Rreth nëntë milionë euro të deponuara në Trustin e Kursimeve të Kosovës – por të cilat nuk kanë pronarë – pritet që me ligjin e ri të barten në Buxhetin e Kosovës.
Kështu deklarojnë zyrtarë përgjegjës të Trustit, duke mohuar mundësinë që mjetet e kontribut-paguesve, që menaxhohen nga Trusti i Kursimeve Pensionale, të barten në buxhetin e Republikës së Kosovës.
Shqetësimet për rrezikimin e kursimeve pensionale ishin shtuar në kohën kur qeveria kishte miratuar ndryshimin dhe plotësimin e Ligji për Fondet Pensionale të Kosovës. Ky projektligj ka për qëllim rregullimin e procedurave të funksionimit dhe obligimet e Fondit Pensional.
Jeton Demi, një zyrtar për marrëdhënie me Publikun në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë institucion gjenden rreth nëntë milionë euro, por nuk ka informacione se kujt i takojnë ato.
“Ato janë mjete pa pronarë”, thekson ai.
Tutje, Demi sqaron se me projektligjin e ri, propozohet që kontributet e paidentifikuara mund të barten në Administratën Tatimore të Kosovës. Por, siç shprehet ai, assesi nuk rrezikohen mjetet e kontribut-paguesve që kanë emër dhe mbiemër.
“Megjithatë, po aty është parashikuar që nëse ndërkohë, ose kurdo qoftë, del një kontribuues i cili ka informacione dhe verifikon se nga këto mjete të kthyera në ATK, ato i takojnë atij ose asaj, atëherë me këtë ligj parashikohet t’i kthehen këto mjete. Ky kthim do të bëhet së bashku me normën mesatare të investimeve për periudhën në fjalë”, ka thënë Demi.
Por, për ekspertë të ekonomisë është e habitshme se si në Trust ka mjete pa pronarë.
Drejtori i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, thotë se Trusti duhet vazhdimisht të punojë në identifikimin e atyre që kanë paguar kontributet.
“Duhet pasur parasysh se kanë kaluar 12-13 vite. Ka pasur ndryshime të ligjeve, akteve tjera normative, për arsye se defektet mund të jenë ndoshta në mënyrën se si janë hartuar dhe zbatuar ato”.
“Përndryshe, nuk mund të ketë mjete pa pronarë, eventualisht edhe nëse janë shuar ato biznese, përsëri ekziston një emër i një personi apo individi që duhet të jetë pronarë i këtyre mjeteve”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, Jeton Demi, nga Trusti i Kursimeve Pensionale, shpjegon se si kanë arritur mjete financiare në këtë institucion pa emër dhe mbiemër.
Deri në vitin 2012, sipas Demit, punëdhënësi fillimisht ka paguar kontributet dhe tatimet dhe më pas i ka dërguar raportet se për kënd ka paguar ato kontribute dhe tatime.
“Para këtij viti, shuma ka arritur në 45 milionë euro. Por, me iniciativën e Trustit dhe Administratës Tatimore të Kosovës, kemi ardhur në një shumë që është në nëntë milion euro, për të cilat nuk dimë se kujt i takojnë. Dhe kryesisht nga kontaktet që jemi munduar t’i gjejmë, janë kryesisht organizata të cilat janë shuar apo kanë ndryshuar mënyrën e aktivitetit”, shprehet Demi.
Sipas projektligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, që ka kaluar në leximin e parë në Kuvend, thuhet se në rastin kur kontributet përkatëse nuk identifikohen nga ana e Fondit dhe nuk ka as lajmërim nga ana e vet paguesve deri në gjashtë (6) vite nga viti i pagesës, atëherë Qeveria e Republikës së Kosovës e ka të drejtën e marrjes së vendimit për inkasimin e fondeve përkatëse në Buxhetin e Republikës së Kosovës.
Ndryshe, rreth 1.4 miliard euro është shuma e mjeteve të mbi 532 mijë kontribut-paguesve, që i menaxhon Trusti i Kursimeve Pensionale.
Disa kontribut-pagues, por edhe ata që tashme shfrytëzojnë këtë fond, vazhdojnë të paraqesin shqetësimet e tyre rreth mundësisë së bartjes së kursimeve të tyre në buxhetin e Kosovës.
Pensionisti Sabit Bllaca ka punuar si inxhinier në Korporatën Energjetike të Kosovës. Ai e konsideron të palogjikshme marrjen e mjeteve të Trustit.
“Ato janë para të qytetarëve dhe nuk është e drejtë me i marrë kursimet pa nevojë. Ajo ( qeveria) nuk po vetë, unë kurrsesi nuk pajtohem”, thotë Bllaca.
Ndërkaq një qytetare me emrin Valbona punon në institucionet publike dhe potencon se mjetet e Trustit janë kontribut i njerëzve, që në të ardhmen do t’u shërbejnë për mirëqenie sociale.
“E drejtë është nëse menaxhohen mirë, të krijojnë të hyra për të ardhmen dhe ngritjen e mirëqenies sociale të kontributeve. Nëse menaxhohen mirë, do të ishte mirë, por unë nuk kam njohuri për natyrën se si do të destinohen ato”, thekson Valbona.
Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) është institucion publik i pavarur dhe jo fitimprurës, i themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Administrimi i këtyre llogarive individuale është përgjegjësi ligjore, megjithëse paratë e kursyera mbesin pronë vetanake e kontribuuesve.
Edhe pse në pronë private, mandati i këtyre kursimeve është specifik, ngase ato mund të përdoren vetëm për pension – dhe nuk mund të përdoren ose tërhiqen përpara moshës së pensionimit për asnjë arsye tjetër. (REL)