Shkruan: Justinian Topulli
Zakonisht me ekstremizëm fetar kuptojmë sjellje, besime apo bindje të individëve besimtarë të cilët kërkojnë nga vetja apo të tjerët qëndrime të një devotshmërie të skajshme, të cilat as vetë burimet fetare nuk i miratojnë, madje mund t’i dënojnë ato. Por skajshmëria në praktikat, bindjet dhe besimet fetare shfaqet edhe në anën e kundërt, në atë të shfajësimit dhe lirisë së tepruar me të cilën neglizhohen apo tolerohen praktikat, bindjet dhe besimet të cilat bien ndesh me fenë apo nuk pajtojnë me të. Sigurisht të dyja janë të kritikuara dhe të refuzuara nga feja.
Ekstremizmi i ashpërsisë fetare është qortuar më së shumti në hadithet e Profetit (alejhi salatu ue selam), të tilla siç janë hadithet për havarixhët. Efekti dhe dëmi i këtij ekstremizmi është i shpejt dhe i përmasave të rënda, por ai zakonisht nuk shtrihet gjatë në kohë dhe hapësirë, sepse vetë natyra njerëzore e prirë më së shumti drejt lehtësimit e refuzon këtë tendencë. Sigurisht që ajo bëhet shkak ndonjëherë edhe për ekstremin e lehtësimit.
Ndërkohë ekstremi i lehtësimit është qortuar më së shumti dhe më shpesh në Kuran, sepse ai është më i përhapur dhe i përgjigjet më shumë natyrës emocionale dhe epshore të njeriut. Efekti dhe dëmi i tij është më i ngadaltë, por shtrihet në hapësirë dhe në kohë shumë më tepër sesa i pari.
Allahu thotë në Kuran:
“Pas tyre erdhën të tjerë, që trashëguan Librin, por që zgjodhën për vete stolitë e pavlera të kësaj bote dhe thoshin: “Ne do të na falet.”(el-Araf: 169)
“Por, pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të ligj, që e lanë faljen dhe u dhanë pas kënaqësive.” (Merjem: 59)
“A nuk është koha për besimtarët, që zemrat e tyre të zbuten me kujtimin e Allahut e me të Vërtetën që u zbriti dhe të mos bëhen si ata që iu dha libri më parë e pasi kaloi një kohë e gjatë, zemrat e tyre u ngurtësuan e shumë prej tyre janë jashtë rrugës?” (el-Hadid: 16)
Allahu na tregon në këto ajete se gjithmonë brezat e parë të besimit janë më të devotshëm dhe ata që i pasojnë humbasin nga ky përkushtim me kalimin e kohës. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me brezat e njerëzve që erdhën pas profetëve, por edhe me muslimanët të cilëve u është premtuar se do të kenë vazhdimisht ripërtëritje të fesë dhe pas kësaj ripërtëritje ata sërish janë përballur me rënie të besimit dhe përkushtimit fetar.
Dëmi i ekstremizmit të ashpërsisë fetare, si ai i havarixhëve tekfirist, apo edhe të tjerëve, përdoret shpesh në mënyrë të tepruar si arsyetim për të përligjur frymën dhe ekstremin e murxhiave, të cilët ashtu si të parët janë në nivele të ndryshme, por që i bashkon të gjithë qëndrimi tolerant ndaj mungesës së përkushtimit të obliguar fetar, deri edhe atij minimal të domosdoshëm.
Myslimanët sigurisht që kanë vuajtur vazhdimisht nga pasojat e ekstremeve fetare të ashpërsisë fetare, por ata kanë vuajtur gjithashtu, madje shumë më tepër, nga mungesa e përkushtimit fetar. Murxhiat dhe fryma e tyre tejet liberale ka qenë e përhapur shumë më tepër në kohë, në vende dhe në njerëz, sesa fryma e ashpërsisë fetare. Edhe në kohën tonë, ku liberalizmi dhe neo-liberalizmi social janë kthyer në norma të jetës njerëzore, dhe shthurja dhe imoraliteti janë bërë moda dhe trendi më i fortë i shoqërisë bashkëkohore edhe përkushtimi më i vogël edhe “ashpërsia” më lehtë shihet si ekstremizëm.
Rigjallërimi fetar sjell pashmangshëm shpesh herë edhe segmente të ashpërsisë fetare, por gjithashtu edhe liberalizmi sjell degradim dhe degjenerim të moralit dhe braktisje të vetë normave morale dhe fetare apo edhe vetë fesë. Këto pasojnë njëra-tjetrën, ato janë fenomene sociale të përsëritura dhe përkojnë tamam me konstatimin e ngjashëm që Fracis Bacon bënte kur shkruante se “siç është konstatuar, artet që lulëzojnë në kohën ndërsa virtyti është në ngritje, janë ato luftarake; ndërsa kur virtyti është në gjendje stabile, janë ato liberale; dhe kur virtyti është në rënie, lulëzojnë ato të qejfit.” (The Advancement of Learning)
Kështu që degradimi fetar dhe rënia e devotshmërisë apo edhe devijimi, të cilat shfaqen edhe nën ndikimin e “përndritjes” liberale të epokës së sotme, janë fryt kokë e këmbë i ndryshimeve sociale që pëson shoqëria në përgjithësi nën ndikimin e faktorëve të jashtëm dhe brendshëm, ku gjynahet dhe mëkatet zënë rolin kryesor në këtë mes. Janë pikërisht gjynahet e shumta të vogla apo të mëdha ato që duke nxirë zemrën e detyrojnë atë të kërkojë justifikime për gjendjen e saj, e pas tyre apo krahas tyre mund të vijnë dyshimet dhe dilemat, të cilat zhysin edhe më tepër shpirtin në terrin e skutave dhe labirinteve parrugëdalje. Dhe ja befas “zgjidhja” vjen nga errësira e shpirtit, tek atij i duket se i fekset një dritë në fund të saj, për të përqafuar më së fundi “ndriçimin” e zjarrtë të Luciferrit, që e merr për dritën e Zotit. Dhe fundi dihet.