Shkenca e ekonomiksit, ose analiza ekonomike, studion sjelljen aktuale ekonomike si dhe funksionimin e ekonomisë në jetën reale. Meqenëse sjellja ekonomike aktuale është gjithmonë e orientuar drejt disa qëllimeve, ekonomia e pastër, e cila është neutrale ndaj orientimit të vlerave, është një mit, një iluzion. Analiza ekonomike moderne studion ekonomitë kapitaliste të nuancave të ndryshme, dhe ekonomia socialiste përshkruan funksionimin e ekonomive të planifikimit qëndror. Ekonomiksi islam ose analiza ekonomike e rëndësishme për një shoqëri islame do të lind kur të kemi një popull me sjellje islame, dhe një ekonomi që është vërtet islame. Ndërkohë, ekonomia moderne dhe ekonomia socialiste të dyja janë të dobishme për të kuptuar situatën reale që synohet të transformohet sipas sistemit normativ të Islamit.
Përderisa analiza ekonomike moderne është brenda fushës së ekonomisë islame, pasi synon të kuptojë realitetin ekonomik ekzistues, degët e aplikuara të ekonomisë qëndrojnë në një pozicion të ndryshëm. Ekonomia e rritjes dhe zhvillimit, financat publike, tregtia ndërkombëtare, politika monetare, bankingu, teoria e financave dhe ekonomia e punës, aktualisht studiohen në kontekstin e normave të pranuara të një shoqërie kapitaliste. Kur këndvështrimi islam dhe filozofia ekonomike që rrjedh prej tij të arrijnë të krijojnë një model të ri sjelljeje, ky korpus i tërë do të zëvendësohet me studime të rëndësishme për situatën e re.
Deri sa një situatë e tillë të bëhet realitet ekzistencial, detyra e ekonomiksit islam është të ndërtojë ura midis asaj që është dhe asaj që duhet të jetë, midis ekzistueses dhe të dëshiruarës. Një detyrë e tillë parashtron nevojën për një kuptim të qartë të të dyjave. Ajo përfshin analizën e asaj që është, dhe deri në atë pikë përkon me shkencën e ekonomiksit siç e njohim aktualisht. Megjithatë, ajo vazhdon në dritën e vizionit të asaj që është e dëshirueshme, të nxjerrë nga filozofia ekonomike islame, e formësuar nga mësimet e historisë ekonomike islame, për të përcaktuar atë që duhet të jetë në vend të asaj që ekziston. Së fundmi, ajo përcakton mënyrën se si mund të realizohet një kalim nga ajo që është në atë që duhet të jetë.
Kjo mund të ilustrohet me ndihmën e një ose dy shembujve. Fakti që çdo burrë dhe grua duhet të kenë ushqim, veshje, strehim, kujdes mjekësor dhe arsim, është një objektiv i ekonomisë islame. Ky është një objektiv i pranuar gjerësisht nga të gjitha shoqëritë moderne. Megjithatë, metodat për realizimin e këtij synimi ndryshojnë, dhe po ashtu edhe shkalla e realizimit të tij. Duke mësuar nga të gjitha këto përvoja dhe në përputhje me metodën unike islame, e cila përdor plotësisht veprimin vullnetar ne baza etike, por njëkohësisht siguron ndërhyrjen e shtetit për të përmbushur objektivat e tij, ekonomksi islam do të hartoj politika të përshtatshme për t’u zbatuar në një shoqëri islame.
Një shembull tjetër ka të bëjë me institucionin e bankingut në veçanti dhe sistemin financiar në përgjithësi. Pasi të analizojë funksionimin e institucioneve aktuale, ekonomia islame do të theksojë dëmin që përmban ky sistem i bazuar në interes, së bashku me pasojat negative për shoqërinë. Më pas, ajo do të formulojë alternativën islame të bazuar në ndarjen e fitimeve, kreditë pa interes dhe bashkëpunimin. Po ashtu, do të trajtojë problemin e kalimit nga sistemi aktual në alternativën islame.
Në kontekstin e studimeve mbi sjelljen, ekonomiksi islam do të përpiqet të zbulojë implikimet operacionale të normave islame në një situatë të caktuar të jetës reale. Në njëfarë kuptimi, kjo detyrë mund të karakterizohet si ndërtimi i modeleve ideale të sjelljes të rëndësishme për një situatë të dhënë.