ZEKATI  NGA  ASPEKTI SOCIO – EKONOMIK

Prof. Dr. Izzet Er

 

Hyrje

 

 Zekati, si njëra ndër shtyllat kryesore të Islamit, edhe pse nga aspekti i obligueshmërisë ka të bëjë vetëm me pasanikët, nga aspekti i personave të cilëve duhet t`u paguhet, ndërkaq, ka të bëjë me një pjesë më të gjerë të shoqërisë. Për këtë arsye, ne në këtë punim, në vend që t`i shtjellojmë dispozitat juridike të zekatit dhe detajet e tjera lidhur me të, do të preferojmë që duke u mbështetur në dispozitat dhe parimet në fjalë, t`i studiojmë funksionet socio-ekonomike të zekatit që i kryen në jetën tonë shoqërore.

 Përgjithësisht, zekati, meqë për qëllim ka transferimin e të ardhurave “nga pasanikët te të varfërit”[1] për ta shpënë tërë shoqërinë drejt mirëqenies shoqërore, është një praktikë e nisur që para shumë shekujsh dhe e përbën strumbullarin e ekonomisë përparimtare të shekullit tonë. Është aplikuar gjerë e gjatë në kohën e Pejgamberit a.s., të Hulefai Rashidinëve (katër halifëve të drejtë) dhe gjatë shekujve më pas. Ka kryer detyrën e një institucioni të ndihmës dhe të drejtësisë sociale përmes funksioneve të tij shoqërore, morale dhe ekonomike si: shpëtimin e njeriut nga ambicjet për t`u pasuruar, shtytjen e pasanikëve për t`u dalë në ndihmë fukarenjve që e përbëjnë shtresën e shoqërisë me të ardhura të ulëta ekonomike, pengimin e tubimit të kapitalit në duart e vetëm një shtrese shoqërore, etj.

 Për të sqaruar se si i ka realizuar zekati këto funksione socio-ekonomike dhe morale, e shohim të rrugës që temën në fjalë ta shtjellojmë rreth këtyre pikave:

a)     Përcaktimi i një nisabi të caktuar të zekatit,

b)    Pengimi i grumbullimit në duar të caktuara të kapitalit tepricë nga nisabi duke e shpërndarë atë sërish,

c)     Nxitja e investimit të kapitalit të vdekur duke e lënë atë të përballet me zekatin i cili për çdo vit e zvogëlon atë në një shumë prej 2.5 %. Kësisoji u sigurohet punë klasave të ulëta të papunë dhe realizohet rritja e të ardhurave dhe e prodhimit kombëtar,

d)    Rritja e fuqisë blerëse e fukarenjve përmes ndarjes së sërishme të të ardhurave që teprojnë nga nevojat elementare të pasanikëve.

 

Përcaktimi i një nisabi të caktuar në zekat

 

Si në çdo sistem tatimor, ashtu edhe në ekonominë islame ekziston një kufi minimal prej ku fillon të bëhet lirimi nga zekati. Këtu bën pjesë kapitali që është jashtë nevojave themelore dhe që është më pak se shuma e caktuar me Sheriat e që quhet nisab. Në disa hadithe të tij Muhammedi a.s. e ka caktuar nisabin e çdo lloj malli, si: të pasurisë, të parave, të kafshëve, të prodhimeve etj. Përveç kësaj edhe dijetarët islamë e kanë shkoqitur e sqaruar këtë temë (nisabin) veç e veç sipas çdo medh`hebi (shkolle juridike islame). Njëri nga dijetarët e mëdhenj islamë Shah Velijjull-llah ed-Dehleviu ka bërë krahasimin midis të gjitha këtyre të dhënave dhe ka konstatuar se vlera e nisabit në kohën e Muhammedit a.s. ka qenë e barabartë me të ardhurat që kanë qenë të mjaftueshme për sigurimin e jetesës së një familjeje me të ardhura mesatare.[2]

