A do të zgjasë inflacioni i lartë global?

Njerëzit mund të jenë të kushtueshëm. Mos u frikësoni! Por qëndroni vigjilentë, shkruan The Economist

 

Në janar, një banor i një qyteti perëndimor – le të themi Cleveland – mund të blinte një makinë Toyota Camry trevjeçare për rreth 18,000 dollarë dhe të mbushte rezervuarin e benzinës prej ​​60 litrash, për vetëm 28 dollarë. Deri në maj, kjo makinë do të kushtonte 22% më shumë dhe 16 litra gaz do të kushtonin 27% më tepër. Ndërkohë që ekonomia amerikane është zgjuar nga përgjumja pandemike, çmimet e mallrave të qëndrueshme janë rritur.

Jo shumë kohë më parë, ekonomistët ishin të prirë të mendonin se pandemia Covid-19 do të çonte në një rënie të gjatë ekonomike në vendet e pasura. Por kjo pikëpamje nuk qe e saktë. Në shkurt, Zyra e Buxhetit të Kongresit të Amerikës parashikoi se rritja ekonomike në Amerikë në vitin 2021, do të ishte 3.7%. Më 1 korrik, ajo e dyfishoi këtë parashikim në 7.4%. Që nga maji, Banka e Anglisë e ka rishikuar parashikimin e PBB-së në tremujorin e dytë të vitit, me një rritje prej 1.5%.

Rritja e papritur ekonomike është shoqëruar edhe nga një rritje e papritur e inflacionit. Një nivel i caktuar inflacioni ekzistonte që më parë. Fakti që çmimet – dhe në veçanti çmimet e mallrave – ranë gjatë pranverës së vitit 2020, do të thoshte se ato që njihen si “efektet bazë” do të rrisnin inflacionin total këtë verë: edhe nëse çmimet do të ishin të qëndrueshme nga muaji mars deri në qershor të këtij viti, rënia në të njëjtët muaj të vitit të kaluar, do të çonte në rritjen e diferencës nga viti në vit. Por çmimet bazë – që përjashtojnë energjinë dhe ushqimin – parashikohej që të qëndronin në një nivel stabël.

Në shkurt, parashikuesi ekonomik mesatar projektoi se çmimet bazë të konsumit në Amerikë, do të rriteshin me vetëm 1.9% pas vitit 2021. Kjo rritje i përket tashmë së kaluarës. Në tre muajt deri në maj, inflacioni bazë arriti në 8.3% mbi bazën vjetore, niveli më i lartë që nga fillimi i viteve 1980. Në qershor, indeksi i ndryshimeve të çmimeve të paguara nga prodhuesit amerikanë në Institutin për Menaxhimin e Furnizimit, regjistroi nivelin më të lartë që nga viti 1979, kur çmimet e konsumit u rritën me 13.3%.

 

 

Inflacioni në vendet e tjera të pasura ka qenë më modest (shih grafikun 1). Por sidoqoftë i ka tejkaluar pritshmëritë (shih grafikun 2). Inflacioni total i Eurozonës në bazë vjetore është rritur nga 0.9% në 1.9% që nga maji, duke qëndruar brenda objektivit të Bankës Qendrore Europiane që e parashikonte nivelin “poshtë, por afër 2%”. Shkaku kryesor këtu janë efektet bazë; çmimet bazë të konsumit në Eurozonë ranë midis muajve shkurt dhe maj, po ashtu edhe në Japoni.

Britania është një rast i ndërmjetëm. Inflacioni total është afërsisht brenda objektivave, por çmimet bazë të konsumit janë rritur. Kjo ka shkaktuar njëfarë alarmi. Kur u largua nga puna më 30 qershor, Andy Haldane, kryeekonomisti i Bankës së Anglisë, paralajmëroi se inflacioni britanik, aktualisht në nivelin 2.1%, do të ishte më afër shifrës 4% sesa 3%, në fund të vitit.

