Çrregullimi informativ, një plagë e realitetit të sotëm

Ky artikull është nxjerrë nga një raport i Këshillit Europian rreth çrregullimit të informacionit, si një përpjekje për të shqyrtuar në mënyrë gjithëpërfshirëse çrregullimin informativ dhe sfidat që lidhen me të, si p.sh. flluskat filtruese dhe dhomat jehuese. Ndonëse ndikimi historik i përmbajtjes së bazuar në thashetheme dhe sajesa është dokumentuar më së miri, ne gjykojmë se teknologjia sociale bashkëkohore do të thotë se jemi dëshmitarë të diçkaje të re: ndotjes së informacionit në shkallë globale; një rrjeti kompleks motivimesh për t’i krijuar, për t’i shpërndarë dhe për t’i konsumuar këto mesazhe “të ndotura”; mbi përdorimin e një shumëllojshmërie përmbajtjesh dhe teknikash për amplifikimin e përmbajtjes; platformash të panumërta hostimi dhe riprodhimi të kësaj përmbajtje; si dhe një shpejtësie marramendëse të komunikimit mes miqsh/kolegësh të besuar.

Është e vështirë të përcaktohet në mënyrë sasiore ndikimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë i ndotjes së informacionit. Jemi vetëm në fillim të fazave të të kuptuarit të implikimeve që ato kanë. Që prej rezultateve të votimit Brexit në Mbretërinë e Bashkuar, fitores së Donald Trump-it në Amerikë dhe vendimit së fundi të Kenias për anulimin e rezultateve zgjedhore kombëtare, është diskutuar shumë se si deformimi i informacionit ndikon tek demokracia. Megjithatë, më shqetësuese janë implikimet afatgjata të fushatave dezinformuese të projektuara posaçërisht për të mbjellë mosbesim dhe konfuzion, si dhe për të thelluar edhe më shumë dallimet ekzistuese social-kulturore, duke përdorur tensionet nacionaliste, etnike, racore e fetare.

Atëherë, si fillojmë ta adresojmë ndotjen e informacionit? Për ta trajtuar me efikasitet problemin e dezinformimit dhe keqinformimit, duhet fillimisht të kuptojmë parametrat me poshtë:

  1. Përkufizimet. Të mendojmë në mënyrë më kritike për gjuhën që përdorim, në mënyrë që të kapim si duhet kompleksitetin e fenomeneve;
  2. Implikimet për demokracinë. Hetimi si duhet i implikimeve për demokracinë, kur në internet qarkullojnë informacione të rreme ose çorientuese;
  3. Rolin e televizionit. Qartësimi i fuqisë që ka media tradicionale dhe veçanërisht televizioni, në shpërndarjen dhe amplifikimin e informacioneve jocilësore që rrjedhin nga media online;
  4. Implikimet e medias së dobësuar lokale. Duhet kuptuar se si rënia e gazetarisë lokale ka krijuar kushtet që dezinformimi dhe çinformimi të marrin kontrollin, dhe gjetja e mënyrave për të mbështetur gazetarinë lokale;
  5. Mikro-shënjestrimin. Dallimi i shkallës dhe ndikimit të fushatave që përdorin profile demografike dhe sjellje online për të shënjestruar në nivel mikro informacionet e rreme ose çorientuese;
  6. Amplifikimin kompjuterik. Hetimi i shkallës në të cilën ndikimi blihet përmes astroturfing dixhital — përdorimi i bot-eve dhe siborgëve për manipulimin e rezultateve të kërkesave online, ndryshimin e rezultateve të motorëve të kërkimit, si dhe përforcimin e mesazheve të caktuara në mediat sociale;
  7. Flluskat filtruese dhe dhomat jehuese. Të pasurit parasysh të implikimeve të flluskave filtruese dhe dhomave jehuese që janë krijuar për shkak të fragmentimit të medias, si të asaj offline (ndërmjetësuar përmes bisedave partiake në radio dhe rrjeteve kabllore), dhe asaj online (përmes faqeve të internetit hiper-partizane, kontributeve të gjeneruara në mënyrë algoritmike në rrjetet sociale dhe feed-s radikale në WhatsApp, Reddit dhe 4chan.)
  8. Rënia e besimit tek provat. Të kuptuarit e implikimeve që ka mungesa e sensit të realitetit nga komunitete të ndryshme bazuar tek faktet dhe ekspertiza. Duhet të përpiqemi të mos përdorim termin ‘fake news’ (lajme të rreme), për dy arsye. Së pari, është një term aspak i përshtatshëm për të përshkruar fenomenet komplekse të ndotjes së informacionit. Ky term ka filluar gjithashtu të përvetësohet nga politikanët në të gjithë botën për të përshkruar organizatat e lajmeve, me mbulimin e të cilave ata nuk bien dakord. Kështu, ‘fake news’ po bëhet një mekanizëm, përmes të cilit të fuqishmit mund të shtrëngojnë, të kufizojnë, të dëmtojnë dhe të anashkalojnë shtypin e lirë.

