‘Dil prej socialit’, Abrashi iu bën thirrje bizneseve ta shfrytëzojnë mundësin e përfitimit

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, iu ka bërë thirrje bizneseve që ta shfrytëzojnë mundësin e përfitimit nga programi ‘Dil prej socialit’ që do t’i subvencionon bizneset me të holla nëse marrin në punë një qytetar që është përfitues i socialit.

Qëllimi është që një pjesë e pagës t’i paguhet nga Ministria e Punës ndërsa pjesa tjetër nga punëdhënësi.

“’Dil prej socialit’. Kanë mbetur edhe disa ditë për aplikim. Deri më tani bizneset kanë aplikuar me disa qindra vende të lira pune. Të gjithë ju që keni vende të lira pune në ofertë, shfrytëzoni këtë mundësi dhe përfitoni nga skemat e Ministrisë, dhe njëkohësisht ndihmoni të largojmë familjet nga asistenca sociale”, ka shkruar Abrashi në Facebook.

Kjo eshte thirrja për të aplikuar bizneset nga kjo mundësi:

THIRRJE PËR APLIKIM

Ministria e Punes dhe Mirëqenies Sociale do të realizoj projektin “Ngritja e kapaciteteve për tregun e punës të punëkërkuesve të asistencës sociale kategoria e II-të, si dhe të ndërmjetësimit në punësim përmes programit të subvencionimit të pagave”, ka për qëllim të mbështesë tranzicionin e punëkërkuesve të kategorisë së dytë të ndihmave sociale në drejtim të punësimit të qëndrueshëm në partneritet me sektorin privat. Për këtë qëllim, MPMS-së fton të gjitha ndërmarrjet me apliku me vendet e lira të punës për të marrë kandidatë në kuadër të programit të subvencionimit të pagave. Programi i subvencionimit të pagave si masë e tregut të punës synon të krijoj mundësi punësimi për punëkërkuesit duke subvencionuar punëdhënësitë që dëshirojnë t’i rekrutojnë ata në periudha afatgjate.

Punëdhënësi dhe kandidati duhet të lidhin kontratë pune në kohëzgjatje 12 muaj. Kohëzgjatja e subvencionimit nga MPMS-së do të përcaktohet varësisht nga buxheti nacional i MPMS-së për masat aktive të tregut të punës, por nuk do të jetë më pak se 6 muaj. Vlera e subvencionimit për muaj për punëdhënësitë do të jetë 130 euro. Numri maksimal i kandidatëve që mund të vendosen me një kompani apo ndërmarrje do të jetë: 5. Sektorët me prioritet në përzgjedhjen e kompanive apo ndërmarrjeve që do të përfitojnë nga projekti janë: Përpunimi i ushqimit dhe industria e paketimit; TIK së bashku me kontraktimin e procesit të biznesit dhe sektorin e qendrave për mbështetjen e klientëve; Industria e përpunimit të metaleve; Industria e tekstilit; Turizmi; dhe, industria e përpunimit të drurit. Mirëpo sektorët tjerë nuk janë të përjashtuar.

Projekti targeton përfituesitë e ndihmave sociale kategoria e II-të ata të cilët kanë profile dhe mund të ndërmjetësohen direkt në punësim, ndërsa ata të cilat janë të pakualifikuar do të marrin pjesë në aftësime profesionale në Qendrat e Aftësimeve Profesionale dhe pastaj do të ndërmjetësohen në punësim.

Afati i aplikimit: 10, nëntor – 10, dhjetor, 2016.

Vendi i aplikimit: Zyra e Punësimit në komunen ku vepron ndërmarrja.

Kohëzgjatja e projektit: 01, shkurt, 2017 – 31, janar, 2018

Artikulli paraprakTë diplomuar, por të papërgatitur të hyjnë në tregun e punës
Artikulli tjetërBrezovica rekomandohet si top destinacion i lirë për skijim