ATK: Në 2020 inkasuam 24 milionë euro më pak

Puna dhe aktivitetet e ATK-së për vitin 2020 këtë herë janë prezantuar ndryshe, kjo si efekt i pandemisë COVID-19, e cila pa dyshim ka ndryshuar shumëçka në planet dhe strategjitë e punës të institucionit të ATK-së.

Gjatë kësaj konference Zv.drejtori i përgjithshëm i ATK-së Ekrem Hysenaj tha para mediave se puna dhe aktivitetet e ATK-së për vitin 2020 ishin planifikuar si çdoherë bazuar në dokumentet strategjike, të cilat diktojnë planet e punës së ATK-së.

Mirëpo, nga muaji mars 2020 të gjitha këto planifikime ndërruan rrjedhën, duke ulur në minimum aktivitetet e rregullta dhe duke u fokusuar në maksimum në zbatimin e masave të Qeverisë së Republikës së Kosovës për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve të saj, si edhe përkrahjen e bizneseve në forma të ndryshme.

Fjalimi i Hysenajt:

Siç edhe e dini bizneset kanë pësuar shumë nga pandemia, vet fakti që kemi pas një rënie të qarkullimit të bizneseve për 1.2 miliard euro, ka ndikuar edhe në inkasimin e të hyrave të cilat krahasuar me vitin e  kaluar kemi rënie për 5%  apo 24 milion euro më pak, ndërsa totali i të hyrave të inkasuara për vitin 2020 është 467 milion euro.

Po ashtu, ndikim të konsiderueshem kemi pasur edhe në stokun e borxheve, ku nëse marrim parasysh ecurinë e trajtimit të borxheve më parë, pas reformave që kemi bërë në mbledhjen e detyrueshme, kemi pas një ulje të theksuar të stokut të borxheve, por vështirësitë e krijuara tek bizneset nga pandemia, kanë bërë që stoku i borxheve të rritet përsëri. Pavarësisht kësaj, ATK në fazën e parë të pandemisë ka krijuar mekanizma,  të cilët ju kanë ndihmuar tatimpagueseve në ri-programimin e borxheve, ku numri i tatimpaguesve të cilët kanë bërë marrëveshje me ATK-në për ri-programim të borxheve është 1, 556 , me vlerë të obligimet për 75.6 milion euro”, tha ndër të tjera drejtori Hysenaj. Ai po ashtu, potencoj se vlera e borxhit të inkasuar për vitin që lamë ishte 94.0 mil. euro.

Ndër shumë të tjera dhe me interes,  ishte edhe prezantimi i sektorëve të cilët sipas të dhënave të ATK-së janë prekur më së shumti nga kjo pandemi. Drejtori i ATK-së nënvizoj se sektori i argëtimit dhe rekreacioni, ka pasur rënie prej 66.0%, duke u pasuar nga sektori i aktiviteteve të patundshmërisë, me një rënie prej 27.9%, sektori i akomodimit dhe shërbimit ushqimor, me 37.9%, etj.

Në përfundim të konferencës drejtori Hysenaj tha se ATK dhe stafi i saj, do të punojnë në maksimum në përmirësimin e situatës së krijuar nga rrethanat e pandemisë. Ai po ashtu, i bëri thirrje bizneseve që të jenë pjesë e misionit të përbashkët në kthimin e normalitetit të ekonomisë së vendit,  me theksë të veçantë normalitetit tatimor.

Artikulli paraprakNumra magjepsës: Sa njerëz në botë përdorin iPhone?
Artikulli tjetërEuropol shkatërron një rrjet të sulmeve kibernetike