Prandaj, po prezantojmë një kuadër të ri konceptual për shqyrtimin e çrregullimit të informacionit, duke identifikuar tre lloje të tij: çinformimin, dezinformimin dhe keqinformimin.

Duke përdorur dimensionet e dëmit dhe falsitetit, po përshkruajmë ndryshimet mes këtyre tre llojeve të informimit:

§ çinformimi u referohet rasteve kur jepet informacion i pavërtetë, por pa pasur për qëllim të shkaktojë dëme.
§ dezinformimi është rasti kur me vetëdije jepet informacion i pavërtetë për të shkaktuar dëme.
§ keqinformimi ndodh kur jepet informacion i vërtetë për të shkaktuar dëme, duke publikuar shpesh informacione që duhet të mbahen private.

Ne kuadrin tonë konceptual ka tre komponentë dhe secili ndahet në tre pjesë:

1) Tre llojet e Çrregullimit informativ: Çinformimi, Dezinformimi dhe Keqinformimi
2) Tre fazat e Çrregullimit informativ: Krijimi, Prodhimi dhe Shpërndarja
3) Tre elementët e Çrregullimit informativ: Agjenti, Mesazhi dhe Interpretuesi

Tre llojet e Çrregullimit Informativ:

Shumica e diskutimeve mbi “fake news” sillet rreth tre koncepteve: çinformimi, dezinformomi dhe keqinformimi. Është e rëndësishme të dallojmë mesazhet e vërteta nga ato të rreme, si edhe mesazhet që krijohen, prodhohen dhe shpërndahen nga “agjentë” me qëllim për të dëmtuar nga ato që nuk nisen me këtë qëllim:

  • Dezinformimi. Informacion i rremë dhe i krijuar qëllimisht për të dëmtuar një person, grup shoqëror, organizatë apo shtet.
  • Çinformimi. Informacion i rremë, por i krijuar jo me qëllimin për të dëmtuar.
  • Keqinformim. Informacion që bazohet në realitet, i përdorur për të shkaktuar dëm te një person, organizatë apo shtet.

Zgjedhjet presidenciale franceze të vitin 2017 na japin shembuj që ilustrojnë të tre llojet e çrregullimit informativ.

1) Shembuj të dezinformimit:

Një nga mashtrimet më të mëdha të fushatës ishte krijimi i një dublikate shumë të sofistikuar të gazetës belge Le Soir, me artikullin e rremë ku pretendohet se Macron financohej nga Arabia Saudite. Një tjetër shembull ishte qarkullimi i dokumenteve në internet me pretendimin e rremë se Macron kishte hapur një llogari bankare offshore në Bahamas.

