Dy miliardë euro pritet të jetë buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm. Të paktën, ky është zotimi që ka dhënë ministri i Financave, Avdullah Hoti.
Sipas tij, rritja e buxhetit do të ketë 50 për qind rritje të investimeve kapitale dhe 5 për qind për shpenzime.
Hoti ka thënë se janë në proces të finalizimit të buxhetit, që deri në fund të muajit tetor të shkojë në Qeveri për miratim. Këto të dhëna Hoti i kishte prezantuar në një dëgjim publik ditë më parë. Por përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe anëtarë të Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, janë skeptikë se me trendët aktuale ekonomike, vendi do të arrijë projeksionet e Qeverisë.
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se pa tërheqje të investime të huaja dhe rritje të aktivitetit ekonomik është e vështirë të arrihet buxheti prej 2 miliardë euro.
“E kemi parë që Ministria e Financave ka paralajmëruar që buxheti i vitit 2017 do të mbërrijë shumën e 2 miliardë eurove , pa tërheqje të investimeve të huaja direkte dhe pa rritje të aktiviteteve ekonomike brenda vendit. Ne e shohim që do të jetë jashtëzakonisht e vështirë që të arrihet ky target nga ana e MF-së dhe agjencive që janë përgjegjëse për mbledhjen e të hyrave për buxhetin e vendit. Ajo çka natyrisht do të mund të shihnim si një burim të mbledhjes së të hyrave shtesë krahasuar me vitin 2016 do të ishte luftimi i ekonomisë jo formale i cili besohet që të jetë diku në shifra 30 për qind. Një shqetësim tjetër, të cilin ne si Odë Amerikane e kemi nga ky buxhet i paralajmëruar për vitin 2017, është mungesa e sigurimeve të burimeve shtesë prej të cilave do të mbudheshin të hyrat për buxhetin e vendit, atëherë nuk shohim atë mundësi se si do të mund të fuqizoheshin nga ana e ministrisë së Financave të ashtuquajturat lehtësira tatimore të cilat janë paralajmëruar nga ana e vetë ministrit”, tha Zeka.
Ndërsa, Besim Beqaj, ish ministër i Financave, tash deputet dhe anëtar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, tha se çdo planifikim buxhetor duhet të jetë shumë i kujdesshëm që të mos bëhet planifikim buxhetor mbi baza të të hyrave të njëhershme. Duhet të kemi parasysh që ajo rritje duhet të jetë e vazhdueshme dhe e bazuar në të hyra të rregullta, ka thënë Beqaj.
Skeptik se do të mund të arrihen të hyra prej 2 miliardë euro për vitin e ardhshëm, është shprehur edhe Enver Hoti, anëtar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik. Sipas tij rritja e buxhetit duhet të bazohet në mirëqenie dhe punë, e që sipas tij Qeveria nuk ka parametra real të të hyrave dhe se nuk e beson që mund të arrihen këto parashikime.
“Ne do të dëshironim që të ishte ky buxhet prej 2 miliardë, dhe pse jo të ishte akoma më i madh. Sepse sigurisht do të përfitonin qytetarët dhe do të ishte në interes të zhvillimit ekonomik, të zhvillimit të ndërmarrjeve të mesme, në përgjithësi do të ndikonte në mirëqenien dhe në rritjen e punësimit të njerëzve. Por duke e parë që Qeveria ka dështuar në programin e saj qeverisës deri më tani, nuk ka krijuar parametra real për të krijuar një rritje të rrjedhshme të natyrshme dhe krejtësisht normale të buxhetit të Republikës së Kosovës, unë dyshoj në atë dhe vlerësoj se në radhë të parë ne kemi parë që këtu nuk është bërë asgjë lidhur me ekonominë jo formale”, tha Hoti.
Raporti i fundit i publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), ‘Vlerësimi i ekonomisë për 3 mujorin e dytë të këtij viti’, nxjerrë në pah gjendjen ekonomike reale në vend. Gjitha vlerësimet tregojnë se ka rënie të investimeve të huaja, rënie të eksporteve dhe remitencave. Investimet e Huaja Direkte (IHD) të pranuara në Kosovë, deri në qershor 2016, arritën vlerën prej 97.5 milionë euro, që paraqet nivel më të ulët krahasuar me vlerën prej 163.0 milionë euro të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit 2015. Përndryshe, për vitin 2016 buxheti ka qenë rreth 1 miliard e 600 milionë euro.