Cilësitë që e bëjnë një drejtues të shkëlqyer

Cilësitë që e bëjnë një drejtues të shkëlqyer

Nuk mund ta dallosh nga letrat nëse një person është apo do të ishte një drejtues i shkëlqyer. Ata dallohen nga veprat. Rezultatet e treguara prej tyre janë gjithçka. Më poshtë po listoj 5 gjëra që një drejtues mund të bëjë për t’u konsideruar i shkëlqyer dhe për të tërhequr pas vetes punonjësit e tjerë dhe të gjithë biznesin drejt suksesit:

1. Zhvillimi i çdo punonjësi. Çdo drejtues duhet të mbajë në mendje se përveç detyrave tradicionale të tij (si për shembull rritjen e shitjeve, prodhimin sipas objektivave, përmirësim të shërbimit, etj) ka edhe për detyrë që të zhvillojë punonjësit. Është përgjegjësi e drejtuesit, të trajnojë, këshillojë dhe të zhvillojë vartësit e tij. E bukura është që ndërsa drejtuesi bën këtë, përveç punonjësve, ndihmon automatikisht edhe veten edhe biznesin drejt realizimit të objektivave dhe qëllimeve. Prandaj, vetëm një drejtues që e kupton rëndësinë e zhvillimit të punonjësve dhe e realizon me vepra këtë gjë, mund të jetë i shkëlqyer.

2. Përballimi i menjëhershëm i problemeve. Asgjë nuk është më e rëndë për moralin e një grupi sesa problemet e paadresuara. Probleme ndërpersonale, çështje të performancës, konflikte midis departamenteve, të gjitha ndikojnë negativisht tek entuziazmi dhe motivimi i punonjësve. Ata shpërqëndrohen sepse problemet e vogla nuk të lenë kurrë të qehtë dhe nuk largohen kurrë. Përkundrazi është shumë e thjeshtë që problemet e vogla të kthehen në të mëdha. Për më tepër kur drejtuesi e injoron një problem, ai humbet respektin e punonjësve dhe pa respekt, askush nuk mund të drejtojë. Nuk duhet shpresuar asnjëherë që një problem do të zhduket vetëvetiu, apo që dikush tjetër do të merret me të. Drejtuesi duhet të përballet me çdo problem me seriozitet, sado i vogël e i parëndësishëm të duket ai.

3. Shpëtimi i punonjësve “të këqinj”. Pothuajse çdo biznes ka nga të paktën një punonjës që ka bërë ndonjë gabim të dukshëm në punën e tij. Mund të ketë dështuar në plotësimin e një detyre, mund të ketë humbur qetësinë gjatë një mbledhjeje, ose thjesht mund të mos jetë dot në një hap me të tjerët. Me kalimin e kohës, një punonjës i tillë shihet nga të tjerët si një “pikë e dobët”. Po ndodhi kështu, sado të përpiqet punonjësi për t’u përmirësuar, presioni i të tjerëve mbi të është shumë i rëndë për ta bërë atë të mundur. Këtu fillon puna e një drejtuesi të shkëlqyer. Ai duhet ta mbështesë punonjësin, t’i thotë që e di që po përpiqet dhe se do ta ndihmojë për ta kaluar atë situatë. Duhet të jetë sigurues dhe t’i jap besim punonjësit të dobët. Kjo nuk nënkupton uljen e standardeve të kompanisë dhe pranimin e një performance më të dobët nga ai punonjës. Përkundrazi, nga këshillimi drejtuesi duhet të presë që punonjësi jo vetëm të arrijë në nivelin e të tjerëve, por edhe t’i kalojë ata. Kjo, sepse dëshira dhe vullneti i tij janë të provuar dhe me rritjen e mundësive, do të rritet edhe performanca e tij. Ndonjëherë kujdesi ndaj një punonjësi të tillë nuk do të ketë sukses, por një drejtues i shkëlqyer e provon gjithmonë.

4. Shërbim të tjerëve, jo vetes. Kur dikush tregohet mendjemadh, egoist apo sheh interesin personal mund t’ia hedhë disa herë, por përfitimet e tij janë afatshkurtra. Një drejtues i shkëlqyer nuk duhet të mburret për aftësitë e tij, apo të marrë meritat e një apo disa punonjësve të tjerë. Nuk duhet lavdëruar vetja për asgjë. Suksesi vjen nga veprimet dhe jo nga ato që thuhen. Kur një punonjës shkëlqen, edhe biznesi bashkë me drejtuesin shkëlqen. Kur një ekip ia del mbanë, edhe biznesi me drejtuesin ia dalin mbanë. Por në këto raste nuk duhet që drejtuesi të përgëzojë veten për mbështetjen që i ka dhënë, por ata, punonjësit. Një drejtues i shkëlqyer të paktën do të vepronte kështu.

5. Të kujtosh gjithmonë nga ke ardhur. Mund të ndodhë të shohësh një sportist të famshëm që i kthen shpinën dikujt që i kërkon autograf. Dikush mund të mendojë, “Nëse do të isha në vend të sportistit, nuk do ta bëja kurrë diçka të tillë.” Por në fakt, shumica e drejtuesve bëjnë me punonjësit atë që sportisti bën me fansin e tij. Së pari është fakt që drejtuesi të jenë të famshëm brenda kompanisë, prandaj punonjësit edhe kur thonë se duan të flasin diçka me drejtuesit , në fakt ata mund ta bëjnë vetëm sepse kërkojnë të kalojnë pak kohë me ta. Kur vjen një kërkesë e tillë, drejtuesi ka dy zgjidhje. Mund t’i kthejë kurrizin dhe ta refuzojë. Ose, mund të përfitojë nga ai moment për të motivuar, këshilluar, e ofruar shpresë për atë punonjës. Nuk duhet harruar që: Sa më shumë ngjit shkallët dikush, aq më tepër ndikim dhe përgjegjësi ka ai tek/për të tjerët më poshtë. Mënyra se si një drejtues e shfrytëzon këtë gjë, bazuar në cilësitë e mësipërme, përcakton a kemi të bëjmë me një lider të shkëlqyer apo jo.

Artikulli paraprakSI TË JESH LIDER: 100 thënie lidershipi që duhet t’i mësoni
Artikulli tjetërKarakteristikat e menaxherit të shekullit të ri