2) Shembuj të çinformimit:

Sulmi ndaj Champs Elysees më 20 prill 2017 frymëzoi shumë çinformim, siç ndodh pothuaj në të gjitha rastet e breaking news. Në mediat sociale, individët postonin pa vetëdije thashetheme, për shembull, që ishte vrarë një polic i dytë. Personat që e (shpër)ndajnë këtë lloj përmbajtje rrallë e bëjnë me qëllimin për të dëmtuar. Më së shumti, ata kapen nga vala e momentit dhe përpiqen të ndihmojnë, pa arritur të verifikojnë informacionin që po (shpër)ndajnë.

3) Shembuj të keqinformimit:

Shembulli tipik i keqinformimit ishte kur e-mailet e Emmanuel Macron-it rrodhën të premten, para votimit të balotazhit më 7 maj. Informacioni në këto e-maile ishte i vërtetë, edhe pse pretendohet se fushata e Macron-it përmbante informacion të rremë për të zbutur ndikimin e rrjedhjeve të mundshme të informacionit. Megjithatë, nxjerrja e informacioneve private në sferën publike pak minuta para heshtjes zgjedhore në Francë, kishte për synim të dëmtonte fushatën e Macron-it.

Fazat dhe Elementët e Çrregullimit Informativ

Për të kuptuar më lehtë çdo rast çrregullimi informativ, ia vlen të ndalemi në tre elementë:

1) Agjenti. Cilët ishin ‘agjentët’ që krijuan, prodhuan dhe shpërndanë rastin dhe çfarë motivi/arsyeje kishin?
2) Mesazhi. Çfarë lloj mesazhi ishte? Çfarë formati kishte? Çfarë karakteristikash kishte?
3) Interpretuesi. Kur mesazhi arriti te dikush, si e interpretuan ata? A ndërmorën ndonjë veprim dhe çfarë?

Ne gjykojmë se është e dobishme që çdo rast i çrregullimit informativ të shihet në tri faza:

  1. Krijimi. Mesazhi krijohet.
  2. Prodhimi. Mesazhi shndërrohet në produkt mediatik.
  3. Shpërndarja. Mesazhi shpërndahet ose bëhet publik.

Është veçanërisht e rëndësishme të shohim fazat e ndryshme të një rasti çrregullimi informativ në çdo element të tij, sepse agjenti që krijon përmbajtjen është shpesh i ndryshëm nga agjenti që e prodhon. P.sh. motivimi i ideatorit që ‘krijon’ një fushatë dezinformimi të financuar prej shtetit është shumë i ndryshëm nga motivimi i atyre ‘trolleve’ që paguhen për t’i shndërruar temat e fushatës në postime specifike. Pasi mesazhi shpërndahet, ai mund të riprodhohet dhe të rishpërndahet pambarimisht nga shumë agjentë, ku secili ka motivimin e vet të ndryshëm nga të tjerët. P.sh. postimi i një medie sociale mund të shpërndahet nga komunitete të ndryshme, pastaj mesazhi merret dhe riprodhohet nga media tradicionale dhe shpërndahet edhe më tej te komunitete të tjera. Këto nuanca arrijmë t’i kuptojmë vetëm nëse e analizojmë çrregullimin informativ në këtë mënyrë.

Roli i medias tradicionale si agjentë në amplifikimin (me qëllim apo jo) të lajmeve të sajuara apo keqorientuese është thelbësor për të kuptuar çrregullimin informativ. Verifikimi i fakteve gjithmonë ka qenë thelbësor për gazetarinë cilësore, por teknikat e përdorura nga mashtruesit dhe teknikat që përdorin ata që përpiqen të përhapin dezinformimin nuk kanë qenë kurrë më të sofistikuara se tani. Sot kur redaksitë e lajmeve bazohen gjithnjë e më shumë te mediat sociale për ide shkrimesh dhe përmbajtje, aftësitë e verifikimit ligjor dhe aftësitë për identifikimin e rrjeteve të faqeve automatike apo portaleve që sajojnë lajme, bëhen më të rëndësishme se kurrë.

