Çmimi për shitjet me para të gatshme dhe me kredi

Pyetja kryesore lidhur me murabahah është se, kur përdoret si një mënyrë financimi, ajo zbatohet gjithmonë mbi bazën e pagesës së shtyrë. Financuesi e blen mallin me pagesë në dorë dhe ia shet klientit me kredi. Gjatë shitjes me kredi, ai merr parasysh periudhën në të cilën klienti duhet ta paguajë çmimin dhe e rrit atë në përputhje me këtë afat. Sa më i gjatë të jetë afati i pagesës së murabahah, aq më i lartë është çmimi. Prandaj, çmimi në një transaksion murabahah, siç praktikohet nga bankat islame, është gjithmonë më i lartë se çmimi i tregut. Nëse klienti është në gjendje ta blejë të njëjtin mall nga tregu me pagesë në dorë, ai do të paguajë shumë më pak sesa në një transaksion murabahah me pagesë të shtyrë. Kjo ngre çështjen nëse çmimi i një malli në një shitje me kredi mund të jetë më i lartë se çmimi i tij në një shitje me para në dorë. Disa argumentojnë se rritja e çmimit në një shitje me kredi, për shkak të kohës së dhënë blerësit, duhet të trajtohet njësoj si kamata e ngarkuar mbi një hua, sepse në të dy rastet paguhet një shumë shtesë për shtyrjen e pagesës. Në bazë të kësaj, ata argumentojnë se transaksionet murabahah, siç praktikohen në bankat islame, nuk janë esencialisht të ndryshme nga huatë me interes të dhëna nga bankat konvencionale.

Ky argument, i cili mund të duket logjik në pamje të parë, bazohet në një keqkuptim të parimeve të Sheriatit lidhur me ndalimin e riba (kamatës). Për të kuptuar saktë këtë koncept, duhet të merren parasysh pikat e mëposhtme.

Teoria moderne kapitaliste nuk bën dallim midis parasë dhe mallrave në transaksionet tregtare. Sa i përket shkëmbimit, si paraja ashtu edhe mallrat trajtohen njësoj. Të dyja mund të tregtohen dhe të shiten me çmimin që palët bien dakord. Një person mund të shesë një dollar për dy dollarë, si në një pagesë të menjëhershme ashtu edhe me kredi, ashtu siç mund të shesë një mall me vlerë një dollar për dy dollarë. Kushti i vetëm është që kjo të bëhet me pëlqim të ndërsjellë.

Nga ana tjetër, parimet islame nuk e pranojnë këtë teori. Sipas Sheriatit, paraja dhe mallrat kanë karakteristika të ndryshme dhe, për këtë arsye, trajtohen ndryshe. Dallimet themelore midis parasë dhe mallrave janë si më poshtë:

  1. a) Paraja nuk ka vlerë të brendshme. Ajo nuk mund të përdoret drejtpërdrejt për të plotësuar nevojat njerëzore; mund të përdoret vetëm për të blerë mallra ose shërbime. Mallrat, nga ana tjetër, kanë vlerë të brendshme dhe mund të përdoren drejtpërdrejt pa qenë nevoja t’i shkëmbejmë me diçka tjetër.
  2. b) Mallrat mund të kenë cilësi të ndryshme, ndërsa paraja nuk ka ndonjë cilësi tjetër përveçse të jetë një masë vlere ose një mjet shkëmbimi. Prandaj, të gjitha njësitë monetare të së njëjtës prerje janë 100% të barabarta me njëra-tjetrën. Një kartëmonedhë e vjetër dhe e ndotur prej 1.000 euro ka të njëjtën vlerë si një kartëmonedhë e re dhe e pastër prej 1.000 euro. Ndryshe nga kjo, mallrat mund të kenë cilësi të ndryshme; për shembull, një makinë e vjetër dhe e përdorur mund të ketë një vlerë shumë më të ulët se një makinë e re.
  3. c) Tek mallrat, transaksioni i shitblerjes kryhet mbi një mall specifik ose, të paktën, mbi mallra me specifika të caktuara. Nëse A ka blerë një makinë të caktuar duke e identifikuar qartë dhe shitësi e ka pranuar këtë, atëherë A ka të drejtë të marrë pikërisht atë makinë. Shitësi nuk mund ta detyrojë atë të pranojë një makinë tjetër, edhe nëse është e të njëjtit lloj apo cilësi. Një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm nëse blerësi pajtohet, gjë që nënkupton se transaksioni i mëparshëm është anuluar dhe një transaksion i ri mbi makinën tjetër kryhet me pëlqim të ndërsjellë.

Nga ana tjetër, paraja nuk mund të identifikohet në mënyrë të veçantë në një transaksion shkëmbimi. Nëse A ka blerë një mall nga B duke i treguar një kartëmonedhë të caktuar prej 1.000 euro, ai sërish mund ta paguajë atë me një kartëmonedhë tjetër të së njëjtës prerje, ndërsa B nuk mund të insistojë që do të marrë pikërisht kartëmonedhën që iu tregua.

