Mitrovicasit dikur jetonin në bollëk, sot e shohin në ëndërr atë jetë: “Trepça”, Guliveri i Kosovës

Në shoqëri shpesh thuhej se në Mitrovicë nuk kishte gjaqe dikur, meqë të gjithë punonin e nuk kishin “nge” për vepra të këqija. Ky rajon dikur ishte i “bekuar”, sidomos nga Kompleksi Industrial “Trepça”. Fatkeqësisht, “bekimi” sot është shndërruar në “mallkim”!

Elfije Boletini

Ditët më të mira për banorët shqiptarë të Mitrovicës vijnë në vitet ’70 të shekullit të kaluar, me miratimin e asaj që njihet Kushtetuta e ’74-tës, e kur Kombinati “Trepça” udhëhiqej nga Veli Deva. Atëherë, 75 për qind e kuadrove aty ishin shqiptarë – madje edhe në pozitat udhëheqëse (për krahasim: në vitin 1953 serbët mbanin 68 për qind të posteve udhëheqëse dhe administrative).

Ky fakt nuk i pëlqente Serbisë, ndaj bënte presione të ketë gjithçka nën kontroll në “Trepçë”. Por, liderët politikë dikur ishin më të vendosur se sot. Kështu, thuhet se ish-funksionari komunist i Kosovës, Veli Deva, në një moment të këtij presioni kishte thënë: “Ngushtë jemi prej shkieve këtu në ‘Trepçë’”!

E, sot, “të ngushtit” po vjen edhe prej shqiptarëve.

GJITHÇKA NISI ME BRITANIKËT…

Për herë të parë emri “Trepça” figuron me rastin e regjistrimit të saj në Londër (si kompani britanike), më 9 dhjetor 1927. “Trepca Mines Limited” ishte pjesë e një kompanie të madhe që quhej “Selection Trust”, pronar i së cilës ishte Alfred Chester Beatty

01 Daut-Dauti

  • Daut Dauti: Në mesin e aksionarëve të parë të “Trepçës”, ishin edhe tre pjesëtarë të familjes Deva.

“Një grup i afaristëve britanikë, shumica inxhinierë, kishin bashkuar kapitalin dhe kishin blerë nga Jugosllavia e parë koncesionet e minierave të ‘Trepçës’. Kontrata e koncesionit ishte lidhur për një shfrytëzim 50-vjeçar të ‘Trepçës’. Në emër të Jugosllavisë, kontrata ishte nënshkruar nga Radovan Pashiqi, por aksionet i mbante babai tij, kryeministri Nikolla”, thotë për Telegrafin, studiuesi Daut Dauti, autori i librit “Lufta për Trepçën – sipas dokumenteve britanike”.

Pasi që “Trepça Ltd” ishte e regjistruar si kompani publike (aksionare), investime në të kishin bërë edhe 1500 persona fizikë dhe juridikë. Shumica e tyre ishin britanikë, por nuk mungonin as ata nga Franca, Gjermania dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore. Në listën e aksionarëve vendas figuronin edhe tre shqiptarë me mbiemër Deva.

02 Grafika 1

  • Nxjerrja e mineralëve në Stantërg në vitet 1930-1997 (të gjithë grafikët në këtë tekst janë marrë nga studimi i profesorit Michael Palairet).

“Deri në vitin 1929, kur filloi prodhimi, britanikët u morën me punët përgatitore. Ata ndërtuan termocentralin, teleferikun, rrugët dhe kryen hulumtimet e nevojshme gjeologjike, gjeofizike dhe gjeografike, duke lënë pas statistika dhe detaje tjera mahnitëse në lidhje me rezervat e xeheve dhe për mundësitë e eksploatimit dhe të përpunimit të tyre”, thekson Dauti.

E drejta e shfrytëzimit të minierës u është ndërprerë britanikëve në vitet 1941-1944 atëherë kur gjermanët – për shkak të rëndësisë që kishte “Trepça” – okupuan veriun e Kosovës. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, “Trepça” u nacionalizua duke u bërë pasuri shtetërore jugosllave.