Tre elementët e Çrregullimit Informativ:

Agjenti

Agjentët përfshihen në të tri fazat e zinxhirit informativ – krijimi, prodhimi dhe shpërndarja – dhe kanë motivime të ndryshme. E rëndësishme është se karakteristikat e agjentëve mund të ndryshojnë nga faza në fazë.

Sugjerojmë të bëni shtatë pyetje për agjentët:

Krijimi – Artikulli konceptohet nga një person i paidentifikuar.
Shpërndarja – Artikulli u (shpër)nda në Facebook nga dikush që punon për këtë rrjet portalesh sajuese.
Ri-Prodhimi – Artikulli u (shpër)nda nga persona të lidhur me rrjetin e portaleve sajuese, me qëllim amplifikimin e ndikimit të artikullit dhe rritjen e fitimeve. Artikulli u (shpër)nda nga përkrahësit e Hillary Clinton-it për të treguar sa kollaj gënjeheshin përkrahësit e Trump-it.
Prodhimi – Artikulli u publikua në faqen WTOE5 News, pjesë e rrjetit të 43 portaleve sajuese që publikuan mbi 750 artikuj.

1) Çfarë lloj aktori janë? Agjentët mund të jenë subjekte zyrtare, si shërbimet e inteligjencës, partitë politike, agjencitë e lajmeve. Por, mund të jenë edhe jozyrtare, si grupet e qytetarëve që predikojnë për një kauzë.

2) Sa të organizuar janë? Agjentët mund të punojnë individualisht në organizata solide për një kohë të gjatë (p.sh. firmat e Marrëdhënieve me Publikun apo grupet lobuese) ose grupet e organizuara rishtas rreth interesave të përbashkëta.

3) Çfarë motivimesh kanë? Katër janë faktorët motivues: Financiar: Përfitimi nga çrregullimi informativ përmes reklamës; Politik: Diskreditimi i një kandidati politik në zgjedhje dhe tentativa të tjera për të ndikuar te opinioni publik; Social: Lidhja me një grup të caktuar në internet apo jashtë tij; dhe Psikologjik: Kërkimi i prestigjit apo forcimit të pozitave.

4) Te cilat audienca synojnë të arrijnë?
Agjentë të ndryshëm mund të kenë audienca të ndryshme në mendje. Këto audienca mund të variojnë nga lista e e-maileve apo klientëve të një organizate, te grupet sociale bazuar në karakteristika socio-ekonomike apo te tërë shoqëria.

5) A po përdor agjenti teknologji të automatizuar?
Automatizimi i krijimit dhe përhapjes së mesazheve në internet është bërë shumë i kollajtë dhe për më tepër shumë më i lirë. Ka shumë diskutime se si të përkufizohet boti. Një përkufizim i përhapur nga Oxford Internet Institute është një llogari që poston mesatarisht mbi 50 herë në ditë. Llogaritë e tilla shpesh automatizohen, por mund të komandohen nga njerëzit. Llogari të tjera të njohura si siborg komandohen bashkërisht nga softuerët dhe njerëzit.

6) A synon keqorientimin?
Agjenti mund të synojë ose jo të keqorientojë me dashje audiencën e synuar.

7) A synon të dëmtojë?
Agjenti mund të synojë qëllimisht ose jo që të shkaktojë dëm.

Mesazhi

Mesazhet mund të komunikohen nga agjentët personalisht (përmes thashethemeve, fjalimeve, etj.), me tekste (shkrimet gazetareske apo pamfletet) ose me materiale audiovizive (imazhe, video, grafikë lëvizëse, audio-klipe të montuara, meme, etj.) Teksa diskutimet kryesore për “fake news” janë fokusuar në artikujt (tekstet) e sajuara, çinformimi dhe dezinformimi shpesh shfaqet në formate vizuale. Kjo është e rëndësishme, sepse teknologjitë për analizimin automatik të tekstit janë rrënjësisht ndryshe nga ato që analizojnë imazhet e lëvizshme dhe statike.

