Disiplina dhe organizimi në biznes
Disiplina dhe organizmi në biznes janë praktika që shpijnë në efikasitet të punës dhe shërbimit. Disa nga mjetet e zakonshme në këtë sferë janë kontratat, aktet nënligjore (urdhëresat), udhëzimet, vendimet e kështu me radhë. Disiplina dhe organizimi i punës japin rezultate të kënaqshme dhe të sakta, përderisa çrregullimi dhe rrëmuja shkaktojnë deficit (pamjaftueshmëri) dhe dështim.
Islami i kushton vëmendje të veçantë këtyre dy karakteristikave. Allahu i Lartësuar i ka vendosur të gjitha gjërat të mëdha dhe të vogla në një strukturë të organizuar.
Madje edhe aktet e ndryshme të adhurimit janë organizuar në një mënyrë të duhur. Thotë Allahu i Lartësuar:
“As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata para ditës po secili noton në një orbitë.” (Ja Sin: 40)
Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] i kushtoi rëndësi të madhe disiplinës dhe organizimit në të gjitha çështjet e tij. Organizimi i luftëtarëve në betejat e Bedrit dhe Uhudit është një shembull i qartë i këtij fakti. Allahu i Lartësuar theksoi pasojat negative të hutimit kur shigjetarët i lëshuan pozitat e tyre në kodrën Uhud, siç thotë:
“… thuaj: “Ajo është nga vetë ju!”…” (Ali- Imran: 165)
Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] i rregullonte safat (rreshtat) e adhuruesve për namaz. Ai [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] thoshte:
“Drejtoni safat ose Allahu do t’jua ndryshojë fytyrat!”
Disiplina dhe organizimi sjellin besim, zotësi dhe zhvillim në biznes. Po ashtu, ato gjenerojnë efikasitet, cilësi të lartë dhe rritje të shitjes dhe fitimit. Parimi i shpërblimit dhe ndëshkimit mund të implementohen më pas.
Regjistrimi dhe dëshmimi i transaksioneve
Është obligim që të regjistrohen dhe dëshmohen transaksionet në kohën kur ato kryhen, duke përdorur çfarëdo mjeti që i përshtatet kohës, vendit dhe kontekstit. Metodat më të preferuara mbështeten në teknologji, si: në kompjuterë, sisteme informative dhe internet. Dituria është objektiv i kërkuar për çdonjë besimtar dhe kurdo që ai e gjen atë, duhet të jetë i pari që vepron me të.
Dëshmi e regjistrimit dhe dëshmimit të transaksioneve gjendet në Fjalët e Allahut Fuqiplotë:
“… Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë te Allahu, më efortë për dëshmi dhe më afër mosdyshimit…” (El-Bekare: 282)
Sa i përket domosdoshmërisë së thirrjes së dëshmitarëve kur regjistrohen transaksionet, Allahu Fuqiplotë thotë:
“… Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dygra, nga dëshmitarët që i pëlqeni…” (El-Bekare: 282)
Dehaku transmeton se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] shiti diçka dhe e regjistroi atë.
Ai [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] i bëri mbledhësit e zekatit përgjegjës për fondet të cilat ata i mbledhnin. Kjo qartazi tregohet në hadithin vijues:
Pejgamberi [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] e caktoi një njeri të quajtur Ibn Utbija nga fisi EI- Ezd për mbledhjen e zekatit. Kur u kthye, ai tha: “Ky (d.m.th. zekati) është për juve dhe kjo më është dhënë mua si dhuratë.”
I Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel- lem] tha:
“Pse nuk qëndroi ai në shtëpinë e babait ose nënës së tij për ta parë nëse do t’i jepeshin dhurata apo jo? Pasha Atë në Duart e të Cilit është shpirti im, kushdo që nxerr diçka nga burimet e zekatit (padrejtësisht), do ta bartë atë në qafën e tij në Ditën e Ringjalljes. Në qoftë se është deve, ajo do të hungërojë; në qoftë se është lopë, do të pëllasë; në qoftë se është dele, do të blegërojë.” I Dërguari [sal-lallahu alejhi ve sel- lem] pastaj i ngriti duart derisa iu panë bardhësitë e sqetullave dhe tha tri herë: “O Allah, a nuk ua kam përçuar mesazhin Tënd?
I Dërguari [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] u kërkoi shokëve të tij (sahabëve) që ta bëjnë regjistrimin e përgjithshëm të muslimanëve:
“Regjistroni emrat e atyre njerëzve që kanë shpallur (haptazi) se janë muslimanë.”
Hudhejfe tha: “I regjistruam një mijë e pesëqind muslinianë. ”
Transmetohet nga Ada’a ibn Halid ibn Havdha se i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] ia dërgoi atij një mesazh, ku shkruante:
“Kjo është ajo të cilën Ada’a ibn Halid ibn Havdha e solli nga Muhamedi, i Dërguari i Allahut. Ai i solli këto dhe ato… transaksionet ndërmjet muslimanëve duhet të jenë larg nga dëmet dhe ligësitë.”
