Ambasadori Spahiu: Turqia mbështet zhvillimin ekonomik të Kosovës

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Ankara, Avni Spahiu, deklaroi të martën se Turqia jep mbështetje të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të Kosovës…

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Ankara, Avni Spahiu, deklaroi të martën se Turqia jep mbështetje të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Shefi i misionit diplomatik të Kosovës në Turqi ka vizituar qytetin e Mersinit për të realizuar takime dhe për të marrë pjesë në disa aktivitete. Në kuadër të kësaj vizite, ambasadori Avni Spahiu është takuar me Prefektin e Mersinit, Ozdemir Çakacak dhe kryebashkiakun Burhanettin Korkmaz.

Në fjalën e rastit në Prefekturë, Spahiu tha se mes Turqisë dhe Kosovës ekziston një histori e përbashkët, e cila daton prej vitesh të gjata, duke shtuar se Turqia gjithnjë ka qenë mbështetësi më i madh i Kosovës në përpjekjen e saj për pavarësi. Ai theksoi se lidhjet e fuqishme vëllazërore mes dy vendeve kanë vazhduar duke u rritur edhe pas pavarësisë së Kosovës.

Edhe pse Kosova është shtet i vogël – vijoi ambasadori Spahiu – ajo ka miq të fuqishëm si Turqia dhe se Turqia mbështet zhvillimin ekonomik të Kosovës.

“Turqia jep mbështetje të rëndësishme në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Në Kosovë aktualisht ushtrojnë veprimtari më shumë se 400 kompani turke. Ne jemi shtet i pasur me resurse nëntokësore. Po ashtu kemi popullsi të re, kurse cilësia e arsimit tonë është në gjendje mjaft të mirë”, theksoi ai.

Kurse Prefekti Ozdemir Çakacak theksoi se marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore mes dy vendeve janë në nivelin më të lartë.

Çakacak rikujtoi se Turqia është nga shtetet e para, që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, duke shtuar se dëshirojnë që Kosovën ta shohin si një vend edhe më të zhvilluar në çdo fushë.

Ndërkaq, gjatë vizitës në Bashkinë Metropolitane të Mersinit, Avni Spahiu ka thënë se Kosova pret tregtinë dhe investimet e nevojshme për zhvillim.

Artikulli paraprakErdogan: Për “Rrugën e Re të Mëndafshit” duam të punojmë me Kinën
Artikulli tjetërEksportet turke në 2017-ën do të jenë mbi 155 miliardë dollarë