Për një informacion të marrë bëni pesë pyetje për mesazhin e marrë:

  1. Sa jetëgjatë është mesazhi?
    Disa mesazhe krijohen që të jenë relevantë dhe goditës për afat të gjatë (përgjatë tërë luftës apo përgjithmonë). Mesazhe të tjera krijohen për afat të shkurtër (gjatë zgjedhjeve) apo vetëm për një moment, si në rastin e mesazhit gjatë transmetimit të një lajmi të fundit.
  2. Sa i saktë është mesazhi?
    Edhe saktësia e mesazhit është e rëndësishme. Siç u analizua më lart, keqinformimi është informacion i saktë i përdorur për të dëmtuar (ose duke nxjerrë informacion privat në sferën publike, ose duke përdorur përkatësitë e personave, si p.sh. besimi fetar, kundër tyre). Për informacionin e pasaktë, ekziston një shkallë saktësie që varion nga lidhja e rreme (një diçiturë si karrem që nuk ka lidhje me përmbajtjen e artikullit), deri në 100% informacion i sajuar.
  3. A është mesazhi i ligjshëm?
    Mesazhi mund të jetë i paligjshëm, si në rastet e njohura të gjuhës së urrejtjes, shkeljeve të pronësisë intelektuale, shkeljeve të jetës private apo ngacmimit. Sigurisht, ligjshmëria e mesazhit ndryshon sipas juridiksioneve.
  4. A ka mesazhi “përmbajtje mashtrimi”, d.m.th. që hiqet si burim zyrtar?
    Mesazhi mund të përdorë elementë zyrtarë (p.sh. stemat) jozyrtarisht, ose mund të vjedhë emrin apo foton e një individi (p.sh. të një gazetari të mirënjohur), me qëllim që të shfaqet i besueshëm.
  5. Cila është targeti i mesazhit?
    Agjenti ka në mendje një audiencë të synuar (audiencën tek e cila duan të influencojnë), por targeti ndryshon nga audienca e mesazhit (ata që po diskreditohen). Targeti mund të jetë një individ (kandidat në zgjedhje, udhëheqës politik ose biznesi), një organizatë (shoqëri private apo institucion shtetëror), një grup shoqëror (një racë, etni, elitë, etj.), apo e tërë shoqëria.

Interpretuesi

Audiencat nuk para janë marrës pasivë të informacionit. Një “audiencë” përbëhet nga shumë individë; secili e interpreton informacionin sipas statusit socio-kulturor, pozitës politike dhe përvojave personale. Është thelbësore të kuptohet aspekti ritualist i komunikimit, për të kuptuar se si dhe pse individët reagojnë ndaj mesazhit në mënyra të ndryshme. Llojet e mesazheve që marrim dhe mënyra si ua zbërthejmë kuptimin ndikohen shumë nga identiteti ynë personal dhe grupimet që frekuentojmë. Në një botë ku gjërat që na pëlqejnë, komentojmë dhe (shpër)ndajmë janë vizibile për miqtë, familjarët dhe kolegët, këto forca ‘sociale’ dhe performative janë bërë më të fuqishme se kurrë.

Kur na duhet të pranojmë informacion që sfidon sensin që kemi për veten, kjo mund të jetë tronditëse. Sado bindës të duket mesazhi për një vëzhgues neutral, ne e kemi më të lehtë të shpërfillim apo të flakim informacionin që kundërshton pikëpamjen tonë për botën. Sigurisht, evidencat tregojnë që verifikimi i fakteve tenton t’i të shtyjë individët drejt informacionit të saktë, por kjo nuk e zëvendëson plotësisht çinformimin apo dezinformimin.

Ky realitet e ndërlikon kërkimin tonë për zgjidhje ndaj çrregullimit informativ. Nëse pranojmë që truri i njeriut jo gjithmonë funksionon me racionalitet, zgjidhja nuk është thjesht përhapja e më shumë informacioni cilësor. Zgjidhjet duhet të bëjnë hesapet me disa karakteristika sociale dhe performance që kanë bërë që disa lajme të sajuara të bëhen kaq popullore në Facebook.

