Britania e Madhe ka një problem me vendet e punës. Nuk ka punëtorë të mjaftueshëm për ta çuar ekonominë e saj përpara, dhe shumë punonjës janë zemëruar për inflacionin e madh që ka kapluar vendin, shkruan CNN.
Problemi u përshkallëzua të martën pasi mijëra punonjës të hekurudhave dolën në grevë për kërkesat për paga dhe kushte më të mira pune – greva më e madhe në hekurudha në 30 vjet – duke ndal një pjesë të madhe të rrjetit. Më shumë greva janë caktuar për të enjten dhe të shtunën.
Një grevë tjetër nga punëtorët në metronë e Londrës ndaloi gjithashtu shërbimet e metrosë.
Grevat e hekurudhave mund të vazhdojnë për muaj të tërë, ka thënë Sindikata Kombëtare e Punëtorëve të Hekurudhave, Detareve dhe Transportit.
Mësuesit, infermierët dhe punëtorët e tjerë mund të largohen nga vendet e punës pasi paga e tyre bie prapa normave të larta të inflacionit, që parashikohet të arrijë kulmin në Britani më vonë këtë në 11 për qind.
Unison, një sindikatë që përfaqëson 1.3 milionë punonjës të sektorit publik, ka thënë javën e kaluar se ishte “gati për grevë”.
Vetëm grevat hekurudhore të këtij muaji mund t’i kushtojnë industrisë së turizmit dhe teatrit më shumë se 1.2 miliardë dollarë.
Një verë grevash do t’i jepte një goditje të rëndë një ekonomie që ka rrëshqitur në drejtim të kundërt. Por aktiviteti tashmë po frenohej në industri të tilla si aviacioni, gastronomia dhe kujdesi social për shkak të një numri rekord të vendeve të lira të punës – 1.3 milionë në numërimin e fundit zyrtar.
Mandira Sarkar, pronare e Mandira’s Kitchen, një kompani e ofrimit të ushqimit dhe hotelierisë në jugperëndim të Anglisë, e përshkruan mungesën e fuqisë punëtore si një “vdekje të ngadaltë” për biznesin e saj prej gjashtë vitesh.
Boshllëqet e punëtorëve nëpër industri kanë kufizuar kapacitetin e bizneseve për t’u rritur dhe po bën që disa kompani të ulin shërbimet. Javën e kaluar, Gatwick, një aeroport në jug të Londrës, vendosi të shkurtojë orarin gjatë sezonit veror për shkak se s’po ka numër të mjaftueshëm të punëtorëve.
Por nuk është vetëm pandemia dhe lufta që e kanë dëmtuar ekonominë britanike. Brexit i ka dhënë fund lëvizjes së lirë të punës midis Britanisë dhe Evropës, duke e bërë shumë më të vështirë për punëdhënësit britanikë që të shfrytëzojnë një burim të madh punëtorësh.
Sarkar ka thënë se ajo ka nevojë “dëshpërimisht” për t’i punësuar dy persona me kohë të plotë në kuzhinën e saj dhe fajëson Brexitin dhe pandeminë për mbajtjen larg të punëtorëve.
Mungesa e stafit e ka detyruar Sarkarin të largojë klientët, aq sa ajo pret që të ardhurat këtë vit të jenë 40% më të ulëta se në vitin 2021.
Pavarësisht rritjes së pagave kohëve të fundit në Britani, paga mesatare në të gjithë ekonominë ra me 2.2% nga viti në vit midis shkurtit dhe prillit, kur u përshtat me inflacionin. Kjo është rënia më e madhe në më shumë se një dekadë, sipas ONS.
Banka e Anglisë ka paralajmëruar punëtorët që të mos kërkojnë paga më të larta për të frenuar inflacionin e mëtejshëm. Banka qendrore ka rritur normat pesë herë që nga dhjetori në një përpjekje për të zbutur çmimet./CNN-Koha/