Ligjëruesi i Universitetit të Edinburgut, Michael Palairet, pas luftës së fundit në Kosovë ka publikuar një studim për “Trepçën”, që përfshin vitet 1965-2000 (klikoni: KËTU). Sipas tij, në vitin 1935 “Trepça” kishte realizuar një profit prej 200 mijë funteve të asaj kohe (që sot kanë vlerën e 129,2 milionë funteve – v.j.).

Sipas tij, vitet e arta të “Trepçës” në prodhim dhe punësim ishin vitet 1960-1981.

03 Michael Palairet

  • Michael Palairet: Me suprimimin e autonomisë dhe ngritjen e Millosheviqit e pëson edhe “Trepça”

“Në ato vite rritet numri i të punësuarve dhe përfiton ekonomia e lokale e Mitrovicës. Numri i të punësuarve rritet nga 8,000 më 1960, në 22,885 më 1988. Punësimi rritej, por prodhimtaria binte. Po ashtu, binte edhe përbërja e metaleve në mineralet e ‘Trepçës’”, thuhet në këtë studim ku ceket se “sosja graduale e mineralit në miniera është normale, meqë kompensohet me përmirësimin e teknologjisë”, gjë e cila me këtë gjigant nuk ka ndodhur. “Biznesi shembet në periudhën 1988-1994, që përkon me revokimin e statusit autonom të Kosovës dhe shpërbërjen e Jugosllavisë. Ngritja e Millosheviqit dhe betejat që pasuan kanë prekur drejtpërdrejt edhe minierat… Në vitet 1989-1991 punësimi bie për 57 për qind: nga 13,261 në 5,720. Deri në vitin 1995, ‘Trepça’ kishte 7,000 të punësuar, 1,200 nga të cilët ishin shqiptarë… Deri në vitin 1991, ‘Trepça’ ishte konfederatë e 21 njësive vartëse, secila prej të cilave kishte drejtorin e vet dhe bordin, që gëzonin shkallë të lartë të autonomisë. Në vitin 1991 u vendos ‘unifikimi’ i ndërmarrjes”!

DITËT KUR PUNËSIMI NUK ISHTE PROBLEM!

Kohën e punësimit masiv dhe ato vitet e arta të “Trepçës” që i përmend Palaireti, i kishte përjetuar Enver (Xhafer) Peci në vitet 1966-1991.

“Rrogën e kishim të mirë. Me një rrogë jetonim, sepse edhe standardi i jetës dhe kërkesat ishin më të pakta se sot”, thotë Peci për Telegrafin.

Ai nuk heziton ta përsërisë se ato 25 vite në punë kanë qenë më të mirat në jetën e tij. Sepse, me vetëm një pagë realizonte gjërat që sot janë të pamundshme për t’u bërë.

“Me një rrogë e kam mbajt familjen me nëntë anëtarë. E kam blerë tokën dhe e kam ndërtuar shtëpinë me ndihmën e kreditit të Shkritores së ‘Trepçës’. Më është dhënë mundësia ose të konkurroja për banesë, ose të ndërtoja shtëpi. Unë e zgjodha të dytën”, vazhdon rrëfimi i tij.

Ai tregon po ashtu se me atë rrogë dikur mund të udhëtonin në të gjitha vendet e rajonit, e madje edhe më gjerë në Evropë.

“Vëllai im, Gani Peci, e kreu Normalen në Mitrovicë dhe menjëherë u punësua, sepse dikur të gjithë futeshin në punë e nuk bëheshim barrë e tjetrit. Pa problem dilnim në Evropë e bile ktheheshim me para”, thotë ai, teksa shtrëngon duart nga gjendja e rënduar që ka kapluar Kosovën e lirë. “Kur lindnin fëmijët – edhe nëse ishe i papunë – shteti t’i jepte shtesat për ta. Po ashtu, studentët kishin bursa e kredi, me të cilat mund të mbanin familjen, të shëtitnin e të krijonin përvoja të reja jashtë vendit. Ndërsa, neve të punësuarve Sindikata na çonte çdo vit në pushime!”.