Tatimet në Islam ndryshojnë sipas fuqisë financiare të individit. Kryesisht bëhet ndarja në tri klasa e individëve sipas fuqisë financiare të tyre, edhe atë në: të pasur, të mesëm dhe të varfër. Mirëpo, në literaturën islame nuk hasim ndonjë sqarim lidhur me kuptimin e koncepteve i pasur, i mesëm dhe i varfër. Përgjithësisht, i pasur është konsideruar individi që ka poseduar 10.000 dirhemë e më tepër argjend, i mesëm është konsideruar ai që ka poseduar  200 dirhemë e më tepër dhe i varfër është konsideruar ai që ka poseduar më pak se 200 dirhemë argjend ose kundërvlerë të kësaj shume.3

Përcaktimi i një kufiri minimal (i nisabit), i cili sot është i barazvlershëm me gjendjen ekonomike të një shtrese të mesme apo të një tjetre me të ardhura më të larta, ka për qëllim lirimin nga zekati të njerëzve të vobegtë dhe të atyre me të ardhura më të dobëta, të cilët mezi i mbulojnë nevojat e veta, apo të cilët, të ardhurat dhe të dalat i kanë të barabarta.  Ky kufi, aq sa përbën një bazë të rëndësishme të ekonomisë  moderne, nga arsyeja se pasanikët i detyron të japin zekat në bazë të dallimit financiar që ekziston midis tyre, po aq edhe i mbron njerëzit me të ardhura të mesme e të ulëta dhe e përhap drejtësinë sociale duke e siguruar ngritjen e tyre në nivelin e shtresës së mesme të shoqërisë.

 

Pengimi i grumbullimit të kapitalit në duar të caktuara

 

 Mbledhja e zekatit nga pasuria dhe paratë që bëjnë pjesë jashtë nevojave të një viti, ka për qëllim pengimin e grumbullimit të kapitalit në duar të individëve të caktuar me qëllim që sa më tepër ta shmangë padrejtësinë skandaloze të të ardhurave  midis pasanikëve dhe varfanjakëve në një shoqëri. Kjo është shprehje e bazës kryesore të politikës financiare të Islamit: “(Kështu veprohet) që ajo (pasuria) të mos ndahet (e të qarkullojë) ndërmjet pasanikëve tuaj…” (Hashër, 7). Islami i cili e mbron mbulimin e nevojave elementare të individit synon krijimin e një shoqërie e cila do ta ndjejë veten përgjegjëse për sigurimin e një rroge apo ndihme jetësore për çdo një individ të sajin. Për realizimin e drejtësisë sociale udhëheqësit i ngarkon me përgjegjësinë që qytetarëve të vet t’ua mbulojnë nevojat për ngrënie, pije dhe strehim.  Përkundër ndalimit të kamatës (fajdes), e cila të pasurin e bën edhe më të pasur, e cila kurrsesi nuk ndikon në rritjen e  fitimit, e cila vazhdimisht e këndell problemin e papunësisë, e cila e nxit ndarjen jo të drejtë të kapitalit dhe e cila, kësisoji, pa ndërprerë shkakton prishjen e baraspeshës ekonomike si dhe lindjen e krizave të ndryshme shoqërore, marrja e zekatit nga paratë tepricë, së këndejmi, ka për qëllim vendosjen e baraspeshës ekonomike në shoqëri si dhe sigurimin e barazisë në ndarjen e të mirave dhe të mirëqenies. Kjo është rruga e vetme efikase për flakjen e rreziqeve ekonomike gjatë ndarjes jo të drejtë të kapitalit kombëtar midis qytetarëve të një vendi.[3] Ja pra, përmes zekatit, e cila është njëra ndër pesë parimet kryesore të Islamit, për çdo vit nga të hollat e pasanikut shkëputet 2.5 %, nga xeheroret 5 % dhe nga prodhimet bujqësore 10 % dhe u shpërndahet varfanjakëve. Me këtë edhe pengohet ndarja e padrejtë e të ardhurave kombëtare dhe sigurohet qarkullimi i tyre i vazhdueshëm, me fjalë të tjera bëhet rindarja e të ardhurave të fituara më parë.

