Ekonomiksi konvencional po pëson ndryshime. Së pari, një qasje shumëdimensionale po pranohet gradualisht. Ekonomistët kanë filluar të përfshijnë në analizat e tyre variabla sociale, institucionale, politike, psikologjike dhe të tjera, duke ndjekur një praktikë që Ibn Halduni e aplikoi rreth 600 vjet më parë. Së dyti, megjithëse filozofia sekulare vazhdon të mbizotërojë në disiplinë si e tërë, një numër i ekonomistëve të njohur po theksojnë gjithnjë e më shumë futjen e një dimensioni moral në ekonomi. Po kuptohet gjithnjë e më shumë se alokimi dhe shpërndarja e burimeve nuk përcaktohet vetëm nga çmimet. Ajo përcaktohet gjithashtu nga vlerat morale, të cilat kanë një ndikim të konsiderueshëm në sjelljen njerëzore në përgjithësi dhe në shijet dhe preferencat në veçanti. Fituesi i Çmimit Nobel, Prof. Amartja Sen, thotë në librin e tij On Ethics and Economics se “largimi i ekonomiksit nga etika ka varfëruar ekonomin e mirëqenies dhe gjithashtu ka dobësuar bazën e një pjese të madhe të ekonomisë përshkruese dhe parashikuese.”
Shteti i mirëqenies po tërhiqet gjithashtu, pasi përvoja ka treguar se nuk është e mundur që qeveria të kujdeset vetë për të gjitha nevojat e individëve në shoqëri. Çdo përpjekje për ta bërë këtë do të ushtrojë një presion të madh mbi buxhetin e qeverisë dhe do të çojë në deficite fiskale dhe presione inflacioniste. Nëse shteti i mirëqenies tërhiqet, atëherë kush do të kujdeset për nevojat e të varfërve dhe të pafavorizuarve? Edhe para tërheqjes së shtetit të mirëqenies, kishte një numër njerëzish që nuk përfshiheshin në rrjetin e mirëqenies. Tani do të ketë edhe më shumë. Si mund t’i plotësojë një shoqëri nevojat e këtyre njerëzve? Islami ka prezantuar institucionin e zekatit për këtë qëllim. Zekati nuk duhet të shpenzohet vetëm për plotësimin e nevojave bazë të të varfërve dhe personave me aftësi të kufizuara. Ai duhet të përdoret gjithashtu për t’i ndihmuar ata të qëndrojnë në këmbët e tyre përmes edukimit dhe sigurimit të financimit fillestar për promovimin e vetëpunësimit.