Bizneset turke të interesuara për investime në Ulqin

Miratimi i planeve urbanistike të Komunës së Ulqinit përshpejton mundësinë e tërheqjes së investitorëve të huaj

Ambasadori i Republikës së Turqisë në Mal të Zi z. Serhat Galip ka uruar zyrtarët më të lartë malazez me rastin e anëtarësimit në NATO. Ai tha se anëtarësimi i Malit të Zi në Aleancën Veri-Atlantike ka një domethënie të madhe, jo vetëm për Malin e Zi por për të gjithë  Ballkanin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të përhershëm.

***

-Turqia partnere strategjike e Malit të Zi

Turqia ka qenë dhe mbetet partner strategjik për Malin e Zi, Rajonin dhe më gjerë. Në këtë republikë aktualisht janë dhjetëra biznese turke në disa sektorë të ekonomisë. Sipas Arsllan Hajdinaga, këshilltar për investime në kabinetin e kryetarit të Komunës së Ulqinit, investitorët nga Turqia gjithnjë e më shumë po tregojnë interesim për të investuar në këtë komunë. Ai flet për përparësitë e Ligjit për investime dhe ambientin tejet të përshtatshëm që i pret ata në komunën e Ulqinit. Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Turqisë z.Hajdinaga veçon sektorët për të cilët investitorët turq janë të interesuar, duke theksuar kryesisht sektorin e turizmit, ku ata mund të zbatojnë modelet e tyre të suksesit.

A Hajdinaga: “Investitorët nga Turqia janë të shumtë, e ky është rezultat i atraktivitetit të zonës ku ne jetojmë por edhe rezultat i rritjes së standardit ekonomik në këtë shtet. Do të përmend kompaninë “LSDTavukçuluk” nga Stambolli, e cila merret me pulari dhe turizëm. Kjo kompani ka shprehur interesim të investojë në hoteleri . Kemi edhe kompaninë “ENKAP” nga Turqia, e cila është e njohur për prodhimin e gotave nga kartoni. Kjo kompani dëshiron që në një lokacion adekuat në Ulqin të hap prodhimtarinë dhe të eksportoj në vendet e Rajonit. Kompania tjetër është “ARI CENTER”, e cila është e interesuar të investojë në agrikulturë, gjithashtu edhe “DOĞUŞ GRUP”, i cila në Evropë dhe Rajon njihet për investime në Nautikë dhe Marina. Përmes Ambasadës turke, kjo kompani është e interesuar të investoj në turizëm Nautik në Ulqin. Kemi edhe kompaninë “POLIN”e cila interesohet për Akua–Park në Shtoj.”

V. Katana: Përmendët mundësitë e investimeve të shumta në Ulqin, por të gjitha këto duhet te kenë dhe bazë ligjore. Sa është i favorshëm ligji i investimeve në Mal të Zi?

A. Hajdinaga: Kemi të bëjmë me disa ligje. Mali i Zi ka ligjin për investime te huaja, i cili është si një përmbledhje e disa ligjeve. Unë do të përmend disa të dhëna për të treguar se sa atraktiv është Mali i Zi për investime të huaja. Mali i Zi ka tatimin mbi fitim më të ulët në Evropë, 9%. Gjithashtu edhe tatimi mbi të ardhurat është i favorshëm. Mali i Zi ka trajtim ligjor të barabartë si për investitorët nga vendi, ashtu edhe për ata të huaj. Sidomos për pjesët bregdetare të Malit të Zi, Qeveria ofron lehtësira sa i përket TVSH-së. Tatimi për hotele me 4 ose 5 yje nuk është 19% por 7%. Pra siç shihet kemi të bëjmë me një ambient investues shumë atraktiv dhe të gjithë ata që vendosin të investojnë do të gjejnë përkrahje dhe stimulim. Qeveria e Malit të Zi ka një dekret special, i cili investitorëve që vendosin të investojnë në zonën jugore të Malit të Zi, minimumi 500.000 Euro dhe të punësojë 20 punonjës Qeveria u jep nga 3.000-8.000 Euro për punëtor. Kjo është një përkrahje shumë e madhe, sidomos kur dihet fakti që bizneset në fillim kanë nevojë për përkrahje dhe ndihmë.

V. Katana: Si do ta vlerësonit bashkëpunimin e Komunës së Ulqinit ma Ambasadën e Turqisë në Mal të Zi dhe zyrat e tjera turke që veprojnë në këtë republikë siç është TIKA dhe Yunus Emre?