05 Grafika 4

  • Forca e punës dhe prodhimtaria në minierën e “Trepçës” dhe në metalurgji (1965-1990)

Sistemi shpejtë ndryshoi e bashkë me të edhe gjendja e popullatës shqiptare në Kosovë. Në vitin 1991 nisi largimi masiv i punëtorëve shqiptarë. Gjithçka filloi më 3 shtator, me grevën e madhe të organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, që kërkonte heqjen e masave të dhunshme në organizata nga regjimi serb, ndërsa kundërshtonte integrimin e dhunshëm të ndërmarrjeve të Kosovës me ato të Serbisë.

“Në vitin 1991 na kanë nxjerrë të gjithëve nga puna. Kush e ka lëshuar punën nuk ka menduar që do të ketë vështirësi në jetë. Kemi menduar se shumë shpejtë gjërat rregullohen e se me grevë kemi me e blloku sistemin jugosllav”, thotë Peci.

Nëse dikur e keqja për shqiptarët vinte nga Serbia, kjo tash vjen nga vet shqiptarët. Ndaj, Peci është i zhgënjyer se ndonëse sot jemi në liri dhe i kemi të gjitha predispozitat për një jetë më të lumtur, kjo gjë nuk po ndodh.

“Menduam ky popull ka me qenë i bashkuar, siç e kemi dashur shoku-shokun dikur. Por, nuk ndodhi kështu, sidomos jo me ata që na udhëhoqën. Tash ka xhelozi të madhe, aspak solidaritet, e kjo është një tragjedi e madhe për popullin”, shpreh zhgënjimin e tij ai.

“NOSTALGJIA” PËR KOMUNIZMIN

Duke pasë parasysh të kaluarën, shpesh ndodh që banorët e Kosovës – qoftë punëtorët e dikurshëm apo ata që prindërit i kishin të punësuar në komunizmin jugosllav – të kenë një nostalgji për sistemin ekonomik të ish-Republikës Sociale Federative të Jugosllavisë (RSFJ). Sepse, në kohë krize, si sot, puna mbetet ngushëllimi kryesor. Ndërsa, i papuni ngushëllimin e kërkon në kohët kur nuk ballafaqohej me krizë ekonomike, apo tek fjalët që i ka dëgjuar, duke abstrahuar edhe të metat dhe reperkusionet që mund t’i kishte sistemi i kaluar.

Këtë e tregojnë edhe statistikat, që janë edhe një arsye më shumë për këtë “nostalgji” – sidomos në aspektin ekonomiko-social. Kështu, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 1962 në sektorin shoqëror ishin të punësuar 79,055 persona. 10 vite më vonë, më 1972, ishin 113,365 persona të punësuar, e në vitin 1982 ky numër rritet në 192,234.

Ndërkaq, në vitet ’70 të shekullit të kaluar, në vitet e arta të “Trepçës”, të dhënat për të punësuarit vetëm në Mitrovicë janë si më poshtë:

07-Vjetari

  • Vjetari statistikor i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (1976)

Për dallim nga dikur, sot në statistika dominojnë nevojtarët. Ndaj, po sipas Vjetarit Statistikor të Republikës së Kosovës, numri i familjeve që përfitonin nga ndihma sociale në Mitrovicë, është ky: Viti 2009 – 9,722 familje; viti 2010 – 9,434 familje; viti 2011 – 8,769 familje; viti 2012- 7,845 familje; viti 2013 – 7,328 familje; viti 2014 – 6,318 familje.

Pra, në statistika del se ka rënie të rasteve sociale, por janë vet zyrtarët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) që kanë pranuar se kjo rënie e përfituesve të ndihmës sociale nuk është rezultat i një përparimi ekonomik të Kosovës, por i ashpërsimit të kritereve për përfitues të këtyre ndihmave.