Duke pasur parasysh këto dallime, Islami e ka trajtuar ndryshe paranë dhe mallrat. Meqë paraja nuk ka ndonjë vlerë të brendshme, por është thjesht një mjet shkëmbimi pa ndonjë cilësi të veçantë, shkëmbimi i një njësie monetare me një tjetër të së njëjtës prerje nuk mund të bëhet veçse me vlerë të barabartë. Nëse një kartëmonedhë prej 1.000 euro shkëmbehet me një kartëmonedhë tjetër të eurove, ajo duhet të ketë gjithashtu vlerën e 1.000 euro. Çmimi i kartëmonedhës së parë nuk mund të rritet ose ulet nga 1.000 euro, madje as në një transaksion të menjëhershëm, sepse kartëmonedha nuk ka vlerë të brendshme dhe as ndonjë cilësi të ndryshme (e njohur ligjërisht). Prandaj, çdo tepricë në njërën anë është pa bazë dhe për këtë arsye nuk lejohet në Sheriat. Nëse kjo është e vërtetë për një transaksion shkëmbimi të menjëhershëm, e njëjta gjë vlen edhe për një transaksion krediti, ku të dyja palët shkëmbejnë para, sepse nëse në një transaksion krediti kërkohet një tepricë, ajo do të jetë vetëm për shkak të kohës së shtyrjes së pagesës.

Rasti i mallrave të zakonshme është ndryshe. Meqë mallrat kanë vlerë të brendshme dhe cilësi të ndryshme, pronari është i lirë t’i shesë ato me çmimin që dëshiron, duke iu nënshtruar forcave të ofertës dhe kërkesës. Për sa kohë që shitësi nuk mashtron apo nuk paraqet informata të rreme, ai mund ta shesë mallin e tij me një çmim më të lartë se çmimi i tregut me pëlqimin e blerësit. Nëse blerësi pranon ta blejë atë me çmimin e rritur, shuma shtesë që i ngarkohet atij është plotësisht e lejuar për shitësin. Kur shitësi mund ta shesë mallin e tij me një çmim më të lartë në një transaksion me para në dorë, ai gjithashtu mund të kërkojë një çmim më të lartë në një shitje me kredi, me kushtin e vetëm që të mos mashtrojë blerësin, të mos e detyrojë atë ta blejë mallin, dhe që blerësi ta pranojë çmimin me vullnetin e tij të lirë.

Ndonjëherë argumentohet se rritja e çmimit në një transaksion me para në dorë nuk bazohet në pagesën e shtyrë, prandaj është e lejuar, ndërsa në një shitje me pagesë të shtyrë, rritja e çmimit është thjesht për shkak të kohës së dhënë, gjë që e bën atë të ngjashme me kamatën. Ky argument, sërish, bazohet në një keqkuptim, duke supozuar se sa herë që çmimi rritet duke marrë parasysh kohën e pagesës, transaksioni bie brenda sferës së kamatës. Ky supozim nuk është i saktë. Çdo shumë shtesë e ngarkuar për pagesë të vonuar është kamatë vetëm nëse objekti i transaksionit është para në të dyja anët. Por nëse një mall shitet në këmbim të parave, shitësi, kur përcakton çmimin, mund të marrë në konsideratë faktorë të ndryshëm, përfshirë kohën e pagesës. Një shitës, duke qenë pronar i një malli që ka vlerë të brendshme, mund të kërkojë një çmim më të lartë, dhe blerësi mund të pranojë ta paguajë atë për arsye të ndryshme, për shembull:

(a) Dyqani i tij është më afër blerësit, i cili nuk dëshiron të shkojë në tregun që është më larg.

(b) Shitësi është më i besueshëm për blerësin sesa të tjerët, dhe blerësi ka më shumë besim tek ai se do t’i japë mallin e kërkuar pa defekte.

(c) Shitësi i jep përparësi blerësit në shitjen e mallrave që kanë kërkesë më të madhe.

(d) Ambienti i dyqanit të shitësit është më i pastër dhe më i rehatshëm se dyqanet e tjera.

(e) Shitësi është më i sjellshëm në marrëdhëniet e tij sesa të tjerët.

Këto dhe konsiderata të ngjashme luajnë rolin e tyre në përcaktimin e një çmimi më të lartë për klientin. Në të njëjtën mënyrë, nëse një shitës e rrit çmimin sepse i lejon klientit pagesë me kredi, kjo nuk është e ndaluar nga Sheriati, për sa kohë që nuk ka mashtrim dhe blerësi e pranon me vullnet të lirë, sepse, pavarësisht arsyes së rritjes, e gjithë shuma e çmimit lidhet me mallin dhe jo me paranë. Është e vërtetë që, gjatë përcaktimit të çmimit të mallit, shitësi ka pasur parasysh kohën e pagesës, por pasi çmimi është caktuar, ai lidhet me mallin dhe jo me kohën. Për këtë arsye, nëse blerësi nuk e paguan në kohën e caktuar, çmimi mbetet i njëjtë dhe shitësi nuk mund ta rrisë atë. Po të ishte fjala për një shtyrje të thjeshtë të kohës, çmimi do të rritej nëse shitësi do t’i lejonte më shumë kohë blerësit pas afatit të maturimit.