 

Futja në investim e kapitalit të vdekur

 

 Zekati, përveç që e pengon grumbullimin e kapitalit në duar të cakuara, ai, në të njëjtën kohë, e frenon edhe tendencën për grumbullimin e të hollave dhe tërheqjen e tyre nga qarkullimi, gjegjësisht nga dobia e përgjithshme dhe shërben si një motivues i fuqishëm shpirtëror për futjen në investim të parave rezervë të cilat nuk vihen në përdorim. Siç dihet, ky tatim merret nga kapitali që tepron prej nevojave dhe nga prodhimet bujqësore. Prania e një kushti të këtillë ekonomisë islame i sjell një gjallëri të konsiderueshme. Sipas kësaj, në jetën tregtare paraja (monedha) luan rolin e gjakut të tregut. Mungesa e saj shkakton rënien e investimeve, rritjen e papunësisë, rënien e këmbimeve në tregjet e brendshme, gjegjësisht rënien e prodhimit  e të konsumimit të brendshëm. Për më tepër, sikur zekati të merrej nga fitimi e jo nga kapitali, ashtu siç veprohet në disa sisteme ekonomike, atëherë pasanikët të cilët posedojnë shuma të mëdha pasurish të cilat nuk i fusin në qarkullim do të ishin liruar nga dhënia e zekatit. Kjo për ta do të ishte një avantazh (përparësi), ndërkaq për ata që kanë më pak kapital dhe të cilët punojnë me të do të ishte e padrejtë, për arsye se të parët thuaja se do të shpërbleheshin për atë që nuk do ta futnin në përdorim kapitalin, ndërsa të dytët do të dënoheshin  dhe do të futeshin në borxh për atë se do ta bënin të kundërtën. Është e qartë se kjo është një padrejtësi e padurueshme. Andaj për të mos i dhënë shkas një padrejtësie të këtillë, për të mos e penguar funksionimin e mirëfilltë të parasë në jetën ekonomike dhe për t’ia kthyer asaj rolin që i takon, lëndë e zekatit është bërë vetë kapitali.

 Nuk duhet harruar edhe një gjë; nëse një person ka mbledhur dhe i ruan të themi 100 000 denarë. Pas kalimit të një viti, nëse gjatë kësaj periudhe inflacioni paramendohet të ketë qenë zero (0), me dhënien e zekatit kjo shumë do të bjerë në 97 500 denarë, ndërsa pas katër vitesh kjo do të bjerë në 90 000 denarë. Po të kihen parasysh rrethanat e sotshme ekonomike ku inflacioni dita-ditës lëviz në përmasa të mëdha, personi i cili paranë nuk e vë në përdorim, por e ruan të fshehur, do të ketë humbje edhe më të mëdha, ngase fuqia blerëse e parasë do të bjerë dukshëm. Lidhur me këtë qartë na e tërheq vërejtjen edhe ky hadith i Muhammedit a.s.: ”Futeni në përdorim pasurinë e jetimit (bonjakut) me qëllim që mos t’ia harxhojë e sosë zekati!”[4]  Askush nuk dëshiron që dita-ditës t’i pakësohet pasuria, përderisa ekziston mundësia për ta shtuar atë edhe më tepër. Një musliman i sinqertë për ta mbyllur deficitin vjetor prej 2.5 %, ose për ta rritur pasurinë akoma më tepër, do të preferojë të hapë vende pune vetë individualisht ose në bashkëpunim me ndonjë që posedon aftësi për një punë të tillë.

 Përmes këtyre investimeve do të lindin mundësitë për punë dhe prodhim të ri 6, kështu që punëkërkuesit duke i shfrytëzuar mundësitë e reja do të mund ta rrisin fuqinë e tyre blerëse, ndërkaq përmes prodhimit  plotësues do të mund të rritet edhe prodhimi mbarëkombëtar. Sipas kësaj, pra, zekati shërben si një nxitës mjaft i fuqishëm në investimin e parave në vende fitimprurëse;[5] duke e rritur fuqinë blerëse të varfanjakëve përmes mundësive për punë dhe prodhim të ri ai siguron pjesëmarrje më të madhe në të ardhurat kombëtare dhe njëkohësisht u mundëson të kalojnë një jetë me të ardhura mesatare. E shohim të arsyeshme që në paragrafet në vijim ta shtjellojmë edhe më gjerësisht këtë tematikë.

