Kosovë, investimet e huaja peng i politikave të dobëta fiskale, moszbatimit të ligjit dhe burokracisë

Gjatë mbledhjes së sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, ku u diskutua për mbikëqyrjen e zbatimit te ligjit për investimet e huaja, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) fillimisht kërkoi ndryshimin e emrit të ligjit nga “Ligji për Investime të Huaja” në “Ligji për Investime” me qëllim që të bëhet një ligj unik i cili do të merrej njësoj, me investim të huaja dhe ato vendore, për të ndikuar në tejkalimin e burokracisë dhe dualizmit.
 
Përveç kësaj kërkese, përfaqësuesja e OEK-ut, Lumnije Hashani theksoi se institucioni i saj ka marr kërkesa për përmirësimin e kushteve që do të mundësojnë rritjen e investimeve të huaja.
 
“Si kërkesa tjera janë edhe politikat e këqija fiskale, mungesa e subvencioneve, normat e larta të interesit bankar që janë më të shtrenjtat në rajon, konkurrenca jo e drejtë, energjia e shtrenjtë, humbja e fuqisë në treg, monopoli, licencat, lejet e punës, mos efikasiteti i sistemit gjyqësor dhe moszbatimi i kontratave nga organet gjyqësore që ekskluzivisht janë kërkuar që këto të ndryshohen. Ne mendojmë se për rritjen e investimeve të huaja nuk mjafton vetëm ndryshimi i këtij ligji por duhet të përfshihet tërë legjislacioni i cili duhet të merret me krijimin e kushteve sa më të mira për të bërit biznes. Pra, së bashku me Ligjin për Investime të Huaja duhet të ndryshohet edhe Ligji i Punës, ligji për dhënien e lejes për shtetasit e huaj, si dhe ligji për këshillin ekonomiko-social”, tha Hashani.
 
Ajo shtoi se, me qëllim që këto ndryshime të jenë sa më efikase dhe të zbatueshme në praktikë, Oda Ekonomike e Kosovës kërkon që komuniteti i biznesit të jetë prezent në çdo aktivitet në të cilën diskutohet dhe merren vendime lidhur me përmirësimin e ambientit të bërit biznes në Kosovë.
 
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Besim Beqaj, informoj të pranishmit se, tash e një muaj ka filluar procedura për mbikëqyrjen e investime të huaja me qëllim që të kuptohet niveli i zbatimit të këtij ligji, të kuptohet se në çfarë gjendje janë investime e huaja në Kosovë dhe të kuptohen saktësisht, procedurat, burokracitë, problemet dhe masat të cilat duhet të ndërmerren në drejtim të përmirësimit të këtij ligji.
 
Beqaj shpjegoi se është filluar edhe me analizimin e bazës legjislative respektivisht kolizionit ligjor, nëse ka kolizion ligjor me ligje të tjera të zbatueshme të cilat e prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë investimin e huaj.
 
“Kemi takuar institucionet përgjegjëse për tërheqjen e investimeve të huaja, nga Ministria për Tregti dhe Industri kemi takuar zyrën ligjore e cila është dashur të na jep shpjegimet e veta lidhur me funksionalitetin dhe potencialisht kolizionet ligjore sa i përket kësaj ministrie”, tha Beqaj.
 
Ai shtoi se, pas vizitave në terren ku kanë biseduar me Aleancën Kosovare të Biznesit dhe me një numër të investitorëve potencial, pastaj takimeve me Odën Ekonomike të Kosovës, të Austrisë dhe asaj Amerikane, për të kuptuar në detaje aspektin e funksionimit të ligjit por edhe aspektin administrativ, procedural të realizimit të investimeve në Republikën e Kosovës, me ç’rast janë marr edhe statistika të investimeve të huaja dhe është trajtuar problemi i tendencës së largimit të bizneseve nga vendi dhe arsyet për këtë.
 
