Bujqësi-bien çmimet për 5 për qind

Në çerekun e tretë të këtij viti, indeksi i prodhimeve bujqësore pësoi rënie -5.1 për qind.

Në periudhën qershor-shtator sipas Agjencisë së Statistikave çmimet e prodhimeve bujqësore ishin më të lira.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë një rënie më të thellë të çmimeve të prodhimeve bimore në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por më të ulëta ishin edhe çmimet e prodhimeve blegtorale.

Çmimet e prodhimeve bimore dhe blegtorale së bashku përbëjnë bazën e çmimeve të përgjithshme për prodhimet bujqësore.

“Në tremujorin e tretë të vitit 2016 indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka rënie për (-0.5%) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015. Indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rënie për (-7.9%) në tremujorin e tretë të vitit 2016 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015. Indeksi total i prodhimeve bujqësore ka rënie për (-5.1%) krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015,” thotë ASK-ja.

Sipas ASK-së, çmimet e drithërave, bimëve foragjere, perimeve, patateve dhe pemëve janë grumbulluar për të përcaktuar vlerën e prodhimeve bimore në treg, ndërsa në kuadër të prodhimeve blegtorale janë grumbulluar çmimet e qumështit, vezëve dhe mjaltit.

Sipas statistikave të ASK-së 37.6 për qind e territorit të Republikës së Kosovës përdoret për bujqësi. Mbi gjysma e tokës bujqësore është livadhe e kullosa, përderisa pjesa tjetër është tokë e punueshme-ara dhe kultura bujqësore.

Artikulli paraprakPak gjasa për rritjen e pagës minimale
Artikulli tjetërMafia e minierave po keqpërdor licencat