Udhëheqësi i Qendrës për Punë Sociale në Mitrovicë, Besmir Salihu, ka thënë për Telegrafin se punëkërkues të rinj në pjesën jugore të Mitrovicës, gjatë vitit 2015, ishin 892 sosh (415 femra, 477 meshkuj). Ndërsa, vetëm në muajin dhjetor 2015, në pjesën jugore të Mitrovicës ishin afro 2000 familje me rreth 10 mijë anëtarë të përfshirë në skemat sociale. Punëkërkues të regjistruar llogariten të jenë mbi 7,400 sosh, ndërkaq varfëria ekstreme sillet deri në 18 për qind.

09-Punekerkues

Ndryshe, Komuna e Mitrovicës, pjesa e saj jugore, numëron mbi 72 mijë banorë me 46 vendbanime. Dikur, këto familje e kishin ekzistencën e zgjedhur, sepse siç u pa në tabelën e mësipërme, ky rajon (kuptohet, përfshirë edhe veriun) dikur kishte 18,411 të punësuar – 8,749 nga të cilët vetëm në industri e xehetari.

SHTYLLA E FORTË, DIKUR…

Përfitimet për banorët e Kosovës, e sidomos të Mitrovicës, ishin të mëdha nga gjiganti “Trepça”. Por, ato kanë mundur të jenë dikur edhe më të mëdha. Këtë e thotë eksperti i ekonomisë, profesori Nazmi Mustafa.

“‘Trepça’, në aspektin e përfitimeve ekonomike ka dhënë shumë, mirëpo produktet e saj i ka përfituar më shumë Serbia sesa Kosova. Në një periudhë shumë të gjatë, eksportin e shumë metaleve dhe të produkteve të saj e ka bërë një firmë serbe. E, llogaritë financiare apo rrjedhëse nuk kanë hyrë në sistemin bankar të Kosovës, por në ‘Jugobanka’ – me seli në Beograd”, shprehet Mustafa për Telegrafin.

Pra, si sot, ashtu edhe dikur, Serbia qëllim e kishte kontrollin dhe përvetësimin e pasurive të “Trepçës”. Këtë e thotë edhe Drejtori ekzekutiv i Institutit STRAS, Ibrahim Rexhepi, sipas të cilit strategjia e eksportit dhe çmimet caktoheshin në Beograd.

“Kjo ka qenë politika e eksploatimit që e ka udhëhequr Serbia”, shprehet Rexhepi.

Sidoqoftë, edhe Mustafa e edhe Rexhepi theksojnë se “Trepça” ka dhënë kontribut të madh në zhvillimin e kapaciteteve përpunuese të produkteve të metalit.

Nazmi Mustafa: Serbia nga “Trepça” ka përfituar më shumë se Kosova

“Kontributi i gjigantit ‘Trepça’ është pasqyruar edhe përmes kapaciteteve përpunuese të produktit të metalit në Gjakovë, në Mitrovicë, Prizren, Gjilan, Pejë etj. Pra, nuk është eksportuar vetëm në metal, por edhe në produkte”, thekson Mustafa.

Para viteve të ‘90-ta, kapaciteti prodhues i minierave në Kosovë ka qenë në këto përmasa: Stantërgu – 650,000 tonelata në vit (t/vit); në Artanë (Novobërda) – 200,000 t/vit; Hajvalia – 70,000 t/vit; Kishnica – 160,000 t/vit; Badovci – 120,000 t/v; Bellobërda – 180,000 t/vit, Cërnaci – 120,000 t/vit. Gjithsej, kapaciteti i minierave të hapura ka qenë 1.450.000 t/vit.

“’Trepça’ ka qenë shumë e rëndësishme për zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës, për shkak se tërë ekonomia ishte e përqendruar në energjetikë dhe në miniera. Ato përbënin mbi 40 për qind të prodhimit të përgjithshëm vendor. Ndërsa, ishte ndër eksportuesit më të mëdhenj në ish-Jugosllavi dhe kishte ndikim të madh në bilancin tregtar të vendit”, thotë Rexhepi.

