Ekonomia më e madhe e Europës ndodhet në prag të një recesioni dimëror

Gjermania gjendet në prag të recesionit këtë dimër, pasi bllokimet në zinxhirët e furnizimit dhe një valë e re e rasteve të koronavirusit po pengojnë zhvillimin e ekonomisë.

Sipas parashikimeve të publikuara të martën nga Instituti për Kërkime Ekonomike Ifo, ekonomia më e madhe e Europës do të zvogëlohet me 0.5% në tremujorin e katërt të këtij viti krahasuar me të tretin, si dhe do të ketë një stanjacion ekonomik në tre muajt e parë të vitit 2022. Një ekonomi quhet që ka kaluar në recesion kur tkurret për dy tremujorë radhazi.

“Pengesat e vazhdueshme në zinxhirët e furnizimit dhe vala e katërt e koronavirusit po ngadalësojnë dukshëm ekonominë gjermane,” tha në një deklaratë Timo Wollmershäuser, kreu i parashikimeve ekonomike në Ifo. “Rimëkëmbja e fortë pas pandemisë që fillimisht pritej se do të ndodhte në vitin 2022, nuk është materializuar ende.”

Rritja ekonomike pritet të rikthehet verën e ardhshme, pasi të zvogëlohet vala e infeksioneve të koronavirusit dhe të lehtësohen pengesat në zinxhirët e furnizimit, por fillimi i ngadaltë në vitin e ardhshëm do t’i kushtojë shumë fuqisë më të madhe europiane të prodhimit. Ifo uli parashikimin e rritjes për vitin 2022 me 1.4 pikë përqindjeje, duke e ҫuar atë në 3.7%.

Ifo pret që inflacioni do të rritet me 3.1% këtë vit dhe me 3.3% në vitin 2022, norma këto që tejkalojnë së tepërmi objektivin e Bankës Qendrore Europiane për një inflacion prej 2%. Çmimet e konsumit nuk pritet që të kthehen në normalitet deri në vitin 2023, sipas Ifo.

Perspektiva e zymtë vjen ndërsa vendet në mbarë botën përgatiten për një tjetër valë të mundshme të rasteve të koronavirusit, të shkaktuar nga varianti Omicron. Kjo mund të shtonte presionin në zinxhirët e e furnizimit global dhe t’i detyronte bankat qendrore të rikonsideronin planet për t’u tërhequr nga mbështetjet për ekonominë.

Javën e kaluar, Gjermania regjistroi numrin më të lartë të vdekjeve ditore nga Covid-19 që nga muaji shkurt, teksa përpiqet të vërë nën kontroll valën e katërt të pandemisë. Në fillim të këtij muaji, si pjesë e kufizimeve të reja, ajo ndaloi hyrjen e të pavaksinuarve në të gjitha bizneset, përveç atyre më thelbësore si supermarketet dhe farmacitë.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (ANE) paralajmëroi të martën se një rritje e rasteve do të ngadalësonte rikthimin e kërkesës globale për naftë. Grupi uli parashikimin e tij të kërkesës për naftë me afërsisht 100,000 fuçi në ditë, si për vitin 2021, ashtu edhe për vitin 2022, duke thënë se transporti ajror dhe karburanti i avionëve do të prekeshin më së shumti.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent, standardi global i naftës, është reduktuar me rreth 10 dollarë për fuçi që nga fillimi i nëntorit, duke rënë nën 75 dollarë. Megjithatë, ANE tha se goditja në ekonomi do të ishte më pak e rëndë krahasuar me ato të shkaktuara nga valët e mëparshme të virusit.

“Masat e reja të kontrollit të vendosura për të ndaluar përhapjen e virusit ka të ngjarë të kenë një ndikim më të reduktuar në ekonomi krahasuar me valët e mëparshme të Covid, ku një faktor kryesor po luajnë edhe fushatat e përhapura të vaksinimit,” tha agjencia në raportin e saj mujor për dhjetorin./ CNN

Artikulli paraprakSa kohë i duhet një kompjuteri për të zbuluar fjalëkalimin tuaj
Artikulli tjetërPandemia nxit lidhjet me internet, por 37% e popullsisë në botë mbeten ende “offline”