Një raport financiar ndërkombëtar paralajmëron qeverinë shqiptare që të “mos hapë thesin për zgjedhje” pasi mund të destabilizojë ekonominë.
Grupi ndërkombëtar i financave “Standard and Poor’s” konfirmoi notën “B+” për borxhin afatgjatë të Shqipërisë dhe notën “B” për borxhin afatshkurtër, duke e vlerësuar perspektivën e financave publike të vendit si të qëndrueshme.
“Ky vlerësim reflekton pikëpamjen tonë se, ecuria e qëndrueshme ekonomike dhe përmirësimi fiskal do të vazhdojnë, pavarësisht risqeve që mund të sjellin zgjedhjet e vitit 2017”, thuhet në argument.
Sipas “Standard and Poor’s”, rreziku i borxhit të lartë është zbutur nga marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar, si dhe zgjatja e afatit mesatar të shlyerjes së këtij borxhi.
“Ne presim që borxhi publik të zbresë në 62% të prodhimit kombëtar, nga 72% që ishte në vitin 2015”, thuhet më tej në vlerësim.
Raporti thekson se ekonomia do të përfitojë edhe nga Reforma në Drejtësi, që do të përmirësojë klimën e biznesit dhe mund të përshpejtojë procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian.
Rreziku i afërt, sipas “Standard and Poor’s” mbeten zgjedhjet, pasi hapja e thesit mund të shkaktojë një destabilizim të buxhetit.
Dokumenti thekson se qeveria është e pozicionuar më mirë sesa në vitin 2013 për t’i bërë ballë rritjes së deficitit.
/tesheshi.