Disa sqarime në lidhje me MLM-të
1) Pyetje:
Nëse nuk bën të përfshihemi si pjesë e kompanive MLM, siç është LR, çfarë të bëjmë me produktet e blera?
Përgjigje:
Pasi tashmë keni dalë nga skema dhe nuk jeni më pjesë ose bashkëpunëtor i një kompanie MLM, si kompania e përmendur në pyetje, është në zgjedhjen tuaj: nëse nuk i dëshironi këto produkte dhe kompania i merr ato mbrapsht, atëherë kthejini ato duke marrë paratë që keni paguar. Por, nëse jo, lejohet të përfitoni prej tyre duke i dhuruar, konsumuar ose shitur, duke mos qenë më bashkëpunëtor i regjistruar i tyre.
2) Pyetje:
Në fetvanë tuaj keni thënë se lejohet të blihen produktet e MLM-ve, nëse ato janë të dobishme, por a na lejohet të qëndrojmë të regjistruara, duke përfituar nga çmimi i ulur që na jep mundësi regjistrimi, qoftë për t’i konsumuar për vetë qoftë për t’i shitur, ndërkohë që nuk bëjmë të tjera regjistrime nën kodin tonë?
Përgjigje:
Ajo që ne kemi thënë shprehimisht është kjo: “… atëherë nuk lejohet përfshirja në to si bashkëpunëtor, ortak ose partner, apo çfarëdo emri tjerët që i vihet atyre që marketojnë produktet e tyre… dhe i këshillojmë ata të ndërpresin marrëdhëniet e mëtejshme me ta”
Pra kemi thënë qartë se nuk lejohet të vazhdohet më si të regjistruar në të tilla kompani, dhe kur kemi folur për vetë produktin kemi thënë tekstualisht: “Ndërkohë,vetë produktet që shiten nga këto kompani, lejohet të blihen dhe konsumohen, nëse ato nuk kanë përmbajtje haram dhe ka dobi prej tyre.” pa marrë parasysh se nga blihet ai produkt.
Kështu që në fetva është e qartë se flitet për vetë produktin dhe kjo nuk nënkupton aspak që këto blerje lejohet të bëhen duke qenë i regjistruar si bashkëpunëtor, ndërkohë që pak rreshta më sipër, siç e sqaruam, kjo gjë është thënë qartë se nuk bën. Nëse do të ishte e kundërta, siç aludohet në pyetje, atëherë brenda pak rreshtave fetvaja do të ishte kontradiktore me vetveten. Fetvaja duhet lexuar si një e tërë dhe e pandarë, që të mos lindin këto keqkuptime.
Ndërsa çmimi i ulët, që përmendet si justifikim, nuk përbën arsye të mjaftueshme fetare apo domosdoshmëri jetike për tu bërë pjesë e skemës së ndaluar me të cilën operon kompania. Allahu thotë në Kuran: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi!” (el-Maide:2) Kështu që ky çmim më i lirë që përfitohet nga kompania vjen kundrejt gjynahut i të qenit bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë me ta në diçka të ndaluar.
Fetvaja ndan ndërmjet vetë produktit, që mund të jetë hallall dhe i dobishëm dhe skemës së ndaluar me të cilën kompania e shet atë, për arsye se:
– Blerja e produktit nga klienti (jo-bashkëpunëtor) nuk shton numrin e të rekrutuarve në skemën e ndaluar, ndërsa regjistrimi po.
– Bashkëpunëtori është pjesë e skemës së ndaluar, dhe përfiton prej saj, ndërsa klienti (jo-bashkëpunëtor) nuk është pjesë e skemës, ai përfiton vetëm produktin.
– Qëllimi i klientit është vetëm produkti, ndërsa qëllimi parësor i bashkëpunëtorit është fitimi dhe dhuratat që ofron skema.
Kështu që fakti se kompania nuk e shet produktin vetëm se nëpërmjet bashkëpunëtorëve, kjo nuk e bën fajtor një klient që nuk është i tillë. Është njëlloj si dikush që blen një produkt hallall nga një njeri që shet edhe produkte haram, blerësi në këtë rast nuk ka gjynah, por gjynahu bie mbi shitësin.
Po, këtu mund të shtojmë se do të ishte mirë që këto kompani dhe produktet e tyre të bojkotoheshin sa më shumë të qe e mundur, për aq kohë sa për këto produkte ka alternativa të tjera të ngjashme me to, nëse jo, blerja e produktit nga një klient i thjeshtë (jo-bashkëpunëtor) nuk përbën diçka të ndaluar.
Allahu e di më së miri.
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH