Qeveria e Kosovës mbështet të gjitha iniciativat private për investime në sektorin e energjisë brenda kornizën ligjore dhe institucionale, duke synuar që të diversifikojë burimet e energjisë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Këto komente Stavileci i bëri sot me rastin e prezantimit të projektit për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese prej 150 MW nga burimet e energjisë solare, projekt i Kompanisë Jaha Group. Të pranishëm, përveç investitorëve, ishin edhe Zëvendësambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Christina Gehlsen, përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare si BERZH, KfW, IFC etj.
Kreu i MZHE-së tha se Qeveria është e përkushtuar që të sigurojë furnizim të rregullt me energji elektrike, por çdo herë duke pasur parasysh impaktin social dhe mbrojtjen e ambientit.“Ne jemi të bazuar në katër burime për prodhimin e energjisë , nga era, uji, ajri, dhe biomasa. Sa i përket sektorit privat shohim se gjërat kanë lëvizur në drejtim pozitiv siç është rasti i hidrocentraleve të vogla, nuk kemi diçka nga biomasa, por kemi diçka nga burimet e erës, ndërsa kemi disa projekte të cilat janë në fazën e draftimit, kemi po ashtu disa projekte të propozuara nga sektori privat”, tha Stavileci.
Sa i përket angazhimit të Qeverisë për të ndihmuar investitorët për investime në këtë sektor, Ministri Stavileci tha se tashmë është duke u punuar në themelimin e One Stop Shop për Burime të Ripërtritshme të Energjisë, me çka synohet të reduktohen procedurat dhe të eliminohen barrierat e mundshme.Përfaqësues të Jaha Group theksuan se projekti ndihmon Kosovës në diversifikimin e burimeve në fushën e energjisë si dhe rrit sigurinë e furnizimit me energji.
Ata po ashtu theksuan se kjo kompani pas investimit në prodhimin e paneleve solare synon që me projektin e gjenerimit të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të vendit.