Profiti neto i bankave komerciale në Kosovë, për vetëm dy muaj (janar-shkurt 2022), ka arritur në 21.1 milionë euro.
Një muaj më parë, të njëjtat kishin arkëtuar në stoqet e veta gjithsej 10.9 milionë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Pra, vetëm për një muaj, bankat në vend po arrijnë të realizojnë fitime mbi 10 milionë euroshe, fitime këto që kryesisht vijnë nga normat e larta të interesit.
Nga 54.4 milionë euro sa ishin të hyrat e përgjithshme në këtë sektor gjatë muajit shkurt të këtij viti, 38.5 milionë ishin vetëm nga të hyrat nga interesi.
Të njëjtat, në muajin janar ishin në vlerën e 20.3 milionë eurove.
Sipas informatave mujore për sektorin bankar të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për muajin shkurt, krahas të hyrave prej mbi 54 milionëve, 33.3 milionë kishin shkuar për shpenzime, prej të cilave vetëm 3.3 milionë për shpenzime të interesit dhe 19.9 milionë tjera për shpenzime të përgjithshme dhe administrative.
Normat efektive të interesit në këtë muaj u sillën në 5.8 për qind, derisa në janar norma e përgjithshme e interesit ishte 5.7 për qind. E për ekonomitë familjare, kjo normë ishte rritur në 6.0% nga 5.7 sa ishte në janar.
Ndërsa tek kreditë konsumuese, norma e interesit ishte 6.5 për qind dhe për korporatat jo financiare 5.7 për qind nga 5.8% në janar.
Gjithsej depozitat në këtë sektor, në shkurt ranë në 4 miliardë e 764.8 milionë euro nga 4 miliardë e 823 milionë euro sa ishin në janar, prej të cilave 3 miliardë e 378.93 milionë euro ishin depozita të ekonomive familjare kurse tjerat depozita nga korporatat financiare dhe jofinanciare.
Ndërkohë, edhe kreditë në këtë sektor u rritën. Në muajin shkurt ato arritën arritën në vlerën e 3 miliardë e 805.6 milionë eurove, nga 3 miliardë e 741 milionë eurove sa ishte vlera e përgjuthsme e kredive në janar.
Prej tyre, 1,424.4 milionë ishin kredi nga ekonomitë familje, derisa të njëjtat në janar ishin në vlerën e 1 miliardë e 407.3 milionëve.
Kurse, kreditë tjera ishin për korporatat jo financiare në vend.
E gjithë vlera e aseteve të sektorit bankar në Kosovë në këtë fillimvit ishte 5 miliardë e 806.5 milionë euro.
Kujtojmë se gjatë vitit 2021, fitimi neto i bankave komerciale në vend kishte arritur në 117.5 milionë euro. /Buletini Ekonomik/