Në fjalë të tjera, meqë paraja mund të shkëmbehet vetëm me vlerë të barabartë, siç u shpjegua më herët, çdo shumë e tepërt e pretenduar në një transaksion krediti (kur paraja shkëmbehet me para) është vetëm për shkak të kohës. Për këtë arsye, nëse debitorit i jepet më shumë kohë pas maturimit, nga ai kërkohet më shumë para. Përkundrazi, në një shitje me kredi të një malli, koha nuk është faktori ekskluziv gjatë përcaktimit të çmimit. Çmimi përcaktohet për mallin, jo për kohën. Megjithatë, koha mund të veprojë si një faktor dytësor për përcaktimin e çmimit të mallit, ashtu si çdo faktor tjetër nga ata të përmendur më sipër, por pasi ky faktor ka luajtur rolin e tij, çdo pjesë e çmimit lidhet me mallin.

Përmbledhja e kësaj diskutimi është se kur paraja shkëmbehet me para, nuk lejohet asnjë tepricë, as në transaksione me pagesë të menjëhershme dhe as në ato me kredi. Por kur një mall shitet në këmbim të parave, çmimi që palët bien dakord mund të jetë më i lartë se çmimi i tregut, si në transaksionet me pagesë të menjëhershme, ashtu edhe në ato me kredi. Koha e pagesës mund të luajë një rol dytësor në përcaktimin e çmimit të një malli, por nuk mund të jetë baza ekskluzive dhe e vetmja konsideratë për një tepricë të pretenduar në shkëmbimin e parasë me para.

Kjo pozitë pranohet njëzëri nga të katër shkollat juridike islame dhe nga shumica e juristëve myslimanë. Ata thonë se nëse një shitës përcakton dy çmime të ndryshme për shitjen me para në dorë dhe për shitjen me kredi, ku çmimi i shitjes me kredi është më i lartë se çmimi i pagesës së menjëhershme, kjo lejohet në Sheriat. Kushti i vetëm është që në kohën e shitjes aktuale të përcaktohet një nga dy opsionet, duke mos lënë asnjë paqartësi në natyrën e transaksionit. Për shembull, lejohet që shitësi, gjatë fazës së negociatave, t’i thotë blerësit: “Nëse e blen mallin me pagesë të menjëhershme, çmimi do të jetë 100 euro., ndërsa nëse e blen me kredi për gjashtë muaj, çmimi do të jetë 110 euro.” Por blerësi duhet të zgjedhë njërin nga dy opsionet. Ai duhet të deklarojë se do ta blejë me kredi për 110 euro. Në këtë mënyrë, në kohën e shitjes aktuale, çmimi do të jetë i njohur për të dyja palët.

Megjithatë, nëse asnjë nga dy opsionet nuk përcaktohet në mënyrë specifike, shitja nuk do të jetë e vlefshme. Kjo mund të ndodhë në ato raste të shitjeve me këste, ku çmime të ndryshme vendosen për periudha të ndryshme të maturimit. Për shembull, 1000 euro mund të kërkohen për një kredi 3-mujore, 1100 euro për një kredi 6-mujore, 1200 euro për 9 muaj, e kështu me radhë. Nëse blerësi merr mallin pa përcaktuar opsionin që do të zgjedhë, duke supozuar se do ta paguajë çmimin në të ardhmen sipas lehtësisë së tij, ky transaksion nuk është i vlefshëm, sepse as koha e pagesës dhe as çmimi nuk janë të përcaktuara. Por nëse ai zgjedh një nga opsionet në mënyrë specifike dhe thotë, për shembull, se e blen mallin me kredi për 6 muaj me çmimin 1100 euro, shitja do të jetë e vlefshme.

Një pikë tjetër e rëndësishme që duhet vërejtur është kjo: Ajo që është lejuar më sipër është që çmimi i mallit në një shitje me kredi të jetë më i lartë se çmimi i pagesës së menjëhershme. Por nëse shitja është kryer me çmimin e pagesës së menjëhershme dhe shitësi ka vendosur një kusht që, në rast vonese në pagesë, ai do të ngarkojë një kamatë prej 10% në vit si ndëshkim ose interes, kjo është rreptësisht e ndaluar, sepse ajo që po ngarkohet nuk është pjesë e çmimit, por një interes mbi borxhin.

Dallimi praktik midis këtyre dy situatave është se në rastin kur shuma shtesë është pjesë e çmimit, ajo mund të ngarkohet vetëm një herë. Nëse blerësi nuk arrin ta paguajë në kohë, shitësi nuk mund të ngarkojë një shumë tjetër shtesë. Çmimi do të mbetet i njëjtë pa asnjë shtesë. Përkundrazi, kur shuma shtesë nuk është pjesë e çmimit, ajo vazhdon të rritet me kalimin e kohës së vonesës.

Artikulli paraprakRregullat bazë të shitjes 
Artikulli tjetërPërllogaritja e kostos në murabahah