Çfarë ndalohet gjatë tregtisë së mallrave kamatare

Në hadithin e Ubade Ibën Samitit thuhet:“Ari me ar, argjendi me argjend, gruri me grurë, elbi me elb, hurmat me hurma dhe kripa me kripë (shkëmbehen mes vete) në të njëjtën sasi, në të njëjtën peshë, dorë më dorë. Nëse ndryshojnë këto lloje, atëherë shisni si të doni me kusht që të jetë dorë më dorë.”1

Ky hadith na jep të kuptojmë se kemi të bëjmë me tre raste të shkëmbimit (të tregtimit) në mes të këtyre mallrave:

Rasti i parë: Tregtimi i të njëjtit lloj në mes tyre

Pra, kemi për qëllim nëse shitet një nga këto lloje me të njëjtin lloj, si të shitet ari me ar, argjendi me argjend, gruri me grurë, etj. Në këtë rast ndalohen dy gjëra:

1. Shtesa e njërës sasi ndaj tjetrit, me fjalë të tjera duhet patjetër që të jenë të njëjta në peshë e masë pa marrë parasysh cilësinë. Pra, nëse e shesim arin me ar, atëherë patjetër duhet që këto të dyja të jenë të barabarta në peshë dhe nuk lejohet që njëri të ketë p.sh. 50 gramë kurse tjetri 60 gramë, qoftë edhe nëse njëri është i përpunuar e tjetri jo. Në këtë formë duhet të shkëmbehet edhe  argjendi, gruri, etj.

2. Gjithashtu, është haram shtyrja e afatit të dorëzimit të njërit nga dy mallrat. Më qartë, duhet të bëhet dorëzimi në të njëjtën kohë, dorë më dorë, pra patjetër duhet të kryhet shkëmbimi i dy mallrave së bashku në vendin dhe çastin e aktit.

– Ebu Seid El-Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Mos e shisni arin me ar vetëm nëse janë të barabartë (në peshë) dhe mos shtoni në njërën anë! Mos shisni argjendin me argjend vetëm nëse janë të barabartë (në peshë) dhe mos shtoni në njërën anë. Dhe mos i shisni ato (arin dhe argjendin) një në dorë e një në mungesë!”2

– Umer bin Hatabi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Ari me ar është kamatë, vetëm nëse shkëmbehet aty për aty (dorë më dorë), gruri me grurë është kamatë, vetëm nëse shkëmbehet aty për aty (dorë më dorë), elbi me elb është kamatë, vetëm nëse shkëmbehet aty për aty (dorë më dorë), hurma me hurme është kamatë, vetëm nëse shkëmbehet dorë aty për aty (dorë më dorë).”3

– Ibën Seidi (radiallahu anhu) thotë: “Na arrinin hurma të shumta dhe të përziera4 në kohën e të Dërguarit të Allahut salallahu alejhi ue selem dhe e shkëmbenim (gjatë tregtisë) dy sa`ë5 prej tyre me një. Kur e mori vesh i Dërguari salallahu alejhi ue selem këtë gjë tha:

“Jo, (mos shisni) dy sa`ë hurma me një, as dy sa`ë grurë me një dhe as një dirhem me dy dirhemë!6

– Seid Ibën Xhubejri tregon: “Me një rast vjen Bilali tek i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, me hurma të llojit të mirë dhe e pyet ai: “Ku i more këto?” Bilali tha: “Kishim hurme të dobëta dhe i shita ato duke i dhënë dy sa`ë hurme të dobëta me një sa`ë të mira për ta ushqim të Profetit (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të)”. Atëherë i Dërguari (lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të) i tha: “Oh, kjo është kamata e kulluar. Mos vepro kështu, por kur të dëshirosh të blesh hurme, së pari shiti hurmat tuaja në një shitje tjetër, pastaj bli të tjerat me to.”7


Rasti i dytë: Shitja (tregtimi) i mallrave jo të njëjta në lloj, por të njëjta në kategori 

Nëse këto gjashtë mallra kamatarë të përmendura në citate, njëri lloj shitet me tjetrin lloj, por që janë të përbashkëta në kategori, si p.sh. të shkëmbesh ar me argjend. Atëherë ari dhe argjendi janë të ndryshme në lloj, por të njëjta në kategori. Ose grurë me elb, hurme me kripë, atëherë:

Lejohet dallimi në peshë apo masë, por nuk lejohet që të bëhet shkëmbimi i mallit në vend

Pra, në këtë rast lejohet që 20gr. ar të shitet me 200gr argjend, por nuk lejohet që të shtyhet afati i dorëzimit të njërit mall. Pra, duhet që dorëzimi i dy mallrave të bëhet aty për aty. Ose lejohet që të shkëmbehet 200 kg grurë me 250 kg elb, por nuk lejohet që të vonohet dorëzimi i njërit mall me tjetrin.

Në hadithin e Ubade Ibën Samitit thuhet: “Nëse ndryshojnë këto lloje, atëherë shisni si të doni me kusht që të jetë dorë më dorë.8

Si dhe në një hadith tjetër, i Dërguari salallahu alejhi ue selem thotë:

“Nuk ka problem nëse shkëmbehet ari me argjend duke qenë se argjend ka më shumë, por dorë më dorë dhe jo për në një kohë të caktuar. Nuk ka problem nëse shkëmbehet gruri me elb duke qenë se elb ka më shumë, por dorë më dorë dhe jo për në një kohë të caktuar.9″

Rasti i tretë: Shitja (tregtimi) i mallrave jo të njëjta në lloj dhe jo të njëjta në kategori

Nëse bëhet tregtimi i këtyre mallrave që dallojnë në lloj dhe në kategori, si p.sh. të blejmë me ari grurë, ose me argjend të blejmë kripë.
Në këtë rast lejohet shtesa dhe lejohet vonimi i dorëzimit të njërit mall ndaj tjetrit.

Alaudin Abazi

1 Shënon Muslimi.

2 Shënon Buhariu dhe Muslimi.

3 Shënon Buhariu dhe Muslimi.

4 ”Të përziera”, është për qëllim jo të një kategorie e klase, por disa më të mira e disa më të dobëta.

5 Sa’i   (الصاع)   është një lloj ene e cila përdorej si njësi matëse në kohën e të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, dhe arrin vëllimin e katër palë grushteve të një njeriu të rëndomtë. Kjo njësi matëse është e njohur ende në kohën bashkëkohore dhe pesha e saj (vëllimi i një sa’i) sipas njësive matëse bashkëkohore sillet përafërsisht rreth 2156 gramë, ose 2 kg. e 156 gr.

6 Shënon Buhariu dhe Muslimi.

7 Shënon Buhariu dhe Muslimi.

8 Shënon Muslimi.

9 Shënon Ebu Davudi dhe hadithi cilësohet i saktë.

Artikulli paraprakENERGJIA FIZIKE
Artikulli tjetër3 mënyra se si të falënderoni punonjësit