Kthim vëmendje te strehimoret, sirenat dhe rezervat ushqimore.
Gjermania ka filluar punën për rritjen e numrit të strehimoreve të saj publike, si dhe rimbushjen e furnizimeve të krizës në rast lufte.
Këtë e ka bërë të ditur Ministrja Federale e Brendshme Nancy Faeser, raporton Reuters, duke cituar një raport të gazetës Welt am Sonntag.
Qeveria po shqyrton përmirësimin e sistemit të strehimit publik dhe do të rrisë shpenzimet për mbrojtjen civile, tha ministrja për gazetëm gjermane.
“Aktualisht në Gjermani ka 599 strehimore publike. Do të shohim nëse mund të gjejmë disa të tjera të ngjashme. Në çdo rast, çmontimi i tyre është ndalur”, tha Feaser.
Ajo shpjegoi se qeveria po punon për koncepte të reja, duke përmirësuar parkingjet nëntokësore, stacionet e metrosë dhe bodrumet, për t’u bërë strehimore të mundshme dhe se u ka dhënë shteteve federale 88 milionë euro për të instaluar sirena.
Ministrja njoftoi gjithashtu se vendi do të punojë edhe për rimbushjen e rezervave të krizës që përfshijnë pajisje mjekësore, veshje mbrojtëse, maska dhe ilaçe.
Kancelari gjerman Olaf Scholz ka premtuar më parë të rrisë fondet e mbrojtjes dhe të lërë mënjanë 100 miliardë euro për ushtrinë, sipas Reuters. /tesheshi.com/