Rreth krizave financiare, inflacionit dhe parasë së letrës?

Pyetja:

Es selamu alejkum ue rahmetullahi ue berekatuhu. Pyetja ime qëndron se si është e mundur që herë pas here nëpër botë dhe tek ne, në raste krizash vlera e  “parasë së letrës” ndryshon më shumë raste në mënyrë të egër për shoqërinë në përgjithësi. Problemin e nis për shkak se në shtator – nëntor 2010 çdo “pare letre” u zhvlerësua me mbi 10% të vlerës reale të saj (në bursën ndërkombëtare) dhe  për pasoje çdo pasuri e jona e ndërtuar mbi “paranë e letrës”. Zhvlerësimi u bë kundrejt standardit të arit, i cili edhe pse shumë thonë qe iu rrit çmimi, në fakt u ul vlera e “parave tona të letrës” të cilat nuk janë te mbrojtura nga zhvlerësimi. E ngrita këtë pyetje sepse një shumice me te cilën komunikoj e  shikon vitin 2010 si vit pozitiv në ekonomi dhe tani në janar të 2011 ne vetëm po përballemi me pasojat e vonuara të kësaj pune e cila qëllimisht vonohet që të  mos kuptohet vjedhja dhe mashtrimi i bërë karshi pasurisë së shumicës së botës. Vlera në numra është po ajo e printuar në kartëmonedhat tona porse vlera ka ndryshuar dhe rritja e çmimeve është vetëm një pasojë logjike…

Problem tjetër është se jo pak raste ka ndodhur në botë në kohë të ndryshme krizash kur  monedhat e “letrës” kanë falimentuar brenda ditës. Do të doja të dija pse të  paktën nuk flitet për standardin e arit i cili nuk e humb vlerën si “paraja e  letrës” e cila zhvleftësohet dita-ditës nga pompimi në sistemin bankar të kartëmonedhave të reja. Kjo është njëlloj sikur ne të kemi makina printimi paraje në shtëpitë tona dhe te dalim ditën tjetër me valixhe me para dhe te  presim që vlera e parasë të rrijë stabile…

Pas gjithë këtij shqetësimi pyetja finale është kjo: pse nuk flitet për këtë ose aq pak sa njerëzit nuk e njohin fare si diçka që po shkatërron pasurinë dhe kursimet e tyre dita-ditës nëpërmjet te zhvlerësimit të asaj që kanë në xhepa dhe sëndukë, pse nuk flitet që ne të paktën ta urrejmë me zemër (n.q.s. nuk e ndryshojmë me fjalë apo vepër) këtë lloj kamate, mashtrimi, vjedhje, bukë-robërie moderne, që po kryhet mbi ne me apo pa dijeninë tonë. Jeta është e gjatë shumë herë dhe ato që janë mbledhur për fëmijët tanë nuk vlejnë me sa gjysma e tyre në kohen kur janë ruajtur dhe kjo është vjedhje e pasurisë së fëmijëve tanë, mundësive tona për te ndihmuar me pasuri në rrugë të Zotit xh.sh., ndihmës që mund t’i ofronim të tjerëve, etj. A është koha qe ne te flasim apo te heshtim përpara asaj qe na shkatërron dynjanë dhe fenë tone… selamun alejkum,
Përgjigjja: 

 

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit!

Vëlla i nderuar, pyetja e juaj është mjaft e gjatë, në fakt duket më shumë të jetë vështrim rreth disa problemeve ekonomike, aktuale e bashkëkohore sesa një pyetje që kërkon përgjigje. Sidoqoftë  në këtë çështje do të flasim në tri pika:

Pika e parë: Është e vërtetë se paratë e letrës që përdoren tani nuk kanë qenë të njohura në kohërat e hershme dhe monedhat të cilat janë përdorur atëbotë, nga njerëzit, kanë qenë nga ari e argjendi. Kjo për faktin se këto monedha kanë qenë të çmuara dhe të vlefshme në vetvete, prandaj edhe është zhvilluar shitblerja me to. Mirëpo, me kalimin e kohës, për shkak të zgjerimit të fushave të tregtisë dhe për shkak të vështirësisë e rrezikut të qarkullimit dhe mbajtjes me vete të këtyre pasurive gjatë udhëtimit, neper tregje, ose edhe në privatësi, njerëzit janë detyruar që të hulumtojnë dhe të gjejnë zgjidhje për këto probleme. Kështu ata neper qytete filluan të hapin zyra dhe institucione të siguruara, që njerëzit ti deponojnë pasurit e tyre për t`u ruajtur nga rreziku i vjedhjes dhe i humbjes së tyre. Këto institucione u lëshonin klientëve të cilët i depononin pasuritë e tyre dokumente në formë të letrave të çmuara si garanci për posedimin e pasurisë së caktuar neper këto vende.