 

Rritja e fuqisë blerëse

 

 Islami, i cili dallueshmërinë e të ardhurave të individëve në bazë të aftësive të tyre e konsideron si të natyrshme[6], përmes zekatit me të cilin i ka ngarkuar muslimanët pasanikë, ka dashur ta reduktojë në minimum dallimin në të ardhura të njerëzve, me fjalë të tjera ka synuar rritjen e fuqisë blerëse të fukarenjve. Ndërkaq mirëfilli dihet se niveli i lartë apo edhe i mjaftueshëm i fuqisë blerëse të qytetarëve të një shteti tregon stabilitetin dhe fuqinë ekonomike të të njëjtit shtet. Sipas kësaj, një strukturë e këtillë socioekonomike mund të sendërtohet përmes ndarjes në mënyrë të drejtë të të ardhurave të zekatit në mesin e fukarenjve dhe të nevojtarëve. Kështu, zekati, duke e rritur fuqinë blerëse të tyre krijon një baraspeshë midis ofertës dhe kërkesës së mallit, e mbështet prodhimin kombëtar dhe siguron zhvillim e mirëqenie. Njerëzit që posedojnë fuqi për të blerë do të kërkojnë më tepër mall, sipërmarrësit do të mundohen të prodhojnë më tepër, do të hapen vende të reja pune dhe si rezultat i kësaj vazhdimisht do të rriten edhe prodhimi edhe të ardhurat kombëtare të një vendi.[7] Kur’ani a.sh. këtë çështje e thekson kështu:

 “Ata të cilët pasurinë e vet e shpenzojnë në rrugë të All-llahut i ngjajnë shembullit të një kokrre prej së cilës mbijnë shtatë kallinj e në secilin kalli nga njëqind kokrra. Dhe All-llahu ia shumëfishon kujt do Ai; All-llahu ka horizont të gjerë të dijes” (el-Bekarah, 261).

 “Çkado që shpenzoni nga mirësia, e keni për vete dhe çkado që t’u jepni të tjerëve le të jetë vetëm për hir të All-llahut dhe, ajo që e shpenzoni për të mirë, do t’ju kompensohet dhe nuk do të jeni të dëmtuar” (el-Bekarah, 272).

 “All-llahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën. All-llahu nuk e do asnjë mosbesimtar mëkatar” (el-Bekarah, 276).

 “Ata që e lexojnë Librin e All-llahut, e kryejnë namazin dhe japin fshehtazi dhe haptazi nga ajo që i kemi furnizuar Ne, mund të shpresojnë në një tregti që nuk humbet” (Fatir, 29).

 “Çkado që ju të jepni (dhuroni) Ai atë e kompenson. Ai është furnizuesi më i mirë” (Sebe’ , 39).

 “Ju jeni ata të cilët ftoheni të shpenzoni në rrugë të All-llahut, por disa prej jush janë koprracë, e kush bën koprraci, bën për vete, sepse All-llahu është i pasur, kurse ju jeni të varfër. Dhe nëse ia ktheni shpinën, Ai do t’ju zëvendësojë me një popull tjetër, ata pastaj nuk do të jenë si jeni ju” (Muhammed, 38).

 

A përfiton materialisht edhe ai që jep zekat?