 

 

Kjo nuk është vetëm një çështje që ka prekur vendet e pasura. Një matës i inflacionit total në tregjet në zhvillim, i krijuar nga firma këshillimore Capital Economics, u rrit nga 3.9% në prill, në 4.5% në maj. Inflacioni në rritje ka nxitur një cikël shtrëngimi monetar. Që nga fillimi i qershorit, bankat qendrore në Brazil, Hungari, Meksikë dhe Rusi kanë rritur normat e interesit.

Rritja e qëndrueshme e inflacionit do të ishte një lajm i keq për dy arsye. Së pari, inflacioni shkakton dëm. Sondazhet e viteve 1970 dhe 1980 që masin nivelin e kënaqësisë nga jeta, zbuluan se një rritje prej 1% e inflacionit, ulte nivelin mesatar të lumturisë po aq sa një rritje prej 0.6% e nivelit të papunësisë. Nëse inflacioni i kap punëtorët në befasi, ai ndikon negativisht në pagat e tyre, duke dëmtuar veçanërisht personat me paga më të ulëta; dhe nëse kap në befasi bankat qendrore, ato mund të jenë të detyruara të ngadalësojnë ekonominë, apo edhe të krijojë recesion, për ta rikthyer situatën në normalitet.

Së dyti, inflacioni ka potencialin që të ndikojë mbi tregjet e aksioneve. Çmimet e larta të aksioneve, bonove, shtëpive, madje edhe kriptovalutave, kanë qëndruar të tilla falë supozimit se normat e interesit do të qëndrojnë të ulëta për një kohë të gjatë. Supozimi ka kuptim vetëm nëse bankat qendrore nuk ndihen të detyruara që t’i rrisin normat e interesit për të luftuar inflacionin. Nëse ato rriten së tepërmi, struktura financiare që është ndërtuar ndër vite mbi themelin e inflacionit të ulët, mund të humbasë bazat e saj.

Faktorët që nxisin rritjen e inflacionit janë të trefishtë. I pari është bumi i kërkesës për mallra si makinat, mobiliet dhe pajisjet shtëpiake, i nxitur nga nevoja e konsumatorëve për t’i bërë shtëpitë e tyre ambiente më të këndshme për të jetuar, në një periudhë karantine. Faktori i dytë është përçarja dhe pengesat në furnizimin global të disa prej këtyre mallrave. Për shembull, një mungesë e mikroçipave, po kufizon rëndë furnizimin me makina. Çmimi më i lartë i naftës e përkeqëson edhe më tepër gjendjen.

Përçarja në industrinë globale të transportit detar dhe në porte, e rëndon situatën në tregje të ndryshme. Dhe faktori i tretë (ndoshta më i rëndësishmi dhe i vetmi që ndihet tashmë plotësisht) është rritja e çmimeve të shërbimeve. Konsumatorët po rikthehen nëpër restorante, bare, parukeri dhe biznese të tjera, shumë më shpejt sesa punëtorët.

 

 

Amerika po përjeton inflacion më të lartë se kudo tjetër, kryesisht sepse, për shkak të stimulit më të madh ekonomik, ajo përjetoi bumin më të madh të mallrave të qëndrueshme. Sipas indeksit të çmimeve të shënjestruara nga Rezerva Federale, makinat, mobiliet dhe pajisjet sportive, ishin përgjegjëse për më shumë se katër të pestat e tejkalimit të inflacionit bazë në maj (shih grafikun 3).

Zinxhiri i furnizimit në Europë po përballet me të njëjtat probleme si në Amerikë, por me një kërkesë më modeste, mallrat e qëndrueshme që janë të ndjeshme ndaj përçarjeve, ishin vetëm 1.5% më të shtrenjta në maj, sesa një vit më parë, sipas Morgan Stanley.

Për sa kohë do të ketë fërkim midis kërkesës së fryrë dhe ofertës së kufizuar? Përvoja e vitit 2020 tregoi se zinxhirët e furnizimit mund të gjenin zgjidhje relativisht të shpejta për disa probleme të caktuara – siç ishin mungesa e letrave higjienike dhe testeve diagnostike. Por pengesa si furnizimi me mikroçip dhe kapaciteti i transportit nuk janë probleme që mund të rregullohen me shpejtësi: zgjerimi i kapacitetit kërkon investime në fabrika dhe anije. Firmat kanë raportuar se parashikojnë që koha e dorëzimit të dërgesave të zgjatet, në gjashtë muaj.