Me kalimin e kohës njerëzit filluan të tregtojnë me këto letra duke shkëmbyer pasuritë e deponuara neper këto institucione pa i tërhequr ato. Kështu tregtimi me këto letra (që kishin formën e çeqeve), ishte fillimi i parave të letrës dhe institucionet në të cilat deponoheshin pasuritë e çmuara të arit dhe argjendit, konsiderohen si fill i bankave të cilat do të përsosen me kalimin e kohës.

Pika e dytë: Kartëmonedhat të cilat i lëshojnë në përdorim shtetet bashkëkohore, shtypen  varësisht prej thesarit që e posedon shteti, pasi që paratë që lëshohen në qarkullim duhet të kenë mbulesë me ari dhe argjend.  Prandaj edhe shtypja e parave bëhet varësisht prej thesarit që e posedon shteti dhe nëse ndodh që shtetit të lëshoj në qarkullim më shumë para se që ka mbulesë, atëherë fillon të rritet inflacioni.

Mirëpo tani posaçërisht në shekullin e fundit, pasi neper shtete, përveç arit dhe argjendit, janë përhapur forma të tjera të pasurive të çmuara si prodhimet në fusha të ndryshme, zhvillimi ekonomik, shfrytëzimi i shumanshëm i pasurive natyrore, etj., mbulesë e parave që lëshohen nga shtetet nuk ka mbetur të jetë vetëm ari e argjendi, por mbulesë e tyre janë edhe të mirat tjera të cilat i posedon ai shtet, sikurse fuqia prodhuese nga fabrikat të cilat gjenden në atë shtet, pasuritë natyrore që përpunohen,  eksporti i mallrave, etj.

Duke e pasur parasysh këto më sipër, themi se çështja e kartëmonedhave është një çështje mjaft komplekse e cila ndërlidhet me botëkuptimin se çfarë konsiderohet pasuri reale dhe çfarë jo, prandaj pothuajse është e pamundur që të bëhen ndërhyrje apo ndryshime radikale për të cilat ju flisni.

 

Pika e tretë: Përdorimi i parave të letrës ishte një lehtësim i cili lindi si nevojë e njerëzve që të mos mbajnë me vete pasuri të çmuara sikurse arë dhe argjend, gjatë shitblerjeve. Mirëpo kjo nevojë nuk do të thotë se domosdo do të jetë prezent gjithmonë. Në fakt, shumë njohës të ekonomisë parashohin se në një të ardhme të afërt, me përparimin e teknologjisë dhe kompjuteristikës, është shumë e pritshme se kartelat bankare do ti zëvendësojnë kartëmonedhat tërësisht.  Me një fjalë, mënjanimi i përdorimit të parave të gatshme (cash), gjatë tregtive të ndryshme duke zëvendësuar me paratë elektronike do të jetë e gjithanshme, kështu që njerëzit në të ardhmen edhe gazetën kur do ta blejnë, atë do ta bëjnë me kartelë elektronike. Prandaj themi se këto mjete dhe metoda që njerëzit i aplikojnë, si në të kaluarën, (pasi që në fillim shitblerja realizohej me këmbim të një malli me ndonjë malli, pastaj me këmbim të mallit me arë dhe argjend dhe kështu me radhë), por edhe në të ardhmen janë veprime që i nënshtrohen rrethanave dhe nevojave të kohës. Zoti e di më së miri!

 

Alaudin Abazi

Artikulli paraprakPjesëmarrja në lojërat shpërblyese komerciale të qendrave tregtare?
Artikulli tjetërA ka banka islame në Evropë?