 

 Megjithëse e kemi të njohur shpërblimin shpirtëror që do ta meritojë nga All-llahu xh.sh. dhënësi i zekatit, e shohim të arsyeshme të hulumtojmë se ç’do të përfitojë ai materalisht edhe në këtë botë. T’i përkujtojmë ajetet e lartpërmendura. Në ajetin e parë

All-llahu xh.sh. thoshte: “Ata të cilët pasurinë e vet e shpenzojnë në rrugë të All-llahut i ngjajnë shembullit të një kokrre prej së cilës mbijnë shtatë kallinj e në secilin kalli nga njëqind kokrra”, në të dytin “ajo që e shpenzoni për të mirë, do t’ju kompensohet dhe nuk do të jeni të dëmtuar”, në të tretin “All-llahu e zhduk kamatën dhe e shton lëmoshën”, në të katërtin “mund të shpresojnë në një tregti që nuk humbet” dhe në të gjashtin “e kush bën koprraci, bën për vete”. Sipas kësaj, zekati, i cili nënkupton transferimin e vlerave dhe të ardhurave nga pasanikët te të varfërit, do ta rrisë fuqinë blerëse të të vobegtëve dhe nevojtarëve të cilët e përbëjnë gjysmën e ndoshta edhe më tepër se gjysmën e popullatës së një vendi. Rritja e fuqisë blerëse do ta rrisë edhe kërkesën për mall dhe do ta shtojë edhe konsumimin. Meqë shtimi i konsumimit do ta përshpejtojë prodhimin si pasojë e lidhjes kërkesë-ofertë, atëherë oferta dhe shitja e mallit të një pasaniku që është pronar apo pjesëtar i një institucioni prodhues do të rritet dhe zmadhohet edhe më tepër. E me këtë, në të njëjtën kohë, edhe fukarenjtë dhe nevojtarët do t’i kenë mbuluar nevojat e veta. Ashtu siç shprehet një ekonomist i mirënjohur musliman “zekati do t’i shërbejë edhe pasanikut edhe të vobegtit”[8].

 Dikush ndoshta mund ta ngatërrojë zekatin me dhuratat dhe ndihmesat e tjera dhe mund të mendojë se tema është stërmadhuar fare. Mirëpo, lëmoshat (sadakatë) që jepen në formë të dhuratës dhe ndihmesave të tjera duhen vlerësuar veç nga zekati. Lëmosha në fjalë, gjegjësisht zekati është një tatim i domosdoshëm me të cilin është i ngarkuar çdo musliman i pasur. Duke u mbështetur në sasitë prej 100-200 € ashtu siç po haset në praktikë, mund të konkludohet se mirëqenia për të cilën u fol më parë mund të jetë vetëm një iluzion. Kësaj mund t’i përgjigjemi duke e vlerësuar sasinë që duhet dhuruar të vobegtit nga zekati.

 

Efekti i zekatit në jetën e të vobegtit

 

 Para së gjithash zekati “përfshinë ndihmesat, si: ofrimin e kapitalit njeriut që dëshiron të hapë punë të re, dhënien e mjeteve të nevojshme dhe të makinerisë për prodhim, ofrimin e harxhimeve të dasmës për ata që duan të martohen, ofrimin e harxhimeve për studim etj.”[9] Për qëllim ka “jo vetëm mbulimin e nevojave elementare, por edhe arritjen e një niveli të mirëqenies të cilën e meriton çdo njeri”.[10] 

 Lidhur me këtë mund të na ndihmojë edhe problemi se sa duhet dhënë të vobegtit nga sasia e përgjithshme e zekatit. Përderisa disa dijetarë nuk e shohin të arsyeshme që atij t’i jepen më tepër se 200 dirhemë (si Ebu Jusufi dhe pasuesit e tij) e disa (si Thevriu) më tepër se 50 dirhemë, një grup tjetër dijetarësh nuk caktojnë ndonjë kufi të posaçëm, por këtë ua lënë rrethanave të kohës dhe gjendjes së fukarenjve.[11] Ndërkaq hz. Omeri