Për shembull, si mund ta bëjmë (shpër)ndarjen e informacionit të rremë në publik një gjë të të turpshme dhe sikletosëse?

Tre elementët e çrregullimit informativ duhet të konsiderohen pjesë të një cikli potencialisht të pafund, që përcakton se çfarë bën“interpretuesi”me mesazhin. Në një epokë të mediave sociale, ku kushdo është botues i mundshëm, interpretuesi mund të bëhet “agjenti” i radhës, duke vendosur se si ta shpërndajnë dhe ta inkuadrojë mesazhin për agjencitë⁄rrjetet e tij. A do të tregojnë mbështetje për mesazhin duke e pëlqyer ose duke komentuar për të, apo do të vendosin ta (shpër)ndajnë atë? Nëse e (shpër)ndajnë mesazhin, e bëjnë me të njëjtin qëllim si agjenti fillestar, apo për të treguar p.sh. mospëlqimin e tyre?

Agjentët: Kush janë dhe çfarë i motivon?
Në këtë pjesë do të eksplorojmë rolin e agjentëve, apo të atyre që krijojnë, prodhojnë dhe shpërndajnë mesazhet.

Aktorët zyrtarë kundrejt Aktorëve jozyrtarë?
Sofistikimi, financimi dhe ndikimi i mundshëm i një mesazhi apo fushate me mesazhe sistematik është shumë më i madh në rastin e aktorëve zyrtarë.

Sa të organizuar janë agjentët?

Trollet kanë ekzistuar që kur u krijua interneti. Përkufizimet janë të shumta, por ato kanë të përbashkët një aspekt kyç: trollet provokojnë emocione duke fyer publikisht shënjestrën e tyre. Trollet janë njerëz që postojnë me emër përdoruesi apo handle. Por, ashtu si bot-et, ato mund ta amplifikojnë dezinformimin në mënyra të koordinuara për të evokuar konformitet, mes të tjerash. Një gjë e bëjnë më mirë se botët: shënjestrojnë ata që vënë në dyshim vërtetësinë e një informacioni. Trollet janë efikasë për t’iu mbyllur gojën mosbesuesve në fazat e hershme të dezinformimit, duke postuar sulme personale për të minuar pozitën e personit në skenë.

Cili është motivimi i agjentit?

Duke parë çfarë i motivon agjentët, jo vetëm kuptojmë më thellë se si funksionojnë fushatat e dezinformimit apo keqinformimit, por edhe mënyrat e mundshme për t’iu bërë ballë. Është gabim të flasësh në mënyrë të përgjithshme për motivimet e agjentëve, sepse ato ndryshojnë në secilën fazë. Ka shumë gjasa që publikuesit (p.sh. redaktori i një programi kabllor lajmesh) ose shpërndarësit (p.sh. një përdorues në rrjet social) e një mesazhi të mos jenë plotësisht të vetëdijshëm për qëllimin real që fshihet pas informacionit dizinformues.

i) Politike
Prodhuesit e fushatave dezinformuese nga Rusia dhe gjetkë kanë ndonjëherë motive politike.

ii) Financiare
Disa prej atyre që prodhojnë apo shpërndajnë dezinformim, e bëjnë këtë thjesht për përfitime financiare, si në rastin e firmave të Marrëdhënieve me Publikun dhe portaleve të lajmeve të rreme. Është e vërtetë që biznese të tëra mund të ngrihen mbi fushatat e dezinformimit.

iii) Sociale dhe Psikologjike
Ndërkohë që shumica e debateve për dezinformimin fokusohet në motivimet politike dhe financiare, besojmë se ia vlen të eksplorohen motivimet potenciale sociale dhe psikologjike për krijimin e dezinformimit.

Tomasso Debenedetti që përdor shpesh llogari të rreme në Twitter për të shpallur vdekjen e personave publikë, deri te personi pas llogarisë “Marie Christmas” që e bëri CNN të besojë se ai⁄ajo ishte dëshmitar në vrasjet e San Bernardinos.

