Projektbuxheti për Vitin 2017 ka kaluar dje në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa. Deputeti i PDK-së, Shukri Buja, ka votuar kundër sikurse edhe deputetët e opozitës
Komisioni Parlamentar për Buxhet dhe Financa ka miratuar dje Projektbuxhetin për Vitin 2017, pavarësisht vërejtjeve nga disa deputetë të pozitës dhe të opozitës.
Deputeti i PDK-së në Komision, Shukri Buja, votoi kundër Projektbuxhetit, duke kërkuar që ai t’i kthehet Qeverisë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Ndërsa bashkëpartiakja e Bujës, Safete Hadërgjonaj, pavarësisht vërejtjeve që kishte, votoi pro këtij Projektbuxheti.
Në anën tjetër Avdullah Hoti, ministër i Financave, ka thënë se ky Projektbuxhet bazohet plotësisht në dokumentet strategjike që i ka të aprovuara Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi, duke përfshirë Strategjinë Kombëtare për Zhvillim, Programin e Qeverisë, Programin për Reforma Ekonomike, Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve dhe dokumentet e tjera sektoriale.
Parimet në të cilat, sipas tij, është bazuar ky buxhet duke përfshirë ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale, sigurimin e financimit të projekteve, ruajtjen e rezervës fiskale në nivel të mjaftueshëm për respektimin e dispozitave ligjore sa i përket rezervës fiskale, rritjen e shpenzimeve kapitale dhe normalisht adresimin e plotë të barrierave dhe ofrimin e iniciativave fiskale që avancojnë konkurrueshmërinë e sektorit privat në përgjithësi. Hoti tha se ky buxhet ka pajtimin e plotë të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
“Ne presim që të përmbyllim këtë vit me një rritje ekonomike rreth 4 për qind, për vitin e ardhshëm presim që rritja ekonomike të shkojë dukshëm mbi 4 për qind dhe kjo është konfirmuar edhe në raportet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar. Shifrat e buxhetit prej 2 miliardë e një milion eurosh në fakt janë mjaft konservative nëse arrijmë të bëjmë progres në disa projekte madhore siç është rasti i kapaciteteve të reja në prodhimin e energjisë, funksionalizimin e plotë të “Trepçës” dhe nëse arrijmë të bëjmë progres në disa projekte duke e shfrytëzuar Ligjin për Investime Strategjike. Ne jemi të sigurt që kjo rritje ekonomike do të jetë dukshëm më e lartë sesa që është prezantuar në këtë buxhet”, ka thënë ai.