A është forcuar vëllazëria Shqipëri-Kosovë pas Pavarësisë?

Kosova bën 14 vjet shtet i pavarur dhe përfaqëson shtetin e dytë shqiptar në Botë, Europë dhe rajon. Me shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, Kosova ka hapur shumë porta të reja mundësish për faktorin shqiptar në rajon.

Por, a i kemi shfrytëzuar këto mundësi?

“Scan Intelligence Unit” ka analizuar shifrat e tregtisë së jashtme ndër vite, si një prej treguesve më të rëndësishëm të partneritetit mes vendeve, dhe në rastin kur këto dy shtete përfaqësojnë jo vetëm partneritet, por edhe vëllazëri, shifrat marrin edhe një tjetër konotacion.

Si kanë ndryshuar vëllimet e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve që prej vitit 2007 e deri më sot?

Shifrat tregtojnë se, importet nga Kosova në vlerë janë rritur me 612.5% krahasuar me vitin para shpalljes së pavarësisë, ndërkohë që eksportet drejt Kosovës janë rritur me 711.2%.

Pra, Shqipëria jo vetëm që është “vëllai i madh” në terma të shkëmbimeve tregtare, por e ka thelluar ndjeshëm këtë pozicion gjatë këtyre 14 viteve, sinjalizojnë shifrat zyrtare. Përpara shpalljes së pavarësisë, suficiti tregtar i Shqipërisë me Kosovën fiksohej në 2.48 mld lekë, ndërsa në vitin 2021 është ngjitur në 22.25 mld lekë, pra është rritur me 9 herë.

Por, këto shifra nuk janë të zhveshura nga efekti i inflacionit, i cili ka qenë i pranishëm gjatë këtyre 14 viteve, sidomos gjatë vitit të kaluar. Në rast se analizën mbi shkëmbimet tregtare do ta bënim jo në vlerë, por në volum, atëherë do të vinim re se eksportet drejt Kosovës janë rritur me 547%, ndërsa importet në vendin tonë nga Kosova janë rritur me vetëm 88% në harkun e këtyre 14 viteve.

Duhet theksuar se analiza sipas peshës është e përafërt, pasi nuk ka vlerë për të gjitha produktet. Gjithsesi, edhe në këtë rast vëmë re të njëjtën gjë, atë se Shqipëria jo vetëm që vijon të mbetet “vëllai i Madh”, por se ndër vite i ka thelluar këto pozita. Madje, deri në vitin 2009, shkëmbimet tregtare mes dy shteteve ishin mjaft të përafërta në vëllim, me Kosovën madje që tejkalon Shqipërinë, por pas këtij viti duket se ka ardhur “kthesa e madhe”./scan/

Artikulli paraprakNuk je i rrënuar – je në fazën para se të bëhesh i pasur – Emilie Bellet.
Artikulli tjetërBiznesmeni ideal dhe rëndesia e Etikës Islame në biznes