Bien çmimet e energjisë elektrike në janar 2021

Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), Janar 2021

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin janar 2021, viti bazë 2015=100

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0.5% në muajin janar 2021.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej  0.5% në muajin janar 2021, krahasuar me muajin dhjetor 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (0.7%); pemë (0.9%); perime (6.1%); pije alkoolike (1.7%); duhan (0.8%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (3.7%) – “ngritje e çmimeve të naftës dhe benzinës”, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.8 për qind në IHÇK.

Ndërsa, rënie e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-0.5%); energji elektrike (-10.5%) – zbritja e çmimit të energjisë elektrike ka ardhur nga zbatimi i Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, Covid -19, Nr. 07/L-016, Neni 15, për periudhën janar – maj 2021, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.3 për qind) në IHÇK.

Norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin janar 2021 me muajin janar 2020, ishte (-0.2%).

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.2) për qind në muajin janar 2021, krahasuar me muajin janar 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: pemë (-13.4%); perime (-8.4%); veshje (-3.4%); energji elektrike (-10.8%); qelqurinat, takëmet dhe mjetet e kuzhinës (-4.3%); blerje e automjeteve (-1.4%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-9.9%) – “rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës”, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.9) për qind në IHÇK.

Ndërsa, ngritje e çmimeve në këtë periudhë vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.6%); mish (0.6%); qumësht, djathë dhe vezë (3.2%); vajra dhe yndyra (7.3%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (2.3%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (0.7%); pije alkoolike (2.2%); duhan (2.8%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (2.6%);  produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (2.3%); shërbime për transport (2.3%) – “ngritje e çmimeve të biletave të transportit ajror”, shërbimet telefonike dhe të telefaksit (20.3%); shërbime hoteliere (1.6%); kujdes personal (1.1%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.7 për qind në IHÇK.

Artikulli paraprakApple teston një mënyrë të re për të zhbllokuar iPhone me maskë në fytyrë
Artikulli tjetërMakinat Apple?! Ndoshta