Ibrahim Rexhepi: Serbia synim e kishte dhe e ka kontrollin dhe përvetësimin e pasurive të “Trepçës”

 

Se “Trepça” ishte shtyllë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, e stabilitetit social dhe e bilancit të pagesave të ish-Jugosllavisë, këtë e thotë edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu.

“Mbi të gjitha ka qenë një brend me të cilën është krenuar Kosova”, ka thënë Gërxhaliu për Telegrafin. “Ky gjigant kishte ndikim pozitiv jo vetëm për regjionin e Mitrovicës, po krejt Kosovën, sepse në strukturën organizative, përveç prodhimit përfshihej përpunimi, finalizimi, certifikimi, standardizimi dhe mbi të gjitha finalizimi i produkteve”.

RËNIA – E MBRAPSHTA NGA SERBIA

Siç u tha më lartë, “Trepça” dikur kishte 22,885 punëtorë në tërë Kosovën, pasi kishte kapacitete përpunuese në Vushtrri, Skenderaj, Pejë, Gjakovë, Prizren, Albanik dhe në Gjilan. Po ashtu, siç thuhet në studimin e Palairetit, ajo kishte miniera dhe flotacione në Serbi dhe në Mal të Zi, hotel në bregdetin malazez, një hotel tjetër në Kopaonik, një zyrë në Beograd, fabrika për akumulatorët dhe pajisjet e ftohjes, aksione në “Zastavë” të Kragujevcit e madje fusha bujqësore në Vojvodinë.

Gjërat ndryshojnë për të keq në vitet ’90 të shekullit të kaluar kur pos largimit të shumicës së punëtorëve shqiptarë, ndodhë edhe shthurja e tërësisë organizative të “Trepçës”. Atëherë, shumë njësi në mënyrë të dhunshme ndahen dhe integrohen me ndërmarrjet e Serbisë.

12 safet gerxhaliu

Safet Gërxhaliu: “Trepça” ishte brendi me të cilin është krenuar Kosova
“Kjo bëhej me qëllim të zhdukjes së identitetin të ‘Trepçës’, por edhe të statusit juridik të ndërmarrjeve. Ato bëhen njësi të ndërmarrjeve në Serbi, pa të drejtë ndikimi në politikat afariste. Shumë ndërmarrje, në mungesë të punëtorëve, ndërprenë prodhimin. Atëherë nisi edhe shkatërrimi i minierave, sepse nuk kishte investime në mirëmbajtje dhe hulumtime”, shpjegon njohësi i çështjeve të ekonomisë, Ibrahim Rexhepi.

Gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe luftërave në hapësirat e ish-Jugosllavisë, “Trepça” mbetet burim i rëndësishëm për financimin e regjimit serbe që e fut në borxhe duke e rënduar edhe më shumë situatën e saj. Ndërkaq, pas luftës, problem për “Trepçën” bëhet faktori ndërkombëtar – fal neglizhencës së vendorëve.

13 Grafika 2

  • Përbërja e metaleve ndër vite

“Kryeadministratori i parë i UNMIK-ut që vizitoi ‘Trepçën’ ishte Bernard Kouchner, që e shpalli dinozaur – diçka të pavlefshme e të dënuar me vdekje. Këtu nisin problemet serioze. Përkundër këmbëngulësisë së kuadrove vendore dhe të minatorëve që të rrisin prodhimin, strukturat ndërkombëtare hezitonin. Thjesht, nuk donin të jepnin leje për punë. Arsyetimet ishin të ndryshme, shpeshherë edhe absurde, si: ndotja e ambientit dhe shkalla e lartë e rrezikut për punëtorët”, thekson Rexhepi. “Ndaj, gjendja sot është kështu: Stantërgu – aktive me kapacitet 25 për qind; Artana – aktive me kapacitet 20 për qind; Hajvalia – e përmbytur; Kishnica – e përmbytur; Badovci – jashtë operimit; Bellobërda – aktive me kapacitet 20 për qind; Cërnaci – me kapacitet 20 për qind; ndërsa, flotacionet në Stantërg dhe Albanik punojnë me 20-25 për qind të kapaciteteve”.

