Dallaveret me tokat

54 hektarë tokë janë shitur për 75 përkatësisht 65 euro për ari. Toka e shitur është në kuadër të Zonës së Veçantë për Mihjen e re.

Nga shitja e këtyre pronave, shteti ka përfituar 370 mijë euro.

Por, do të paguajë shumë herë më shumë për këtë tokë. Nëse të gjitha këto toka në të ardhmen shpronësohen nga KEK-u, kjo ndërmarrje do të detyrohet të paguajë hiq më pak se 2 milionë e 800 mijë euro, nëse kalkulohet çmimi minimal për tokë bujqësore prej 500 euro ari.

Agjencia Kosovare e Privatizimit i ka privatizuar 56 hektarë tokë bujqësore me çmime simbolike. Toka e privatizuar gjendet në Zonën e Interesit të shpallur nga Qeveria e Kosovës me qëllim të zgjerimit të mihjes së qymyrit.

Disa nga këto toka, shteti synon sërish t’i shpronësojë me qëllim të zgjerimit të mihjes së re. Gati gjysma e këtyre pronave të shitura gjenden në afërsi të termocentralit Kosova B dhe vendit ku potencialisht mund të ndërtohet termocentrali i ri.

Këto toka janë shitur për 75 përkatësisht 64 euro për ari. Nga shitja e këtyre pronave, shteti ka përfituar 370 mijë euro. Nëse të gjitha këto toka në të ardhmen shpronësohen nga KEK-u, kjo ndërmarrje do të detyrohet të paguajë hiq më pak se 2 milionë e 800 mijë euro, nëse kalkulohet çmimi minimal për tokë bujqësore prej 500 euro ari.

E nëse vetëm gjysma e kësaj toke do të shpronësohet në të ardhmen, KEK-u do të obligohet të paguajë rreth 1 milionë e 500 mijë euro.

Banorët presin fitime të majme nga toka e shtetit

AKP-ja, që i përgjigjet Kuvendit, i ka shitur këto toka bujqësore për 75 përkatësisht 64 euro për ari. Tash, KEK-u po synon ta blejë atë më një çmim shumë më të shtrenjtë. Mirëpo, ende nuk dihet se sa do të paguajë KEK-u, aksionar kryesor në të cilën është qeveria e Kosovës. Por, banorët e Obiliqit presin çmime të majme nga KEK-ut.

“Thuhet se çmimi minimal është 500 euro për ari, ndërsa ai maksimal mund të shkojë deri në 3 mijë euro”, thotë një banor, emri i të cilët është në listën e KEK-ut për shpronësim të pronave në Komunën e Obiliqit.

Të gjitha mjetet që KEK-u i shpenzon për shpronësimin e tokave me qëllim të zgjerimit të mihjes apo ndërtimit të termocentralit të ri do të paguhen indirekt nga qytetarët e Kosovës, përmes faturave të energjisë elektrike. Meqë, tregu i energjisë elektrike në Kosovës është i rregulluar, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ia njeh KEK-ut shpenzimet për shpronësime, pasi ato bëhen me qëllim të zgjerimit të mihjes.

Në vendimin e KEK-ut për shpronësime, i cili është publikuar në disa gazeta ditore në formë të marketingut, thuhet se për vitin 2016 janë ndarë 3 milionë e 875 mijë euro për shpronësimin e pronave. Madje, thuhet se mjetet tjera do të ndahen në vitet pasuese në vartësi të dinamikes së zhvendosjeve. Ashtu siç është faturuar kjo zhvendosje në faturat e këtij viti, ZRRE-ja do t’ia njohë koston e shpronësimeve edhe në vitet pasuese KEK-ut, pasi sigurimi i qymyrit është domosdoshmëri për prodhimin e energjisë elektrike.

Kjo pronë është shitur nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në vitin 2012, apo disa vjet pasi qeveria e kishte shpallur këtë Zonë me interes për shtetin.

Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte shpallur zonë të interesit një sipërfaqe me qindra hektarë tokë në afërsi të mihjes në Obiliq. Fillimisht ishte shpallur si zonë e interesit me vendimin e Qeverisë me numër 4/119, të datës 3 nëntor të vitit 2004. Ishte rikonfirmuar edhe njëherë me 11 mars 2009 (N2.02/57) nga Qeveria e Kosovës e cila drejtohej nga kryeministri Hashim Thaçi. Në këtë zonë të interesit ishte i ndaluar ndërtimi, pasi shteti synonte të shpronësonte me qëllim të zgjerimit të mihjes së re prej nga do të furnizohej me qymyr termocentrali i ri dhe ato ekzistuese.

