet të dish nga duhet të drejtohesh.”
I dyti: Objektivi yt duhet të jetë i qartë dhe që meriton të përmbushet.
Nuk mund të imagjinohet një njeri i ulur pranë një sobe, duke i thënë asaj:”Më ngroh, të të jap drutë!” Është krejt e palogjikshme… aspak reale. Kjo, edhe pse personi i ulur pranë sobës, e ka shumë të qartë se çfarë dëshiron prej saj, ai dëshiron ngrohtësi. Veçse, hapat e ndërmarrë prej tij për ta përfituar atë që dëshiron, nuk janë aktual. Prandaj, kur të vendosësh një qëllim dhe objektiv, le të jetë logjik, real dhe i mundshëm për tu realizuar.
I treti: Dëshirë e flaktë.
E çfarë vlere ka një objekti dhe qëllim, i cili nuk stimulohet nga vullneti i çeliktë dhe dëshira e flaktë? Vullneti i çeliktë është i nevojshëm si oksigjeni për ne. Objektivave u duhet vullnet që të marrin jetë në aktualitet.
Objektivat pa dëshirë dhe pa vullnet të fortë, janë objektiva të plogështa dhe të vdekura, janë pa shpirt.
Prandaj, të lipset vullnet për realizimin e ëndrrës tënde, duhet vullnet shpërthyes të cilin askush nuk mundet ta ndalë dhe bllokojë, vullnet të cilin as ti vetë nuk mund ta ndalësh dhe bësh zap.
I katërti: Përjetoje objektivin dhe qëllimin tënd!
Kur e cakton qëllimin dhe objektivin tënd, përpiqu ta shohësh me të gjitha detajet, imagjinoje sikur është përmbushur, sikur ti je një pjesë e tij.
Imagjinata është hallka lidhëse mes arsyes dhe pavetëdijes.
Prandaj i dashur lexues, të këshilloj që të përpiqesh gjithmonë që ta bësh sa më prezent objektivin tënd, ta përjetosh deri në detajet më të imta. Kjo ndihmon që objektivi të instalohet dhe të bëhet pjesë e pavetëdijes tënde, gjë e cila do të japë më shumë forcë, zell dhe motiv për ta realizuar.
Metafizika pohon se mendja është si puna e një magneti, kur sheh se njeriu i përmbush objektivat e tij qoftë dhe me imagjinatë, ia tërheq edhe personat edhe mekanizmat edhe rrethanat ndihmuese për përmbushjen e këtij qëllimi.
I pesti: Merr vendimin!
Duke iu kthyer pikave të mësipërme, do të kuptojmë se e kemi përcaktuar qëllimin, kemi përcaktuar sa aktual është dhe mundësinë e përmbushjes. Pasi e shohim të qartë dhe të mundshëm për tu realizuar, tani vijmë tek pika tjetër e cila është boshti, vendimi për realizimin e qëllimit.
Vendimi i vetëdijshëm, të cilin do e marrësh me vullnet të flaktë, ka nevojë për nënshkrimin tënd, që të shndërrohet në realitet, që edhe ti por edhe të tjerët, ta përjetojnë. Tashmë, është koha që qëllimin ta zbresësh në aktualitet. Tregoju njerëzve që i do dhe beson se të duan, lidhur me vendimin që ke marrë. Kështu, ata do të munden të të ofrojnë mbështetje dhe ndihmë. Ky hap, është rruga jote për ta përjetuar ëndrrën dhe për ta shndërruar në një aktualitet të prekshëm.
I gjashti: Shkruaje ëndrrën tënde!
Unë nuk e njoh dhe nuk i pranoj objektivat e pa shkruar. Një objektiv dhe qëllim i pa hedhur në letër, do të thotë vetëm një dëshirë e bukur, asgjë më shumë. Sakaq, objektivat dhe qëllimet e hedhura në letër, janë aktualë dhe prezentë. Brajan Tresy, në librin e tij “Filozofia e përmbushjes së objektivave” thotë se:”Me penë dhe letër fillon gjithçka.” Kur ta përqafosh penën me gishtat e tu, ke vënë në efiçensë dy faktorë të fuqisë dhe energjive të tua si njeri; I pari, është faktori fizik, pasi ke kapur penën dhe ke filluar të lëvizësh dorën, kurse i dyti është racional, pasi arsyeja jote është e angazhuar me këtë objektiv të cilin e shkruan dhe e lexon. Njëkohësisht, zëri i brendshëm që buron nga pavetëdija, fillon dhe e përsërit gjithmonë e më shumë objektivin e shkruar.
I shtati: Caktimi i një kuadri kohor.