A Hajdinaga: Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Ambasadorin Serhat Galip. Po ashtu edhe me përfaqësuesen e diplomacisë ekonomike në Ambasadën e Turqisë, Fatma Derya Koç, të cilët vazhdimisht e përkrahin Ulqinin. Takimet janë shumë të shpeshta, saqë Ambasadori i Turqisë pothuajse një herë në muaj vjen në Ulqin. Znj.Koç nga diplomacia ekonomike u rekomandon Ulqinin investitorëve turq. Gjithashtu kemi bashkëpunim të mirë edhe me zyrën e TIKA-s, me të cilën së fundmi realizuam projektin e blerjes së pompës së ujit për Ulqinin. Bashkëpunim të mirë kemi edhe me Institutin për kulturë “Yunus Emre”, ku në fund të muajit qershor do të organizojmë një manifestim të folklorit turk me një grup valltarësh nga Bursa e Turqisë. Si rezultat i bashkëpunimit tonë të frytshëm është edhe binjakëzimi i komunës së Ulqinit me komunën Serik në provincën e Antalias, të cilën ne e kemi vizituar dhe nga e cila kemi marrë përvoja në turizëm, tha për Zërin eTurqisë, Arsllan Hajdinaga, këshilltar në kabinetin e Kryetarit të Komunës së Ulqinit.

***

– Të rinjtë e Malit të Zi shprehin interes ndaj artit tradicional turk të vizatimit “ebru”

Në Qendrën Kulturore “Yunus Emre” u hap ekspozita e punimeve të vijuesve të kursit të pikturave Ebru, që ky institut i ka realizuar në bashkëpunim me Qendrën për Kulturë dhe Arsim Profesional të Komunës Gazintep (Gasmek). Në ceremoninë e rastit u bë dhe ndarja e certifikatave për vijuesit e kursit nga ana e Drejtorit të Institutit doc. dr Cihan Ozdemir dhe profesoreshës së artit Ebru, që kishte ardhur nga Turqia, Leyla Osmanlioğlu. Drejtori i Institutit z.Ozdemir duke i përgëzuar të rinjtë e Malit të Zi për talentin që kanë në këtë lloj arti, tha se ky kurs do të vazhdojë për të interesuarit e tjerë, në muajin shtator.

***

– Aktivitete të shumta, iftare dhe mbrëmje fetare për nder të Muajit të Madhërishëm të Ramazanit

Në Mal të Zi mbërriti për herë të parë Karvani “Vëllazëria nuk njeh kufij” i Komunës Bayrampasha nga Stambolli, të cilët në qytetin e Rozhajës shtruan iftar për më shumë se 2000 besimtarë. Kryetari i komunës së Rozhajës Ejup Nurkoviq falënderoi organizatorët për këtë gjest, ndërsa Naser Simsek Hot nga Bayrampasha tha se ky projekt është një urë tjetër lidhëse ndërmjet Turqisë dhe Ballkanit. Iftare të këtij lloji, ky Karvan ka shtruar për besimtarët në Sanxhak dhe në Bosnjë-Hercegovinë.

***

– Besimtarët e Ulqinit pritën me ovacione të mëdha ligjëruesin nga Tirana, Elvis Naçi

Me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, Bashkësia Islame në Malin e Zi dhe Mexhlisi i Bashkësisë Islame në Ulqin organizuan një mbrëmje fetare në ambientet e pallatit të kulturës në Ulqin. Qindra besimtarë dhe qytetarë kishin ardhur për të ndjekur ligjëratën e Imamit dhe Teologut të njohur, Elvis Naçi, i cili edhe këtë radhë me oratorinë e tij të shkëlqyer, dijet dhe modestinë foli për çështje të ndryshme mbi agjërimin, mëshirën, vlerat dhe dobitë e muajit të bekuar të Ramazanit. Ai theksoi rëndësinë e këtij muaji të bekuar, u ndal gjerësisht në mirësitë e muajit, mëshirën e zotit gjatë këtij muaji, përfitimet e agjërimit dhe atmosferën që krijohet në këtë muaj të shënuar. Imami Elvis Naçi vëmendje të veçantë i kushtoi dashurisë që duhet të ofrojmë ndaj më të dashurve, ndaj njerëzve dhe vëllazërinë mes besimtarëve. Më tej ai foli për Islamin e vërtetë dhe atij që e keqpërdorin dhe keqinterpretojnë. Ligjërata e z.Naçi disa herë u përcoll me duartrokitje dhe ovacione nga ana e besimtarëve të Ulqinit.

***

-51 nxënës përfunduan me sukses Medresenë “Mehmet Fatih “

Medreseja “Mehmet Fatih” me seli në Tuz përcolli gjeneratën e gjashtë të djemve dhe atë të dytën të vajzave maturantë të kësaj Medreseje. Në akademinë solemne që u organizua me këtë rast ishin të pranishëm  mysafirë dhe të ftuar të shumtë ku nxënësve më të mirë iu ndanë mirënjohje dhe diploma. Këtë vit shkollorë Medresenë e përfunduan 51 maturantë. Vitin e ardhshëm Medreseja “Mehmet Fatih” do të kremtojë 10 vjetorin  e punës arsimore.

Përgatiti për TRT Shqip Vera ALIBEGU KATANA, Mali i Zi

Artikulli paraprakEkonomia turke u rrit me 5% në çerekun e parë 2017
Artikulli tjetërAl-Sada: Katari respekton vendimin e OPEC-ut për reduktimin e prodhimit të naftës