Por megjithëse disa nga problemet do të vazhdojnë, kontributi i mungesës së mallrave të qëndrueshëm në inflacion, mund të ketë arritur kulmin. Inflacioni është shkalla në të cilën çmimet ndryshojnë, jo një matës se sa të larta janë ato. Nëse çmimet qëndrojnë të larta, por nuk rriten më tej – ose edhe nëse thjesht e ngadalësojnë ritmin e rritjes së tyre – atëherë inflacioni bie. Nëse çmimet ulen sërish, siç ndodhi me çmimet e lëndës drusore në Amerikë, me një ulje dramatike prej 40% në qershor, atëherë efektet bazë shkojnë anasjelltas, duke e ulur inflacionin total.

Rritja e kërkesës në përgjithësi, e cila shtoi kërkesën për mallra të qëndrueshme, po bie gjithashtu. Kjo nuk është për shkak se njerëzve po u mbarojnë paratë. Gjatë pandemisë, shpenzimet e përgjithshme të familjeve u ulën, edhe pse masat stimuluese ekonomike i ruajtën ose i rritën të ardhurat. Në Amerikë, niveli i kursimeve të tepërta qëndron rreth 2.5 trilionë dollarë, ose 12% e PBB-së. Ekuivalenti në Eurozonë ishte 4.5% e PBB-së në fund të vitit 2020. Nuk ka gjasa që të ketë rënë edhe më tepër.

Megjithatë, kursimet po shpenzohen për gjëra të ndryshme. Me rihapjen e shërbimeve, konsumatorët po përballen me një zgjedhje: të paguajnë çmime të larta për mallra që kanë qenë në gjendje t’i blejnë gjatë gjithë pandemisë apo të paguajnë për ato përvoja nga të cilat janë privuar për gati dy vjet. Dhe zakonisht zgjedhin këtë të fundit.

 

Një shpresë e re

Në terma të inflacionit, kjo zhvendosje mund t’i shtyjë ekonomitë drejt një vrulli të zjarrtë, përtej kontrollit. Kërkesa e lartë për hotele, transporte dhe restorante, do të thotë se shumë kompani kanë nevojë për punëtorë. Dhe punëtorët po bëhen vërtet të kushtueshëm.

Megjithëse ka shtuar gati 350,000 vende pune në qershor, sektori i hotelerisë në Amerikë është ende në shtatë të tetat e kapacitetit para-pandemik, në aspektin e punësimit. Kjo për shkak se punëtorët kanë përfituar gjatë pandemisë paga stimuluese me vlerë 2,000 $ dhe njëkohësisht janë zgjeruar programet e ndihmës për të papunët. Këta punëtorë janë tashmë në kërkesë të lartë për shkak të mungesave në tregun e punës.

Pagat në sektorin e hotelerisë janë gati 8% më të larta se në muajin shkurt të vitit të kaluar; vendet e hapura të punës janë të bollshme. Restorantet dhe hotelet zakonisht kanë marzhe të ulëta fitimi: atje ku rriten pagat, zakonisht rriten edhe çmimet.

Sipas JPMorgan Chase, çmimet mesatare të shërbimeve në të gjithë botën, janë ende nën nivelin para-pandemik. Mbyllja e vetëm gjysmës së këtij hendeku në gjysmën e dytë të këtij viti, do të shtonte me 1% inflacionin total mesatar.

Sidoqoftë, në disa vende, kostot e punës duket se e eliminojnë plotësisht hendekun, ose të paktën pjesërisht. Në Amerikë, punëtorët kërkojnë një pagë 3% më të lartë për të marrë një vend pune, në krahasim me periudhën para pandemisë, sipas një studimi të fundit nga New York Fed. Për punëtorët me pagë të ulët, niveli i pagës së kërkuar është rritur me 19%.

