“Na kanë drejtuar edhe njëherë ‘armën e ekonomisë’ në këto ditë ku Turqia ka kryer lëvizje serioze në Siri dhe Irak”
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në takimin e 31-të me krerët lokalë të mbajtur në rezidencën presidenciale ka bërë disa vlerësime në lidhje me me zhvillimet e fundit në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).
Erdoğan, në lidhje me thirrjen e bërë për kthimin nga valuta e huaj në lirën turke është shprehur se “Qytetarët u drejtuan drejt lirës turke dhe nisën të gjithë të kthejnë valutat e huaja që kishin në lirën turke. Shpreh falënderimet për popullin tim, i cili kur bëhet fjalë për atdhe, për komb nuk kursehet si në këtë rast i cili valutën e huaj që kishte e ktheu në lira turke.”
“Do të mbrojmë paranë tonë kundër presionit të valutës së huaj”
Ai është shprehur më tej se “Besoj që vendosmëria në këtë çështje do të vazhdojë. Unë e di që nuk jam vetëm dhe në të njëjtën mënyrë do të vazhdojmë të mbrojmë paranë tonë kundër presionit të valutës së huaj dhe shpresoj se do të vlerësojmë lirën turke.”
“Na kanë drejtuar edhe njëherë ‘armën e ekonomisë’ në këto ditë ku Turqia ka kryer lëvizje serioze në Siri dhe Irak, kur ka bërë hapa të rinj në Parlament në lidhje me kalimin në sistemin presidencial dhe në një kohë kur është duke marrë vendime të rëndësishme në lidhje me Bashkimin Evropian”, është shprehur Erdoğan.
“Jemi përballë një rritjeje artificiale të kursit të këmbimit”
Duke theksuar se recesioni i pranishëm në treg përkrah shkaqeve konkrete shkaktohet edhe nga faktorët psikologjikë dhe provokativë Erdoğan ka shtuar më tej se “Me të vërtetë kur shikojmë shkaqet e rritjes së valutës së huaj përballë lirës turke në ditët e fundit nuk mund të vërejmë asnjë element të prekshëm që të ketë një dispozitë serioze në ekonomi. Ndodhemi përballë një rritjeje artificiale të kursit të këmbimit e shkaktuar nga situata e pafavorshme dhe e nxitur nga qarqe të caktuara. Edhe ne ashtu si çdo herë krahas kalimit në veprim të mundësive shtetërore në një kuptim ndryshe kemi thirrur në ndihmë edhe popullin tonë në këtë çështje. Ne bëmë thirrjen që ‘valutën e huaj ta kthejmë në lira turke ose në ar’. Në këtë mënyrë i jemi përgjigjur atyre që dëshirojnë të na vendosin në presionin e valutës së huaj duke shtypur para në mënyrë jo të ndërsjellë.”
“Po jap lajmin e mirë që të jeni të sigurtë se populli ynë nga ky proces nuk do të dalë me humbje, por me fitim. Askush të mos shqetësohet. Me shtetet që kanë një vend të rëndësishëm në tregtinë tonë të jashtme do të fillojë periudha e tregtisë me paratë kombëtare”, është shprehur ndër të tjera Erdoğan.