Çdo pretendim i Serbisë ndaj pronësisë së ndërmarrjes “Trepça” ka marrë fund me nxjerrjen e Ligjit për Trepçën. Por, lidhja e Begradit me “Trepçën” është kompensimi i dëmeve të shkaktuara ndaj saj.
Vetëm paga të punëtorëve të kësaj ndërmarrje kapin shumën prej 1.2 miliardë euro. Ndërkaq në total Serbia i ka borxhe Kosovës më shumë se 20 miliardë euro.
Kështu thotë për Ekonomia Online, Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri. “Qeveria e Serbisë ka bërë dëme në Kosovë në mënyrë institucionale, ajo ka barrë mbi vete një dëm shumë të madh që përfshinë mbi 20 miliardë euro, paga të humbura, kursime devizore, shkatërrimi i buxhetit, dezinvestimi, dëmet e luftës, pronën private dhe pronën publike, e shumë çështje tjera të cilat janë prezantuar dhe janë dokumentuar në bisedimet e Vjenës”, ka thënë Mustafa.
“Ajo faturë po i faturohet gabimisht Qeverisë së Kosovës, ose ‘Trepçës’, ajo faturë duhet t’i faturohet Serbisë, për arsye se regjimi i tyre i ka hedhur punëtorët jashtë pune në mënyrë të padrejtë dhe të paligjshme dhe duhet t’i kompensojë ato paga”, thotë ai.Mustafa ka treguar se në “Trepçë” ka filluar studimi i fizibilitetit dhe beson që në muajin shkurt të këtij viti do të jetë i gatshëm dhe se mbi bazë të tij do të ndërtohet Strategjia për zhvillimin e ardhshëm të “Trepçës”.
Sa i përket vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit e cila vendosi në favor të kompanisë “Z Mobile”, me çka Telekomi i Kosovës do të duhej të paguaj 26 milionë euro ndaj kësaj kompanie, Mustafa ka thënë se ky është një zhvillim shumë i keq, ku duhet të tejkalohet aktivizimi i kësaj kontrate dhe këtij dëmshpërblimi përmes rrugëve ligjore.
Ndërkaq duke folur për dështimin e privatizimit të Brezovicës, Mustafa ka thënë se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nëpërmjet Agjencisë të Promovimit të Investimeve është duke munduar të gjej investitorë të rinj dhe të kanalizohet përmes Ligjit për Investime Strategjike. Mustafa ka folur edhe për zhvillimin ekonomik gjatë vitit që lampas, duke thënë se kanë pasur disa ecuri pozitive, të cilat nganjëherë neglizhohen dhe harrohen.
“Së pari kemi stabilizuar rritjen ekonomike me mbi 4 për qind, që është një lajm i mirë. E dyta, kemi një Pako të mirë Fiskale, të volitshme për investitorët. E treta, e kemi stabilizuar dhe konsoliduar buxhetin i cili ka mbërri një vëllim të caktuar dhe kemi diversifikuar protoflion e burimeve financiare për të investuar investimet publike apo kapitale me interes publik”, ka thënë ai.
Megjithatë faktori kryesor kufizues, sipas tij, është situata politike jostabile, lufta primitive politike që konsumon shumë energji dhe gjyqësori joefikas. Forcat politike, sipas tij, duhet ta evitojnë antagonizmin e tepruar të luftës për pushtet, por të përqendrohen në alternativa, programe dhe kritika konstruktive.
Sa i përket shkallës së lartë të papunësisë në vend, Mustafa ka thënë se derisa nuk kalohet rritja ekonomike mbi 5-6 për qind, nuk do të bëhet një kthesë radikale në zvogëlimin e papunësisë. Rritja ekonomike prej 5 apo 6 për qind, sipas tij nuk mund të arrihet para vitit 2018.
“Sa i përket politikave ekonomike po krijohet një mjedis i mirë për invetsime. Por për t’u kompletuar kjo, duhet të përmirësohet situata politike, të evitohet dhuna si mjet politik dhe të përmirësohet puna e gjyqësorit dhe mbrojtjes së kontratave dhe siguria biznesore në Kosovë”, ka thënë Mustafa.