Ekonomistët amerikanë kanë hedhur shumë hipoteza për të shpjeguar pse njerëzit po ngurrojnë të marrin vendet e punës të ofruara me të njëjtat paga dhe kushte pune, si në periudhën para-pandemike. Disa fajësojnë zgjerimin e programeve të sigurimit të papunësisë në Amerikë dhe mendojnë se pagat do të ndalojnë së rrituri kur këto programe të skadojnë në shtator (ato tashmë janë shkurtuar në disa shtete).

Të tjerë sugjerojnë se punonjësit e restoranteve nuk janë të gatshëm të rikthehen në punë të tilla, sepse virusi nuk është frenuar ende, ose sepse mbylljet e shkollave po i detyrojnë punëtorët të qëndrojnë në shtëpi që të kujdesen për fëmijët.

Asnjë nga këto shpjegime nuk është plotësisht i kënaqshëm. Britania dhe Australia po vuajnë gjithashtu nga mungesa e punëtorëve në disa industri, pavarësisht se nuk kanë skema bujare për të papunët. Duket e çuditshme ideja se kamerierët e rinj, të cilët nëse dëshirojnë mund të vaksinohen, do t’i konsideronin restorantet si vende të rrezikshme për të punuar.

Një studim i ri nga Jason Furman dhe Wilson Powell III nga Universiteti i Harvardit dhe Melissa Kearney nga Universiteti Maryland, zbuloi se papunësia shtesë midis nënave të fëmijëve të vegjël përbën vetëm një pjesë “të papërfillshme” të deficitit të punës në Amerikë, në kundërshtim me hamendësimet konvencionale.

Disa spekulojnë mbi shkaqe, të cilat ekonomistët e kanë të vështirë t’i marrin në konsideratë. E tillë është rëndesa psikologjike e pandemisë. Gjatë kësaj periudhe të vështirë, njerëzit kanë pasur kohë të mjaftueshme për të reflektuar se çfarë lloj pune duan të kryejnë në të vërtetë, duke provokuar frymëzime shpirtërore dhe kuriozitete për të eksploruar territore të reja.

Ndoshta do të vijë një pikë kur persona të tillë që kërkojnë diçka të re, do të rikthehen në punë, mbase në sektorë të tjerë. Por nuk është e qartë se kur mund të ndodhë një gjë e tillë. Në të vërtetë, me përjashtim të rritjes së përfitimeve të papunësisë, asnjë prej faktorëve shkakësorë të lartpërmendur, nuk na jep një tregues konkret se për sa kohë do të zgjasë kjo situatë.

 

 

Një çmim tjetër mjaft elastik është ai i qirasë. Gjatë pandemisë, normat e ulëta të interesit dhe kërkesa për më shumë hapësirë, ​​shkaktoi një bum të jashtëzakonshëm të çmimeve të shtëpive në të gjitha vendet e pasura: në prill, shtëpitë amerikane ishin 14.6% më të shtrenjta sesa një vit më parë. Megjithatë, qiratë në Eurozonë dhe Britani mbeten nën nivelin e tyre para-pandemik; në Australi, qiratë kanë rënë gjatë gjithë pandemisë.

Qiramarrësit kanë më shumë të ngjarë se pronarët e shtëpive që të kenë humbur punën gjatë vitit të kaluar dhe qiratë janë shumë ciklike, duke ndjekur fatin e ekonomisë. Por ndërsa ekonomitë dhe tregjet e punës rimëkëmben, mund të rriten edhe çmimet e qirave. Qiraja përbën një të pestën e inflacionit bazë në indeksin e shënjestruar nga Rezerva Federale.

Që inflacioni i lartë të vazhdojë, duhet që pagat, qiratë dhe gjëra të tjera të ngjashme, të vazhdojnë të rriten me shpejtësi. Kjo mund të ndodhë nëse përvoja e pandemisë ka ndryshuar të dhënat e ekonomisë në një mënyrë tepër të thellë – për shembull, duke rritur përgjithmonë shkallën e papunësisë në të cilën pagat dhe çmimet nisin të rriten. Por një rrugë më e mundshme drejt inflacionit vazhdimisht të lartë do të ishte një cikël i pritshmërive vetëpërmbushëse.