Pazari me Zonën e Interesit

Por, afërsisht tri vjet pas vendimit të dytë të qeverisë për të rikonfirmuar këto fshatra si zonë të interesit, Agjencia Kosovare e Privatizimit e kishte qit në shitje disa ngastra kadastrale që së bashku kishin një sipërfaqe prej 21 hektar e 60 ari. Këto toka shtriheshin në fshatin Leshkoshiq dhe një pjesë edhe në fshatin Caravodicë, në zonën e interesit. Ato janë shitur për 162 mijë e 162 euro. Pra, një ari është shitur për vetëm 75 euro.

Një pjesë e madhe e këtyre tokave shoqërore të shitura nga AKP-ja janë në kuadër të zonës së interesit të shpallur nga qeveria e Kosovës të cilët KEK-u synon ta shpronësoj. Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk është përgjigjur në pjesën më të madhe të pyetjeve të Gazetës Jeta në Kosovë. AKP-ja nuk ka treguar nëse kanë qenë të informuar se tokat bujqësore kanë qenë në kuadër të zonës së interesit. Nuk janë përgjigjur as në pyetjen e gazetës, nëse AKP-së i lejohet privatizimi i tokave të cilat shtrihen në kuadër të zonës së Interesit.

Blerësi i kësaj toke në listat e publikuara nga AKP-ja figuron Nazmi Çitaku. Ai figuron edhe në listën e pronarëve të cilëve do të ju shpronësohet prona nga KEK-u me qëllim të zgjerimit të mihjes. Së bashku me të, në listën e publikuar të KEK-u është edhe vëllai i tij, disa persona të Familjes Makolli dhe një persona i Familjes Zeneli.

“Këtë tokë e kemi privatizuar tri familje. Unë së bashku me vëllain e kam 1/3 e kësaj toke. Ramadan Makolli me familje e ka 1/3 e sipërfaqes dhe Vllaznim Zeneli e ka pjesën e njëjtë”, thotë Nazmi Çitaku.

Thotë se tokën e kanë blerë në proces të rregullt konkurrues të iniciuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe “nuk kanë afërsi” me asnjë prej zyrtarëve shtetërorë dhe as me partitë politike.

“Jemi ba bashkë krejt familjet dhe kemi konkurruar, sepse nuk kemi pasur mjete për me ble të vetëm. Ne kemi qenë me ofertën më të shtrenjtën, dikund mbi 60 mijë euro kemi qenë më të shtrenjtë se sa oferta e dytë”, thotë Çitaku.

Thotë se i ka dëgjuar të gjitha ato që fliten për të në Obiliq, pasi privatizimit të kësaj toke.

“Më kanë lidh me shumë njerëz, por unë nuk e njohë askënd dhe nuk i kam të afërm. Kemi konkurruar dhe e kemi blerë. Me pas të njohshëm e kisha ble i vetëm dhe nuk kisha ofertu me 60 mijë euro më shtrenjtë, gati dyfishin e ofertës së dytë”, tha Çitaku. Ajo që thotë Çitaku faktohet në dokumentet e publikuara nga AKP-ja për ofertimin e bërë për këtë tokë. Kanë qenë edhe dy oferta të tjera, njëra 77 mijë euro dhe tjetra 43 mijë euro.

Çitaku, blerjen e tokës e konsideron çështje fati dhe punë biznesi.

“Çdo njeri ka mund të blej një tokë më herë dhe më vonë të shesë shumë më shtrenjtë. Edhe ne ketë e kemi blerë dhe tash mund të blihet nga KEK-u, por kështu e ka tregtia”, tha Çitaku për Gazetën Jeta në Kosovë. Përkundër kësaj, ai e pranonë se kanë qenë në dijeni se ajo tokë në të ardhmen mund të blehet serish nga KEK-u.

“Normal që e kemi ditur, mirëpo më duhet të them se ne e kemi blerë për të investuar në bujqësi”, thotë Çitaku.

Nuk e lë pa i përmendur rastet e ndërtimeve ilegale nëpër zonën e interesit.