A përdor agjenti automatizim?

Aktualisht, makineritë nuk janë shumë të afta për të krijuar dezinformim, por arrijnë ta publikojnë dhe ta shpërndajnë atë me efikasitet. Shumë bot-e krijohen për të amplifikuar shtrirjen e dezinformimit dhe shfrytëzojnë dobësitë që lindin nga njëanshmëria jonë konjitive dhe shoqërore. Përveç kësaj, krijojnë iluzionin se shumë individë kanë miratuar të njëjtin informacion në mënyrë të pavarur.: “Një fushatë propagande e ideuar siç duhet të krijon ndjesinë e presionit të bashkëmoshatarëve, pra, bot-e që hiqen si njerëz, llogari guru që kanë fituar reputacion pozitiv në qarqet e medias sociale – të cilët e bëjnë historinë propagandistike të duket më popullore sesa është”. Pavarësisht angazhimit publik të platformave për të neutralizuar llogaritë e automatizuara, bot-et vazhdojnë të amplifikojnë mesazhe, hashtage apo llogari të caktuara, duke krijuar përshtypjen se perspektiva të caktuara janë popullore dhe rrjedhimisht të vërteta

Mesazhet: Çfarë forme marrin?

Në seksionin e mësiperm, analizuam karakteristikat e ndryshme të “agjentëve” që përfshihen në krijimin, prodhimin apo përhapjen e çrregullimit informativ. Tani, le ta kthejmë vëmendjen nga vetë mesazhet.

Katër karakteristika e bëjnë mesazhin më tërheqës dhe rrjedhimisht më të mundshëm që të konsumohet, të përpunohet dhe të (shpër)ndahet gjerësisht:

1) Provokon reagim emocional.
2) Ka komponent vizual të fuqishëm.
3) Ka narrativë të fortë.
4) Përsëritet.

Ata që krijojnë fushatat informuese, të vërteta apo të rreme, e kuptojnë fuqinë e kësaj formule. Identifikimi i këtyre karakteristikave ndihmon për të njohur fushatat dezinformuese që kanë më shumë gjasa të jenë të suksesshme dhe informon për përpjekjet tona për t’iu përgjigjur dezinformimit.

Verbale, tekst apo audio?

Ndërsa pjesa kryesore e debatit për çinformimin dhe dezinformimin është fokusuar në rolin e internetit në përhapjen e mesazheve, nuk duhet të harrojmë që informacioni përhapet me fjalën e gojës. Bota reale dhe virtuale nuk janë të ndara, edhe pse sfidat me të cilat përballen studiuesit në studimin efikas të efekteve të formave të ndryshme të komunikimit njëkohësisht do të thotë se është më e lehtë t’i studiosh këto elementë veç e veç.

Kujt i drejtohen mesazhet?

Ndërsa agjentët kanë në mend audienca të caktuara kur krijojnë dezinformimin, subjektet e targetuara të mesazheve janë të ndryshëm. Shpesh dezinformimi thekson qëllimisht ndryshimet dhe ndasitë, qofshin këto ndërmjet mbështetësve të partive të ndryshme politike ose ndërmjet kombësive, racave, etnive, grupeve fetare, klasave ose kastave socio-ekonomike. Siç thotë Greenhill-i, këto lloj mesazhesh bëjnë të mundur që idetë diskriminuese ose dëmtuese të bëhen pjesë e diskursit publik dhe të trajtohen si fakte. Me t’u mbjellë, këto ide mund të përdoren për të krijuar koka turku, për të normalizuar paragjykimet, për të thelluar mentalitetin “ne kundër atyre” dhe, në raste ekstreme, edhe për të kanalizuar dhe justifikuar dhunën.

Interpretuesit: Si e kuptojnë mesazhin?