Deri tani, pritshmëritë e inflacionit nuk janë rritur më shumë sesa vetë inflacioni. Marrim si shembull tregjet financiare. Është e modës që t’i kushtohet vëmendje e madhe pritshmërive të investitorëve mbi inflacionin, siç tregohet edhe nga ndryshimi në çmime midis bonove të mbrojtura nga inflacioni dhe atyre normale. Pritshmëritë u rritën vazhdimisht pas fitores së presidentit Joe Biden në zgjedhje, e cila rriste mundësinë e miratimit të një stimuli më të madh ekonomik. Megjithatë, kohët e fundit, këto pritshmëri kanë rënë përsëri në nivele pak a shumë të ngjashme me objektivin e inflacionit të Rezervës Federale.

Në Eurozonë, investitorët ende presin që BQE të ulë objektivin e inflacionit në pesë vitet e ardhshme. Para se të largohej nga banka, zoti Haldane vuri në dukje një rritje të masave të pritshmërive afatgjata të tregut financiar për Britaninë. Por me 0.3% mbi mesataren e dekadës së kaluar, kjo nuk është ndonjë situatë alarmante. Për sa u përket konsumatorëve të përditshëm, sondazhet që studiojnë pritshmëritë e tyre në këtë fushë, kanë zbuluar se ato janë rritur, por vetëm në nivele modeste.

 

Kërcënimi fantazmë?

Këto pritshmëri “të ankoruara” u japin bankave qendrore të vendeve të pasura disa lehtësi kur bëhet fjalë për të injoruar rritjen e përkohshme të çmimeve. Ndryshimi i qëndrimit të tyre ndaj inflacionit i inkurajon ato që ta shfrytëzojnë plotësisht atë.

Që nga gushti i vitit 2020, Rezerva Federale ka synuar një normë mesatare inflacioni prej 2% gjatë gjithë ciklit ekonomik. Tani një tejkalim i këtij niveli mund të kompensojë për mungesat e kaluara ose të ardhshme (Rezerva Federale pret që inflacioni të jetë në nivelin 3.4% në fund të vitit).

BQE parashikon që inflacioni të jetë 2.6% në fund të vitit. Më 8 korrik, ajo e braktisi objektivin e saj “afër, por nën 2%”. Në vend të kësaj, tani e tutje do të synojë një objektiv “simetrik” prej 2%, ku “devijimet negative dhe pozitive të inflacionit nga objektivi standard, janë njëlloj të padëshirueshme”. Kjo do ta bëjë tejkalimin e objektivit më të pranueshëm.

Kombinimi i pritshmërive të ankoruara dhe qëndrimeve të ndryshuara shpjegon pse bankat qendrore dhe posaçërisht Rezerva Federale, duket se kanë një qëndrim relativisht të qetë në lidhje me inflacionin, duke e bërë të qartë se ato janë të vetëdijshme për rreziqet, por edhe duke mos hyrë menjëherë në veprim.

Kështu, në qershor, Rezerva Federale sinjalizoi se mund të rriste normat e interesit dy herë në vitin 2023, më shpejt sesa pritej më parë; madje disa nga përcaktuesit e saj të normave kanë hedhur mundësinë se kjo mund të ndodhë edhe vitin e ardhshëm. Krijuesit e politikës monetare kanë deklaruar se janë gati të ngadalësojnë blerjet e aseteve të Rezervës Federale këtë vit.