“Unë jam pronar i një depo ndërtimore. Pra, kam pasur mundësi me i ndërtu jo një e dy, por 10 shtëpia apo me ndërtu sera, mirëpo nuk kam dashur të bëjë një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Privatizimi i tokës nga AKP-ja është alarmuar nga banorët e fshatit Hade gjatë hulumtimeve të bëra për emisionin “Jeta në Kosovë”.

Në afërsi të tokës së privatizuar nga Çitaku, AKP-ja në të njejtën valë të privatizimit i ka shitur edhe 10 hektar të tjerë. Këto 10 hektar tokë i ndanë vetëm një arë me shiritin transportues të qymyrit. Toka prej 10 hektarë e 61 ari është në mes të Hadës dhe Caravadicës. Ajo është shitur për 51 mijë euro. Në listën e tokave të shitura të publikuar nga AKP-ja, si blerës figuron Bajram Krasniqi. Në afërsi të këtyre parcelave, AKP-ja i ka shitur edhe 1 hektar e 39 ari për vetëm 5 mijë euro.

Në listën e tokave të shitura në këtë Zonë të Interesit figuron edhe një tokë bujqësore prej 23 hektarë e 46 ari. Kjo tokë është privatizuar në vitin 2012 për një shumë prej 151 mijë euro. Pra, AKP-ja e ka shitur një ari për vetëm 65 euro. Kjo tokë është në afërsi të Termocentralit “Kosova B”. Madje, vetëm një rrugë e ndanë Termocentralin me këtë tokë prej 23 hektarëve e cila është privatizuar.

Qeveria e Kosovës ende nuk ka vendosur për lokacionin e Termocentralit Kosova e Re. Mirëpo nëse do të vendoset të jetë afër TC Kosova B atëherë mund të bie në këtë parcelë, apo përball saj nëse termocentrali i ri do të jetë në të njëjtin rend me Kosovën B.

Faji jetim

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi thotë se si komunë nuk janë pyetur para se të privatizohen këto toka. Ka thënë se toka është privatizuar para se ai të jenë në pushtet.

Edhe Korporata Energjetike e Kosovës është shfajësuar për privatizimin nga AKP-ja të tokës që gjendet brenda zonës së interesit. KEK-u në muajin shtator e ka iniciuar një fazë të re të zhvendosjeve. Në këtë fazë, e cila do të zgjasë deri në vitin 2024 parashihen të shpronësohen rreth 122 hektar tokë.

KEK-u i ka publikuar emrat e pronarëve të tokave të cilat synon t’i blejë në një të afërm. Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli thotë se në këtë fazë do të privatizohen vetëm një parcelë prej 46 ari e cila më parë ka qenë pronë shoqërore e menaxhuar nga AKP-ja.

“Nga këto ngastra, bazuar në të dhënat që KEK ka marr në komunën e Obiliqit, e që janë përfshirë në procedurë të shpronësimit gjendet vetëm një ngastër (1104/1) me hapësirë prej 46 ari, në bashkëpronësi të 8 qytetarëve dhe asnjë nga këta pronarë nuk janë punëtorë të KEK-ut”, ka thënë Bucolli.

Prona për të cilën flet Bucolli renditet e 129. Mirëpo, në të njëjtën listë është edhe një pronë me numër rendor 190, në të cilën thuhet se janë 96 ari. Vetë, pronari i këtyre tokave, Nazmi Çitaku nuk ka informacione të saktë për sipërfaqen e tokës që do të shpronësohet tash nga KEK-ut. Thotë se sipërfaqja duhet të jetë më e madhe se 46 ari, pasi e gjithë toka është në të njëjtën hapësirë dhe nuk ka shkëputje.

Zëdhënësi i KEK-ut, Bucolli thotë se shënimet për pronave dhe pronarëve i marrin nga shërbimet kadastrale të Komunës, pasi KEK-u funksionon në bazë të planeve zhvillimore dhe elaborateve të shpronësimit për përvetësimin e tokave në bazë të atyre planeve.

“Prandaj KEK nuk ka asnjë mundësi t’i njohë dhe t’i dijë pronarët e pronave për të cilat nuk përfshihen në elaboratin e shpronësimit, pasi qe identifikimi i pronave dhe pronarëve bëhet vetëm në rast të përgatitjes së elaborateve pas inicimit të procedurës së zhvendosjes”, tha ai.

