Policia përzgjedh më të shtrenjtit

Policia e Kosovës, në një tender për garazhe, ka diskualifikuar të gjitha kompanitë që kishin ofertat me çmimet më të ulëta dhe ka përzgjedhur atë me ofertën më të shtrenjtë. OSHP ka vlerësuar se Policia ka bërë shkelje të rënda të ligjit me këtë tender dhe e ka kthyer në rivlerësim.
Për Policinë e Kosovës tenderi mund t’i jepej edhe një kompanie me çmimin më të shtrenjtë. Kështu në fakt veproi ky institucion në tenderin për ndërtimin e garazheve nëntokësore dhe poligonit të gjuajtjes, kur vendosi që fitues ta zgjedhë një konsorcium nga Prishtina. Përveç se shpërbleu kompaninë me çmim më të shtrenjtë, Policia e bëri të papërgjegjshme kompaninë që ofertoi me çmim të lirë.

Madje, në këtë aktivitet të prokurimit nuk u respektuan as kriteret e përzgjedhjes, të cilat ishin të përcaktuara në dosjen e tenderit. Të gjitha këto veprime, për Organin Shqyrtues të Prokurimit, përbënin shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik.

Për shkak të këtyre shkeljeve, ky organ vendosi që ta kthejë lëndën në rivlerësim.

“Anulohet vendimi i Policisë së Kosovës për dhënie të kontratës për ndërtimin e garazheve nëntokësore dhe poligonit të gjuajtjes në kompleksin e DDP dhe lënda kthehet në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OSHP’së, shkruan Express.

Shkeljet e Policisë në këtë tender i adresoi fillimisht kompania ankuese “R&Rukolli” nga Skenderaj. /Telegrafi/kohaislame

Artikulli paraprakEuroja shënon rekord të ri të rënies
Artikulli tjetërBankat e Kosovës me kamatat më të larta në rajon