Regjistrimi dhe dëshmimi i transaksioneve sjell verifikimin, besimin, nënshtrimin ndaj pikave të lartpërmendura, drejtësinë në definimin e të drejtave dhe largimin e skepticizmit ndërmjet njerëzve në përgjithësi dhe shpërndarësve në veçanti. Në anën tjetër, regjistrimi u siguron biznesmenëve informata të domosdoshme për menaxhimin e biznesit. Informatat e sakta, të duhura dhe të shpejta janë bazë për vendime të drejta.
Certifikata e marrëdhënieve biznesore dhe kontratave
Çdo gjë duhet të jetë e qartë dhe evidente para se të ndërmerret ndonjë marrëdhënie biznesore. Transaksionet duhet të jenë të certifikuara me regjistrim dhe nënshtrim ndaj kontratave me pjesëmarrjen e dëshmitarëve. Garancia dhe llojet e tjera të autorizimeve janë të rëndësishme për përmbushjen e obligimeve.
Kjo buron nga Fjalët e Allahut të Madhërishëm:
“E në qoftë se gjendeni në udhëtim dhe nuk gjeni shkrues, atëherë merrni peng (paradhënie ose kapar). E nëse i besoni njëri-tjetrit, atij që i është besuar le ta zbatojë atë (amanetin) që i është besuar, dhe le të ketë frikë Allahun, Zotin e tij. Mos e fshihni dëshminë, sepse ai që e fsheh atë është mëkatar me zemrën e vet, Allahu di atë që veproni.” (El-Bekare: 283)
Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar i urdhëron muslimanët që t’i vënë në funksion kontratat:
“O ju që besuat! Zbatoni premtimet (obligimet).” (El-Maide: 1)
I Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel- lem] na fton t’i përmbushim obligimet dhe zotimet (marrëveshjet, kontratat) tona, duke na thënë:
“Kurrë mos e thyeni e as mos e hidhni mënjanë një kontratë (marrëveshje) të cilën e keni nënshkruar me dikë, derisa vetë periudha e kontratës (marrëveshjes) të përfundojë.”
Ky udhëzim përsëritet, por me fjalë të ndryshme, në një hadith tjetër, ku i Dërguari i Allahut [sal-lallahu alejhi ve sel-lem] thotë:
“Muslimanët duhet t’i përmbushin obligimet, përveç atyre të cilat e shndërrojnë të ndaluarën në të lejuar dhe anasjelltas.”
Përmbyllja e kontratave dhe mbajtja e premtimeve sjell transaksione të suksesshme, shërbime të të drejtave, zgjidhje të mosmarrëveshjeve dhe mbajtje të marrëdhënieve të mira në mesin e njerëzve të biznesit.
Përmbushja e zotimeve është cilësi e besimtarëve, përmes së cilës arrihet kënaqësia e Allahut të Lartësuar.
Arbitrazhi mirëdashës në konteste
Në shpërthim të kontesteve ose konflikteve mbi pikat e kontratave dhe transaksioneve, duhet të kihet burim arbitrazhi miqësor. Marrëveshja e zakonshme në këtë aspekt është që secili grup e zgjedhë arbitrin e tij, dhe dy arbritrat kanë zgjedhjen e një të treti (të tretit). Garanci të mjaftueshme duhet të merren nga secila palë, ashtu që rregullat e komitetit arbitror miqësor të implementohen dhe vëzhgohen para drejtësisë. Arbitrazhet miqësore dhe paqësore janë virtyte të cilat Allahu i Madhërishëm na nxit t’i pasojmë. Allahu i Lartësuar thotë:
“Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç (bisedes) kush këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve. e kush i bën këto duke pasur për qëllim vetëm kënaqësinë e Allahut, Ne do ti japim më vonë (në botën tjetër) shpërblim të madh.” (En- Nisa: 114)
Kur’ani Famëlartë fton për paqe ndërmjet njerëzve në përgjithësi në Fjalët e Allahut:
“S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër, pra bëni pajtim ndërmjet vëllezërve tuaj dhe kinie frikë Allahun, që të jeni të mëshiruar (na Zoti).” (El-Huxhurat: 10)
Në hadithin e mëposhtëm, Pejgamberi [sal- lallahu alejhi ve sel-lem] nxit pajtimin ndërmjet njerëzve me fjalët:
“Secili njeri duhet të dhurojë nga sadakaja për secilën nyje të tij çdo ditë; sjellja me drejtësi ndërmjet dy personave është sadaka; t’i ndihmosh një njeriu të hipë mbi kafshë, ose t’i ndihmosh t’i ngarkojë gjërat e tij është sadaka; fjala e mirë është sadaka; çdo hap që e merr për të shkuar në namaz është sadaka; dhe largimi i ndonjë pengese nga rruga është sadaka.”
Të qetësuarit e biznesmenëve përmes arbitrazhit miqësor në vend të gjykatave ka shumë përparësi. Për shembull, ai ofron rast të mirë për palët në konflikt që t’i tregojnë pretendimet e tyre. Veç kësaj, e shkurton periudhën e kundërshtimit dhe krijon drejtësi në mënyrë më efektive; për më tepër, harxhimet e tij janë më të pakta.