Imagjinoni bashkë me mua një ndeshje futbolli, e cila është pa asnjë limit kohor, kurdo mund të përfundojë. Është shumë e vështirë për ta imagjinuar, e aq më pak besuar. E njëjta gjë vlen dhe për objektivin dhe qëllimin e papërcaktuar në kohë, si për fillimin ashtu dhe për përfundimin e tij. Përcaktimi i kohës së fillimit dhe mbarimit për çdo qëllim, të mbush me energji si përkushtimi, zelli, fuqia etj…
Por, përcaktimi i kuadrit kohor, duhet të bazohet në baza aktuale, sipas aftësive dhe kapaciteteve të tua.
I teti: Njihu me kapacitetet e tua!
Sistemoje arsenalin e kapaciteteve dhe dhuntive të tua, njihu me aftësitë që posedon! Çdo qëllim kërkon mekanizmat e tij, prandaj njihu se cilat nga mekanizmat e përmbushjes së qëllimit tënd i ke dhe çfarë tjetër të duhet, njihe mirë veten tënde dhe bëj çmos që ti mbushësh të metat që zbulon në arsenalin e dhuntive.
I nënti: Studioji vështirësitë dhe ji i gatshëm!
Përderisa ke zgjedhur të ndjekësh rrugën e ambicieve, padyshim që do të përballesh edhe me vështirësi dhe pengesa. Suksesi nuk vjen krejt kollaj, përndryshe të gjithë do të ishin të suksesshëm. Vetëm ata që kanë aftësinë për të rezistuar dhe për qëndrueshmëri, vetëm ata që shohin larg në të ardhmen, duke i parashikuar dhe vështirësitë e pengesat, vetëm ata që u përgatiten surprizave, gëzojnë aftësinë e sfidimit dhe përmbushjes së ëndrrave të tyre.
I dhjeti: Hidh hapin e parë!
Zbriti objektivat e tu në tokë, në aktualitet. Gjithmonë, hapi i parë është i vështirë. Njeriut i duhet shumë forcë dhe motivim në fillimin e çdo gjëje apo qëllimi. Fillo tani me përmbushjen e ëndrrës dhe objektivave të tu, duke i zbritur ato në aktualitet. Ndërmerre hapin e parë pa hezitim dhe pa i zvarritur gjërat! Ky është treguesi dhe argumenti i fuqisë së qëllimit!
I njëmbëdhjeti: Vlerësoji planet e tua!
Një person, ishte nisur një ditë për në një destincacion të caktuar. Pasi ishte bërë gati dhe kishte marrë gjithçka që i duhej për udhëtim, u nis për rrugë. Edhe pse moti ishte i nxehtë, rruga e gjatë dhe me vështirësi, ai mbërriti në destinacion. Atje, gjeti një njeri të ulur, krejt i qetë dhe i patrazuar, i cili e shihte me keqardhje. Disi i revoltuar nga ai vështrim, personazhi ynë i tha:”Përse më shikon ashtu more zotëri?! A e di çfarë kam hequr për të mbërritur gjer këtu?! A e di se mezi më mbajnë këmbët?! Në vend që të më vlerësosh dhe të më kurajosh, ti më sheh me keqardhje e mëshirë!”
Burri i ulur, ia ktheu:”Ah i mjeri ti i mjeri! Po të kishe pyetur ndokënd, do të të kishte treguar se nuk ke fare nevojë që gjithë këtë rrugë ta përshkosh në këmbë. Është një tren që vjen e shkon çdo ditë për këtu. Do i kurseje vetes gjithë këtë kohë dhe mund.”
Prandaj, para se të hedhësh hapat dhe t’ia nisësh rrugës për përmbushjen e objektivit, sigurohu se ke pyetur, je këshilluar dhe je furnizuar me informacionin dhe përvojat e mjaftueshme, të cilat do të ndihmojnë gjatë rrugëtimit tënd. Vetëm kështu do i kursesh vetes mund, lodhje dhe kohë në gjëra të padobishme.
I dymbëdhjeti: Përkushtimi.
Më së shumti, njerëzit dështojnë jo për shkak se u mungojnë kapacitetet, por për shkak se u mungon përkushtimi. Tomas Edison, thoshte:”Shumë dështime të jetës, u përkasin atyre njerëzve të cilët nuk e kuptonin se janë shumë afër suksesit dhe mu për këtë, u dorëzuan dhe hoqën dorë.”
Kurrë nuk do të kishte mundur Edison që të na shërbejë më llambën elektrike, pa qenë i përkushtuar dhe i vendosur që tu shkojë gjërave gjer në fund, me gjithë dështimet e njëpasnjëshme. Kurrë nuk do të kishte mundur Disney të na ofronte qytetet e ëndrrave për fëmijët, nëse nuk do ti ishte përkushtuar totalisht projektit të tij.
Këta dhe shumë të tjerë, kanë dështuar me qindra herë, madje me mijëra herë, megjithatë, përkushtimi i plotë për përmbushjen e ëndrrës, është ai që i shtyu dhe motivoi për të mbërritur në bregun e suksesit, vendit të njerëzve të suksesshëm në këtë jetë.
Përktheu: Elmaz Fida
Dr. Ibrahim Fekij