Ekonomisti i njohur amerikan, i cili më 2008 ishte shpërblyer me Çmimin Nobel për Ekonomi, Paul Krugman, përmes një kolumneje në të përditshmen prestigjioze, “The New York Times”, ka paralajmëruar kosto serioze për ekonominë botërore nga agresioni rus në Ukrainë dhe rezistenca perëndimore ndaj këtij agresioni.
“Për fat të keq, ballafaqimi me agresionin nuk vjen falas. Ngjarjet në Ukrainë dhe Rusi, veçanërisht, do të shkaktojnë kosto serioze në ekonominë botërore”, shkruan ekonomisti amerikan.
Sipas tij, në pyetjen se sa serioze do të jenë këto kosto, ato do të jenë të këqija, por jo katastrofale. “Rusia është eksportuese e madhe e naftës dhe gazit natyror. Rusia dhe Ukraina janë – ose ishin – eksportuese të mëdha të grurit. Prandaj, lufta po ka ndikim të madh në çmimet e energjisë dhe ushqimit”, thotë Krugman-i.
Ai thekson se Evropa varet shumë nga Rusia për furnizim me gaz natyror, por përdorimi i kësaj lënde është më shumë sezonal, prandaj nuk pritet ndikim aq i madh deri në fund të këtij viti, duke i dhënë kohë Evropës për të marrë masa që ta bëjë veten më pak të ndjeshme ndaj kësaj varësie.
Sidoqoftë, ekonomisti thotë se ushqimi mund të jetë problem më i madh se energjia, për shkak se Rusia dhe Ukraina së bashku e kanë ofruar çerekun e eksportit botëror të grurit. Sipas tij, ndikimi i rritjes së çmimit në rajonet e pasura, si Amerika Veriore dhe Evropa, do të jetë më i përballueshëm, sesa në vendet më të varfra, ku për ushqim shpenzohet një pjesë e madhe e buxhetit familjar. Për vendet e varfra, Krugman thotë se “shoku do të jetë shumë më i ashpër”.
Nobelisti flet edhe për ndikimin e luftës në Ukrainë në politikat ekonomike, duke thënë se rritja e çmimeve të ushqimit dhe naftës do ta rrisë shkallën e inflacionit.
Në përgjithësi, Krugman thotë se shoku rus ndaj ekonomisë botërore do të jetë “i ndyrë”, por ndoshta jo “gjithaq i ndyrë”. “Nëse Putini imagjinon se mund ta mbajë botën me haraç, ndoshta kjo është një llogaritje tjetër e gabuar fatale”, përfundon kolumna e ekonomistit amerikan./g.nacionale/