Doni të arrini rezultate më të mira në punë? Ndiqni rregullin “70-20-10”

Synimi për të punuar më shumë përgjithësisht do t’ju bëjë të ecni përpara më tepër sesa synimi për të bërë punë të shkëlqyera.

Shumë prej nesh duam ta bëjmë punën në mënyrën më të mirë të mundshme. Por, si arrihet ky qëllim? Një nga qasjet është të synosh përsosmërinë. Ju mund të studioni gjithçka që mundeni për fushën tuaj, mund të lexoni me shumë përkushtim për njerëzit që kanë arritur rezultate të shkëlqyera në atë fushë, si dhe mund të praktikoni në ankth punën tuaj duke pasur gjithmonë si qëllim përsosmërisë.

Kjo është një mënyrë e zakonshme për të rendur pas përsosmërisë, por ka edhe një mundësi tjetër. Mundet që edhe thjesht ta hidhni cilësinë nga dritarja dhe të bëni sa më shumë punë, pa e vrarë mendjen nëse është shumë e mirë. Cila rrugë do t’ju ҫojë më pranë asaj që është më e mira për ju?

 

Historia e poçeve (ose e fotografive)

Historia e famshme e poçeve nga libri i David Bayles dhe Ted Orland, Art & Fear i përgjigjet kësaj pyetjeje nëpërmjet një anekdote mbi një orë mësimi për qeramikën. Profesori e ndan klasën në dy grupe: njëri grup do të vlerësohej për sasinë dhe tjetri për cilësinë.

Për grupin e parë, do të peshohen të gjitha poҫet që ata do të bëjnë dhe, sa më e madhe të jetë pesha, aq më e lartë është nota që grupi do të merrte. Grupi i dytë do të vlerësohej sipas poҫes më të mirë që ata do të prodhojnë, pavarësisht se sa shumë do të punojnë ata në total.

“Një fakt interesant rezultoi në përfundim: të gjitha punimet e cilësisë më të lartë u prodhuan nga grupi që do të vlerësohej për sasinë”, raportojnë autorët. “Duket se ndërsa grupi ‘i sasisë’ ishte i zënë duke prodhuar në masë grumbuj të tërë me poҫe, duke mësuar ndërkohë nga gabimet, grupi ‘i cilësisë’ ishte ulur duke bërë teori për perfeksionin dhe në fund, nuk kishte asgjë për të treguar për mundin e tij me përjashtim të teorive madhështore dhe një pirgu prej balte.”

Kjo mund të tingëllojë si një apokrife e shkollës së artit hokej, por në fakt bazohet në përvojat e Jerry Uelsmann, profesor i Universitetit të Floridës, i cili në jetën reale jep mësim lëndën e fotografisë, jo të qeramikës. Por, ndërsa mediumi mund të ndryshojë, morali i fabulës mbetet njësoj. Mënyra më e mirë për të arritur një punë të shkëlqyer nuk është të synoni për punë të përsosura, por, në të shumtën e rasteve, thjesht të synoni për më shumë punë.

Kjo qasje funksionon sepse na detyron të lëmë mënjanë përsosmërinë dhe të veprojmë në botën reale –  dhe përvoja (duke përfshirë këtu dështimin) është shpesh mësuesi më i mirë.

 

“Sasia rrit cilësinë.”

Si ta përdorni këtë parim në jetën tuaj? Së pari, mos harroni se mënyra më e mirë për t’u përmirësuar në diçka nuk është të shqetësoheni dhe të studioni, por ta praktikoni atë, pavarësisht se në fillim mund të jeni tërësisht të paaftë në atë fushë. Një mënyrë tjetër e dobishme për ta detyruar veten që ta pranojë këtë realitet është të ngjisni numrin “70-20-10” në ekranin e laptopit tuaj (ose mbi rrotën tuaj të qeramikës).

Siç ka shpjeguar në Medium kompozitori jashtëzakonisht produktiv Jonathan Reed, e vërteta është se, në çfarëdolloj gjëje që po përpiqeni të bëni, 70 për qind e përpjekjeve tuaja do të jenë mediokre, 20 për qind do të jenë kot fare dhe 10 për qind do të jenë të mrekullueshme.

Këto përqindje janë të zbatueshme pavarësisht nivelit në të cilin jeni duke punuar. “E mahnitshmja” juaj mund të mos jetë e të njëjtit standard me një interpretues të klasit botëror, por edhe interpretuesit e klasit botëror e arrijnë nivelin e tyre të lartë vetëm në 10 për qind të rasteve.

Ngjiteni rregullin 70-20-10 diku në mjedisin tuaj të punës dhe kujtojini vetes, siç tregon historia e poҫeve dhe siҫ sugjeron kompozitori Reed, “Ҫështja nuk është ‘sasia apo cilësia’. Është: ‘sasia rrit cilësinë’.” / INC

Artikulli paraprakPandemia nxit lidhjet me internet, por 37% e popullsisë në botë mbeten ende “offline”
Artikulli tjetërNafta shqiptare, vdekja e ngadaltë e një industrie gjigante