KUR EKONOMIA PËRZIHET ME POLITIKË!

Drejtori i Institutit STRAS mendon se gabimi më i madh i pasluftës ishte futja e “Trepçës” nën përgjegjësinë e Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit (tash të Privatizimit). Sipas tij, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës vazhdimisht kanë heshtur përballë kërcënimeve, ndaj thotë se frika është pengesë, pasi mundësitë e aktivizimit të këtij gjiganti nuk janë të vogla.

14 Grafika 5

Vlerësimi në miliona dollarë (çmimet e vitit 1995) i sasisë së prodhimit të plumbit dhe zinkut në “Trepçë”

“Qeveria ‘Trepçën’ duhet ta shndërrojë në ndërmarrje publike, që ajo të bie nën përgjegjësinë e saj, si edhe të nxjerr strategjinë për aktivizimin e saj. Kjo strategji duhet të përfshijë edhe kapitalin privat, meqenëse investimet në zhvillim nuk duhet të jenë barrë e buxhetit. Raportet duhet rregulluar si PPP (partneritet publiko-privat) apo përmes koncesionit”, deklaron Rexhepi, teksa shton se disa njësi të “Trepçës” duhet të likuidohen, meqenëse mund të jenë ekonomikisht të paqëndrueshme.

Por, para Qeverisë së Kosovës janë edhe disa obligime shumë të rëndësishme, fillimisht që të mos pranohen borxhet që janë krijuar në periudhën 1990-1999 – gjatë kohës së Millosheviqit.

“Duhet të pranohen borxhet e krijuara para vitit 1990, por nuk duhet lejuar që ‘Trepça’ të bëhet temë e bisedimeve me palën serbe në Bruksel, sepse ajo është e Kosovës”, tha Rexhepi.

Edhe për profesorin Nazmi Mustafa është e paarsyeshme dhe e pakuptimtë që ‘Trepça’ – një gjigant me një sistem të ndërlikuar xehetar, metalurgjik, përpunues e eksportues – të mbahet me një status si ky, në prag të shuarjes. Ndaj, thotë se nevojitet një “Trepçë e re”, që të bëhet një strategji e duhur për 30-50 vitet e ardhshme.

15 Grafika 6

 

Të njëjtën e thotë edhe Gërxhaliu, sipas të cilit “Trepça e re” nuk ka alternativë, e për këtë “fillimisht duhet të ndahet politika nga ekonomia”.

“Për ‘Trepçën’ le të flasin ekspertët dhe jo politikanët”, thotë ai. “Kemi ekspertë që dinë të na orientojnë se si të dilet nga kjo situatë”.

KUJTIMET PËR TË KALUAR DHE, SHPRESA PËR NESËR!

Kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Kuvendin e Kosovës, profesori Muhamet Mustafa, në një prononcim për Telegrafin deklaron se “Trepça” ndodhet në një udhëkryq të zhvillimit të saj.

“Shpeshherë – përkundër pasurisë së madhe që ka – nuk ka qenë në funksionin më të mirë të zhvillimit ekonomik, pasi ose është shfrytëzuar nga të tjerët, ose nuk është menaxhuar mirë”, ka thënë deputeti i Kuvendit të Kosovës.

Sipas tij, “Trepçës” i duhen investitorë për zhvillim, por që vendorët paraprakisht të marrin vendimet e përgjegjshme.

