Turqia ka potenciale serioze investimi në çdo fushë të energjisë; prandaj ai që ka investuar në vendin tonë, nuk është penduar kurrë dhe nuk ka për t’u penduar as në të ardhmen, deklaroi kreu i shtetit turk gjatë një fjalimi në Stamboll..
“Ejani t’i japim dorën njëri-tjetrit për paqen në Siri dhe Irak!”
Me këto fjalë iu drejtua liderëve botërorë Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Kreu i shtetit turk mbajti një fjalim në Kongresin 23. Botëror të Energjisë, që po zhvillon punimet në Stamboll.
“Duke qenë se terrorizmi është një problem global, atëherë është e natyrshme që të presësh mbështetje edhe nga shtetet e tjera”, u shpreh Erdogan dhe e vijoi kështu fjalën e tij: “Ashtu siç i bëjmë ballë terrorit në vendin tonë, është domosdoshmëri që këtë ta bëjmë gjithashtu në Siri dhe Irak. Krahas të gjitha këtyre (sfidave), ne përpiqemi edhe për unitetin energjetik të botës”.
Në Turqi – nënvizoi Presidenti – ka potenciale serioze investimi në çdo fushë të energjisë; prandaj ai që ka pasur besim, që ka investuar në vendin tonë, nuk është penduar kurrë dhe nuk ka për t’u penduar as në të ardhmen.
Erdogan u shpreh se vendi i tij po shqyrton mundësitë për të realizuar edhe projektin e centralit të 3-të bërthamor.
“Objektivi ynë është që 10% të nevojave për energji t’i sigurojmë nga energjia bërthamore”, tha lideri turk.
Presidenti Erdogan theksoi se vazhdojnë punimet edhe për ndërtimin e gazsjellësit “Rryma Turke”.
“Kemi realizuar projektin e naftësjellësit Baku-Tbilis-Ceyhan, që furnizohet kryesisht me naftën e Azerbajxhanit. Vazhdojmë të ndërtojmë gazsjellësin TANAP. Gazi azerbajxhanas do të mbërrijë në Evropë përmes këtij tubacioni. Ndërsa për gazsjellësin “Rryma Turke” punimet vazhdojnë ende. Ky projekt do të ecë paralelisht me zhvillimet në Evropë. Studimet e deritanishme tregojnë që itinerari më i përshtatshëm për këtë projekt është Turqia”, tha ai.
Sakaq, Presidenti Erdogan realizoi takime të ndara me homologun rus, Vladimir Putin, kryetarin e shtetit të Venezuelës, Nicolas Maduro, Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe atë të Republikës Turke të Qipros së Veriut (RTQV), Mustafa Akinci.
Pas këtyre takimeve të nivelit maksimal, Erdogan organizoi një konferencë shtypi, ku u shpreh me fjalët: “Mesazhin ‘Shpërndaje për Paqen’ duam ta përcjellim me të gjithë botën!”