Zëvendëskryeministri i Kosovës, Ramiz Kelmendi, priti në takim ambasadorin e Republikës së Francës në Kosovë, Didier Chabert.
Gjatë takimit, zëvendëskryeministri e falënderoi ambasadorin francez për mbështetjen e vazhdueshme të Francës për Kosovën, duke e njoftuar për prioritetet dhe përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, të drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, për fuqizimin e gjithanshëm të vendit.Në takim u bisedua për zhvillimin ekonomik, mbështetjen e sektorit të bujqësisë, për luftimin e korrupsionit, lehtësimin e qarkullimit për bizneset, për përmirësimin e politikave fiskale, sundimin e ligjit si dhe angazhimet e veçanta për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe vendor.
Po ashtu, zëvendëskryeministri Kelmendi theksoi mundësitë për investime në Kosovë nga investitorët francezë, duke përfshirë sjelljen e makinerive moderne.Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, shprehu përkushtimin e tij për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori Chabert foli për projektin e ujërave të zeza, ku Kosova ka nënshkruar financimin e projektit, dhe po ashtu theksoi se investitorët francezë janë të interesuar për investime në Kosovë, si në ndërmarrje të vogla ashtu edhe në ato të mesme.Ambasadori francez shprehu gatishmërinë për formimin e Klubit të Bizneseve Franko-Kosovar, ngjarje kjo që pritet të mbahet në Paris në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.