“Dorëzohet” dhe FMN-ja: kthen sytë nga financat islame, duke shprehur pëlqimin për to

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka shprehur pëlqimin dhe mbështetjen për parimet e financave islame, duke vënë në dukje se ato mund të rezultojnë më të sigurta se financat konvencionale, veçse kërkohet një forcim i rregullave dhe një ndjekje e vijueshme e tyre.

FMN-ja nxori këtë javë një raport që tregon interesin e saj në rritje për veprimtarinë bankare islame, e cila po shtrihet në shumë pjesë të botës.

Raporti në fjalë vinte në pah se veprimtaria bankare islame mund të paraqiste më pak rrezik se ajo konvencionale për qëndrueshmërinë e sistemeve financiare, ngaqë e ndalon spekulimin e pastër monetar dhe thekson se marrëveshjet duhet të bazohen në aktivitetin ekonomik të njëmendtë.

Financat islame mund të ndihmojnë nxitjen e qëndrueshmërisë financiare dhe makroekonomike, u shpreh FMN-ja.

Takimet e FMN-së javën e ardhshme në Uashington do të përfshijnë një seminar mbi financat islame, dhe në nëntor pritet një konferencë globale mbi to.

Po ashtu, grupi i G20-ës i ka përfshirë për diskutim financat islame në axhendën e përvitshme. /tesheshi.com/

Artikulli paraprakSkandalet e ndryshme bankare rrisin interesin për bankimin islam
Artikulli tjetërErdogan bën thirrje për rritjen e tregtisë mes vendeve myslimane