Siç ka shpjeguar Stuart Hall gjatë punës së tij themelore për teorinë e marrjes së sinjaleve,97 mesazhet kodohen nga prodhuesi, por pastaj çkodohen nga individët e publikut sipas njërës prej tre mënyrave vijuese:

Hegjemonike. Duke pranuar mesazhin siç ai është koduar.
E negociuar. Duke pranuar disa aspekte të mesazhit, por jo të gjithin.
Kundërshtuese. Duke refuzuar mënyrën se si është koduar mesazhi.

Në këtë pjesë, ne konturojmë punën e teoricienëve kryesorë kulturorë dhe socialë, të cilët janë përpjekur të shpjegojnë se si audienca i kupton mesazhet. George Lakoff i sheh racionalitetin dhe emocionet të lidhura bashkë në shkallë të tillë sa, si qenie njerëzore, nuk mendojmë dot pa emocione. Emocionet në trurin tonë strukturohen rreth metaforave, narrativave dhe kornizave të caktuara. Ato na ndihmojmë t’u japim kuptim gjerave dhe, në mungesë të tyre, ne do të çorientoheshim. Nuk do të dinim se çfarë të mendonim dhe si të mendonim.

Komunikimi si Ritual

Kur tellallët u njoftonin turmave lajmet, kur gazetashitësit lexonin gazetat me zë të lartë nëpër kafene dhe kur familjet dëgjonin ose shikonin së bashku lajmet e mbrëmjes, konsumimi i lajmeve ishte kryesisht përvojë kolektive. Sidoqoftë, me kalimin e kohës dhe me shfaqjen e radiove dhe televizorëve të lëvizshëm, si dhe me disponueshmërinë e shtuar të laptopëve, tabletave dhe smartfonëve, konsumi i lajmeve është kthyer në sjellje individuale.

Sipas studimeve të kryera përpara përdorimit kaq masiv të mediave sociale, diçka që sot e marrim për të mirëqenë, njerëzit përdornin disa elementë heuristikë, ose rrugë të shkurtra mendore, për të vlerësuar besueshmërinë e burimit ose mesazhit:

1. Reputacioni. Në bazë të njohjes dhe familjaritetit
2. Mbështetja. Nëse të tjerëve u duket i besueshëm
3. Konsistenca. Nëse mesazhit i bëhet jehonë nga faqe të shumta
4. Shkelja e pritshmërive. Nëse faqja e internetit duket dhe sillet siç pritet prej saj
5. Vetë-konfirmimi. Nëse mesazhikonfirmon bindjen e dikujt
6. Qëllimi bindës. Qëllimi i burimit për krijimin e mesazhit

Po t’i shohim elementët heuristikë në kontekstin e varësisë sonë masive nga mediat sociale si burim informacioni, çështjet që dallojmë në këtë periudhë çinformimi dhe dezinformimi na habisin më pak.

Një meta-analizë e kohëve të fundit e efikasitetit psikologjik të mesazheve që luftojnë çinformimin ofron një tablo të shkëlqyer të materialeve studimore në lidhje me demaskimet dhe mënyrës se si ato ndikojnë perceptimin e njerëzve për çinformimin. Shqyrtimi i literaturës nënvizoi se ndikimi i efektit demaskues ishte më i dobët kur publiku krijonte arsye për të mbështetur çinformimin fillestar, duke mbështetur kështu atë që dimë për fuqinë e anësisë konfirmuese dhe arsyetimin e motivuar.

Komunikimi shkon përtej thjesht transmetimit të mesazheve. Problemet e çrregullimit informativ nuk mund të zgjidhen sa hap e mbyll sytë, por hapi i parë duhet të jetë që të kuptojmë se sa komplekse është kjo çështje edhe së dyti ndërgjegjësim të të gjithë aktorëve dhënës edhe marrës të mesazhit.

/BM/

 

Artikulli paraprakInvestimet e huaja shkuan në blerje të banesave
Artikulli tjetërMetalet bazë dhe artikujt prej tyre me rritjen më të madhe të eksporteve