Rexhep Bllaca, drejtori i zyrës ligjore në Ministrinë e Tregtisë e Industrisë, tregoi se Ligji për investimet e huaja ka hyrë në fuqi në janar të vitit 2014 dhe sa i përket shqetësimeve të cilat i ngriti deputeti Besim Beqaj, nëse ka kolizion apo pengesa në zbatimin e tij, u përgjigj se, MTI-ja në zbatimin e këtij ligji nuk ka hasur në ndonjë kolizion apo pengesë në zbatimin e këtij ligji.
 
“Neni 19. i këtij ligji parasheh relacionet, marrëdhëniet në mes të këtij ligji, ligjit për investimet e huaja si dhe marrëveshjeve ndërkombëtare për investime si dhe ligjeve tjera. Neni 19 parasheh që marrëveshjet ndërkombëtare për investime të huaja, kanë përparësi në krahasim me ligjet tona, gjegjësisht ligjin për investimet e huaja. Ky është po ashtu edhe parim kushtetues, ku marrëveshjet ndërkombëtare kanë  përparësi në krahasim me ligjet vendore dhe ne gjer më tani kemi një numër të caktuar të  marrëveshjeve ndërkombëtare për mbrojtjen e investimeve të huaja dhe jemi në proces të negocimit të këtyre marrëveshjeve me disa shtete”, tha Bllaca.
 
Ai theksoi se, qëllimi i këtyre marrëveshjeve është t’ju ofroj siguri ligjore shtesë investimeve të huaja që investimet e tyre do të mbrohen dhe do të trajtohen në pajtim me parimet e pranuara ndërkombëtare , si dhe njëherësh shpreh gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i mbrojtur dhe trajtuar investimet e huaja.
 
Bllaca shpalosi edhe dy propozimet e MTI-së për përmirësimin e ambientit të bërit biznes.
 
Rekomandimi i parë ishte fuqizimi i Agjencisë për përkrahjen dhe promovimin e investimeve, në mënyrë që t’i jepet autorizimi ligjor që të ketë të drejtë agjencia që në emër të investitorëve t’i kryej të gjitha procedurat burokratike , si dhe nxjerrjen e lejeve dhe licencave në mënyrë që t’ju krijohet ambient sa më i lehtë dhe i përshtatshëm për të bërë biznes. Kjo do të bëhej për t’iu shmangur ankesave të mëdha për procedurat e gjata burokratike të dhënies së lejeve dhe licencave që vonojnë fillimin e investimeve të huaja në Kosovë.
 
Rekomandimi i dytë ishte, të autorizohet Qeveria e Kosovës që, në rast të investimeve strategjike me vlera të mëdha dhe investimeve që punësojnë një numër të madh të punëtorëve, me vendim të qeverisë të ketë të drejtë t’i jepet toka në shfrytëzim investitorit, si dhe t’i ofrohen lehtësira tjera.
 
Sa i përket largimit të investitorëve të huaj nga Kosova në drejtim të Maqedonisë,  Avni Kastrati, zëvendësministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë deklaroi se “nga Kosova, deri tash, nuk është e vërtet se ka shkuar ndonjë biznes në Maqedoni për arsye të cilat jepen nga mediet dhe organizatat joqeveritare, sepse Maqedonia ofron kushte më të favorshme”.
 
Zëvendësministri Kastrati njoftoi se MTI ka bërë analizë, ka kontaktuar me zyrtarë dhe tash për tash nuk ka biznese që kanë shkuar në Maqedoni nga Kosova, përveç kompanisë ELKOS, për të cilën thotë se është kompani e cila do të zgjerohet në Maqedoni sepse në Kosovë ajo është një nga kompanitë më serioze.
 
Ai kërkoi që mediet dhe OJQ-të kosovare, nëse kanë informacione zyrtare dhe dinë për këso raste të largimit të bizneseve dhe investimeve të huaja nga Kosova në Maqedoni, t’i ndajnë ato me MTI-në , në mënyrë që kjo ministri të ndërmarr masat e duhura.
Artikulli paraprakDigital Marketing Institute vjen edhe në Kosovë
Artikulli tjetërTurkish Airlines bëhet sponsorizuese e Ekipit Kombëtar maqedonas të Basketbollit