Thotë se listën e pronarëve për këtë pjesë që synojnë ta shpronësojnë e kanë marr nga Komuna e Obiliqit, në maj të vitit 2016.

Kufizimet në Zonën e Interesit

“Kjo datë me të dhëna numerike shërben si datë prerje për fillimin e shpronësimit të 120 hektar. Certifikatat pronësisë janë lëshuar nga Kadastra e Obiliqit për çdo parcelë veç e veç”, tha zëdhënësi i KEK-ut.

KEK-u thotë se mos e ketë të lejuar të futet në proces të privatizimit në mënyrën se si e aplikon AKP-ja.

“KEK-sh.a. si ndërmarrje publike e ka të ndaluar të marrë pjesë në tender dhe të ofertojë. Bazuar në nenin 4 të të dy dokumenteve “Ofertuesit me ndalesë ofertimi” nën (a) ndërmarrjet publike e kane te ndaluar të marrin pjesë në tenderë dhe të ofertojnë”, tha zëdhënësi i KEK-ut.

KEK-u, sipas tij, mund të bëjë shpronësime vetëm në bazë të dy rregullave tjera.

“KEK-u ka të drejtë të beje përvetësimin tokave për zhvillim të mihjes vetëm duke u bazuar në Kornizën e Politikave të Zhvendosjes (KPZH) ose Ligjit të Shpronësimit ku përcaktohen qartë forma e kompensimit të pronarëve dhe banorëve”, tha ai.

AKP-ja nuk është përgjigjur nëse asaj i lejohet që t’i privatizojë tokat të cilat gjinden në një zonë të interesit të shpallur nga Qeveria e Kosovës. Kjo e fundit, duke i shpallur si objekte me interes ka arritur që të parandalojë privatizimin e disa objekteve nga AKP-ja. Ndërtesën e Ish-ndërmarrjes Rilindja e ka rinovuar, ndërsa tash shërben si ndërtesë e qeverisë së Kosovës. Njëjtë ka vepruar edhe më ndërtesën e ish-ndërmarrjes Shoqërore Gërmia.

Ndërkohë, në Planin Hapësinor për Zona me Interes të Veçantë Ekonomik: “Fusha e Mihjes së Re” nuk është cekur në asnjë vend për pronat shoqërore që janë në kuadër të zonës së Interesit.

“Në vendbanimet që duhet të zhvendosen, sipas avancimit të zhvillimeve bazuar në Planin Kryesor Minerar, autoritetet komunale marrin vendim mbi ndalimin e ndërtimeve të reja pas inventarizimit të pasurisë së paluajtshme”, thuhet Planin Hapësinor për Zona me Interes të Veçantë Ekonomik: “Fusha e Mihjes së Re”, dokument i miratuar nga Kuvendi. “Ndërtimet e objekteve të reja të banimit, në periudhën pas marrjes së vendimit nga autoritetet komunale mbi ndalimin e ndërtimit tyre deri para fillimit të procesit të zhvendosjes, konsiderohen ndërtime ilegale dhe nuk kompensohet.”

Ndërsa, në AKP kanë treguar për procedurën që mund të ndjek një komunë për të parandaluar privatizimin e një prone shoqërore.

“Komunat përmes Ligjit për Dhënie në Shfrytëzim dhe Këmbim të Pronës kanë mundësi që të bëjnë kërkesë për këmbim dhe procedurat e AKP-së bazohet në ligjin e përmendur”, tha Veton Hajdini nga Zyra për Informim e AKP-së.

Mirëpo, tokat e ndërmarrjeve që tashmë kanë hy në procesin e likuidimit nuk mund këmbehen apo të jepen në shfrytëzim.

Një nga kushtet e para që një komunë të mund të këmbej një pronë shoqërore me një komunale është shpallja e zonës ku gjendet prona shoqërore si zonë me interes. Pra, sipas Hajdinit, duhet të ketë një vendim të Kuvendit të Komunës për shpalljen e interesit publik në ngastrat kadastrale që evidentohen si pronë e Ndërmarrjes Shoqërore.

Emisioni Jeta në Kosovë e ka trajtuar cështjen e zhvendosjeve në zonën e KEK-ut. Në emisionin e parë janë trajtuar shkeljet që i ka bërë shteti me rastin e zhvendosjeve të banorëve të Hadës.

 

Artikulli paraprakAKP lejon shitjen e xeheve të Trepçës
Artikulli tjetër23 milionë euro për grante investive