(r.a.) lidhur me këtë ka thënë: “Me zekatin tuaj pasurojeni të varfërin!”[12] Nga kjo nënkuptohet se zekati duhet t’i mbulojë nevojat e të vobegtit dhe t’i sigurojë atij krijimin e një pune të re. Në të kundërtën, nëse si zekat jepet një sasi e pjesërishme prej 100-200 €, atëherë fukarenjtë përsëri do të mbesin fukarenj, pasanikët pasanikë, ndërsa nevojtarët përsëri do të vazhdojnë të marrin hise nga mjerimi dhe kurrë nuk do të mund të arrijnë në pozitën e “dorës që jep” të cilën e lavdëron Pejgamberi a.s. Ndërkaq sipas Sejjid Sabikut, qëllimi i vetëm i zekatit është “nxjerrja e të vobegtit nga gjendja e mjerë në mirëqenie dhe sigurimi i tij që asnjëherë më të mos bjerë në të njëjtën pozitë”.[13] 

 Siç pamë edhe më lartë, All-llahu xh.sh., si kundërvlerë për zekatin të cilin robi i Tij pasanik e jep për ta fituar kënaqësinë e Tij, atij i ofron edhe shpërblime shpirtërore (sevabe), po edhe ia rrit fuqinë materiale duke ia përgatitur mundësitë për rritjen e prodhimit dhe të shitjes së mallit të tij. Në një formë kjo është realizimi i premtimit të Allllahut xh.sh. kur thoshte: “dhe ajo që e shpenzoni për të mirë, do t’ju kompensohet dhe nuk do të jeni të dëmtuar”, “ata që japin fshehtazi dhe haptazi nga ajo që i kemi furnizuar Ne, mund të shpresojnë në një tregti që nuk humbet kurrë”.

 

 

Nga turqishtja: Mr. Rejhan Neziri



[1] Buhariu, es-Sahih, Kitabu`z-Zekah, II/130; Ibni Maxhe, Kitabu`z-Zekah, I/568.

[2] Shah Velijjull-llah ed-Dehlevi, Huxhxhetull-llahi’l-Baligah, II/506.  3 M. A. Mannan, İslam Ekonomisi, f. 112 e tutje, Stamboll, 1976.

[3] Mannan, po aty, f. 502.

[4] Tirmidhiu, es-Sunen, Kitabu’z-Zekah, v. III/23, f. 641, Kajro, 1356/ 1937; Ebu   Ubejd, Kitabu’l-Emval, f.  547, Kajro, 1395/1975. 6 Ahmed en-Nexhxhar, İslam Ekonomisine Giriş, f. 113-118, Stamboll, 1978.

[5] Mannan, po aty, f. 408.

[6] “Ne atyre u japim edhe mjete të nevojshme për jetë në këtë botë dhe Ne e ngrisim njërin ndaj tjetrit nga disa shkallë, që disa t’u shërbejnë të tjerëve…”, (ez-Zuhruf, 32).

[7] Mannan, po aty, f. 413; en-Nexhxhar, po aty, f. 124; Amiran Kurtkan Bilgiseven, Mali Sosyoloji, f. 65, Stamboll, 1968.

[8]  Mannan, po aty, f. 413.

[9]  Muhammed el-Mubarek, İslam’da İktisat Nizamı, f. 200, Stamboll, 1980.

[10] Sejjid Kutb, İslam’da Sosyal Adalet, f. 185-187, Stamboll, 1964; Omer Çapra, İslam’da İktisadi Nizam,

f. 87, Stamboll, 1977; Malik bin Nebij, Ekonomi Dűnyasında Műslüman, f. 119-120, Stamboll, 1976.

[11] Yunus Vehbi Yavuz, İslam’da Zekat Muessesesi, f. 410, Stamboll, 1977; Kamil Miras, Sahih-i Buhari Tecrid-i Sarih Terceme ve Şerhi, v. V, f. 338-344, Ankara, 1972.

[12] Ebu Bekr Abdurrezak bin Hemman es-San’ani, el-Musannef, v. IV, f. 151, Bejrut, 1391/1972; Ebu Ubejd, po aty, f. 676.

[13] Sejjid Sabik, Fikhu’s-Sunneh, v. II, f.384, Bejrut. 

Artikulli paraprakVIRTYTET E LËMOSHËS
Artikulli tjetërEkonomia e Turqisë ka vazhduar rritjen e pandërprerë për 22 tremujorë