Muhamet Mustafa: Deri tani politika i ka vështirësuar vendimet ekonomike në vend
“Nuk kemi studime të reja për Trepçën. Qeveria ka formuar një grup ndërministror me ekspertë edhe jashtë ‘Trepçës’, jashtë Qeverisë dhe Universitetit, që të bëjnë Ligjin për Trepçën. Ligji duhet të rregullojë statusin e saj. Kuvendi ka angazhuar disa ekspertë të jashtëm që të elaborojnë ndërmarrjet e ngjashme jashtë vendit, me problemet që ato kishin, transformimin dhe zhvillimin që kanë përjetuar ato pastaj”, tha tutje ai. “Ky është viti i vendimeve që do të marrim për ‘Trepçën’, bazuar tek vlerësimet e ekspertëve dhe tek analizat e duhura ekonomike, të tregut dhe të teknologjive të reja. Deri tani politika i ka vështirësuar vendimet ekonomike në vend, e kjo nuk duhet të ndodh më”.

Por, profesori Nazmi Mustafa thotë se në këto rrethana nuk është aq e lehtë që të gjendet koncepti se si do të orientohet “Trepça” për t’u riaftësuar për treg.

17 Grafika 12

Metalurgjia e zinkut dhe plumbit në Kosovë (1979-1998)
“Mu për këtë, fatkeqësisht Mitrovica dhe komunat përreth kanë mbetur më të pazhvilluarat në Kosovë. Mitrovica dhe Gjakova dikur ishin dy komunat më të zhvilluara. Në vitin 2004, nga një analizë imja, Gjakova ka rënë në nivel të Komunës së Vitisë. 90 për qind e kompanive janë shuar dhe 90 për qind të punëtorëve janë të papunë”, thotë ai.

Sa i përket numrit të punësuarve, “Trepça” sot numëron: në jug (Stantërgu, Artana, Kishnica, Parku industrial – Mitrovicë) – 1, 510 punëtorë; në veri – 1,040 punëtorë.

“Sot janë 2,550 punëtorë të punësuar”, shprehet Ibrahim Rexhepi. “Ndërkaq, eksporton 20 milionë – sa një e dhjeta e eksportit të dikurshëm”.

Papunësinë e përjeton në lëkurën e tij i biri i një minatori, që kujton kohët kur familja e tij dikur jetonte mirë. Ruhan Hajrizi sot banon me familjen gjashtë anëtarësh në “Tunelin e Parë”, tek banesat e lëna pas dore e të njohura si “Drejtoria e anglezëve”.

Ruhan Hajrizi: Dikur, baba me një rrogë na mbante…
“Jeta të cilën e kam pasur, sa ishte babai minator, nuk krahasohet me ditët e sotme. Jetoj në kushte shumë të rënda – me nënën, gruan dhe katër fëmijë”, thotë ai. “Shtatë anëtarë kemi qenë dhe baba na mbante mirë. Kurse sot mezi mbijetojmë”.

Hajrizi vitin e kaluar ishte pjesë e fluksit të madh të shqiptarëve që u larguan nga Kosova. Por, detyrohet të kthehet pas tre muajsh.

“Ika se s’kisha me hëngër e me pi”, thotë ai, duke treguar se kishte hyrë në borxhe me shpresën se do të mbetet në Gjermani. “Por, më kthyen, e tash sillem kot – pa punë”.

 

“Trepça” dikur ka bërë që Mitrovica të jetë në pozitë më të mirë se Prishtina në aspektin ekonomik. Standardin e jetesës në këtë qytet shumëkush e kishte ëndërruar. Por, ky gjigant sot më shumë është barrë sesa gjenerues i stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës. E, këtë barrë po e vuajnë sidomos banorët e Mitrovicës – qytetit që vazhdon të mbetet peng edhe i politikës e që jeton në nostalgji për ditët kur shumica punonin e kur lumi ishte simbol i begatisë e jo i ndarjes dhe mungesës së perspektivës. /Elfije Boletini/ Telegrafi/

Artikulli paraprakFMN: Niveli i borxhit të vendeve të pasura gati sa ai i pasluftës
Artikulli tjetërEkspertët: 108 vende të rrezikuara nga kriza e borxheve