Është e mundur që bankat qendrore mund të jenë duke besuar shumë në fat. Në të kaluarën, pritshmëritë e rritjes së shpejtë të inflacionit, kanë qenë një shenjë tipike se gjërat tashmë kanë shkuar keq, jo një shenjë se do të shkojnë për keq. “As tregjet e bonove dhe as ekonomistët nuk e kanë parashikuar saktësisht inflacionin në të kaluarën”, përfundon një analizë e fundit nga Joseph Gagnon dhe Madi Sarsenbayev nga Instituti Peterson për Ekonomi Ndërkombëtare, një think-tank. Ideja se pritshmëritë mund të de-ankorohen nuk është “shqetësimi im më i madh, por nëse nuk është në listën tuaj të shqetësimeve, nuk po mendoni qartë për këtë çështje”, tha Furman kohët e fundit.

(Një këshilltar i vjetër ekonomik i ish-presidentit Barack Obama, thotë se shqetësimi i tij më i madh mbetet rreziku i një recesioni, sepse megjithëse gjasat janë të ulëta, pasojat do të ishin të tmerrshme.) Firma këshillimore Oxford Economics, parashikon se ekziston një mundësi prej 10-15% që ekonomia amerikane të bjerë në një “regjim me inflacion të lartë” ku çmimet të rriten vazhdimisht mbi 5%.

Dhe vetëm bankat qendrore të vendeve të pasura, kanë luksin e pritshmërive të inflacionit të ankoruara në mënyrë të sigurt. Tregjet në zhvillim, të cilat po vuajnë gjithashtu nga rritja e vazhdueshme e çmimeve globale të mallrave, duhet të tregohen më të kujdesshëm në kontrollin e inflacionit. Ata gjithashtu duhet t’i kushtojnë vëmendje të madhe inflacionit amerikan.

Ndërsa Rezerva Federale shtrëngon politikën monetare, ajo ushtron presion në rënien e valutave të tregjeve në zhvillim, duke e bërë më të shtrenjtë që këto vende të importojnë mallra dhe duke krijuar një burim tjetër të inflacionit vendas. Monedhat e tregut në zhvillim kanë rënë me një mesatare prej 1.5% që nga mbledhja e Rezervës Federale në qershor.

Kjo po ndodh në një kohë kur ekonomitë e tregjeve në zhvillim janë në përgjithësi më pak të shëndetshme sesa vendet e pasura për shkak të niveleve më të ulëta të vaksinimit. Dilema me të cilën ato përballen, midis ndihmës për rritjen ekonomike apo përmbajtjes së inflacionit, do të jetë e dhimbshme. Megjithatë, edhe pse disa banka qendrore janë duke rritur normat e interesit, situata nuk është akute. Rusia dhe Afrika e Jugut kohët e fundit kanë marrë në konsideratë idenë e shtrëngimit të objektivave të tyre të inflacionit (aktualisht përkatësisht 4% dhe 3-6%). Kjo do të ishte absurde mes presionit në rritje të çmimeve.

Inflacioni gjithmonë ia vlen të merret seriozisht, sidomos sepse besimi se bankat qendrore do ta bëjnë këtë, shërben si një kontroll në vetvete. Nëse Rezerva Federale kalon disa vjet duke u përpjekur të arrijë objektivin e saj të inflacionit prej 2% nga një nivel paksa më i lartë, nuk do të shkaktohet ndonjë dëm i madh. Por ky inflacion mbart një mesazh shtesë.

Shumica e politikëbërësve të viteve 2010 në vendet e pasura, nuk mund ta kuptonin pse inflacioni ishte kaq i ulët dhe kishin frikë se nuk kishin aftësinë për ta rritur atë. Është e mundur që, edhe tani, Eurozona dhe Japonia mund të qëndrojnë të bllokuara në një kurth të inflacionit të ulët.

Amerika ka treguar se një kombinim i jashtëzakonshëm i stimulit fiskal dhe monetar mund të bëjë që çmimet të rriten edhe kur normat e interesit janë të ulëta. Kjo njohuri mund të jetë e vlefshme për të tjerët edhe në të ardhmen. Sfida tani është të sigurohet që çmimi i paguar për të, të mos jetë shumë i lartë.

 

Artikulli paraprakRimëkëmbja ekonomike e Britanisë nga pandemia nuk është e lehtë
Artikulli tjetërÇmimet e naftës rriten, aksionet bien